Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka deklaruar se reformat në fushën fiskale që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në këto dy vitet e fundit, përveç që kanë krijuar një ambient dhe insentiva të mira për zhvillimin e biznesit, ato kanë ndikuar edhe në gjenerimin më të mirë të të hyrave.
Në konferencën “Tregtia dhe Investimet në Kosovë të mbajtur në Vjenë, ai gjithashtu ka përmendur edhe fillimin e zbatimit të MSA-së, ku thotë se zbatimi i kësaj marrëveshje do të ndikojë në rritjen e investitorëve të huaj në Kosovë.
“Një sukses tjetër i arritur nga Qeveria e Kosovës, e që do të ndikoj drejtpërdrejt në rritjen e besimit të investitorëve të huaj për të investuar në Kosovë, por edhe bizneseve kosovare qasje në tregun evropian është fillimi i zbatimit të MSA-së në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, thuhet në një njoftim të ministrisë./Insajderi.com