Ministri i Financave, Avdullah Hoti duke shpalosur projektligjin e buxhetit për vitin 2017, i cili është paraparë që të jetë 2 miliardë euro, tha se me këtë buxhet parashihet që rritja ekonomike të jetë 4.4 përqind.
Sipas Hotit, buxheti munëson edhe implementimin e ligjit për sigurimet shëndetësore, paratë për skemat pensionale dhe pensionet veteranëve të luftës.
“Me buxhetin prej 17 milionë eurosh, parashihet implementimi i skemave pensionale, do të implementojmë kompensimin e përvojës së punës për punëtorët e sektorit publik. Do t’i japim pensionet për veteranët dhe kategoritë e tjera të luftës”, tha Hoti.
Ai ka thënë se buxheti i vitit që vjen, do të shpërndahen në investime po ashtu edhe infrastrukturore, siç është ndërtimi i shkollave dhe rrugëve.
“Në fushën e shëndetësisë është paraparë ndërtesa e pediatrisë dhe disa spitale të tjera nëpër regjione. Në fushën e arsimit parauniversitar, parashihet ndërtimi i 15-të shkollave të reja nëpër Komunat e Kosovës. Do të ndërtojmë autostradën Prishtinë-Hani i Elezit, rrugën Komoran-Drenas dhe Skenderaj, si dhe rrugë të tjera të rëndësisë nacionale”, deklaroi ai.