Insajderi
Hulumtime/Analiza

Hoxha, biznesmeni e shoferi| Skema se si për një lokal me letra false viktimës iu morën mbi 100 mijë euro fajde

Insajderi
23 October 2025 - 15:07
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Hoxha, biznesmeni e shoferi| Skema se si për një lokal me letra false viktimës iu morën mbi 100 mijë euro fajde
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Një hoxhë nga Fushë Kosova, një biznesmen e një shofer transporti janë në qendër të një dosjeje të rëndë penale që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e përshkruan si “skemë të mirëorganizuar fajdeje, me motive pasurore dhe mjete kërcënuese”. Insajderi sjell detajet e aktakuzës.

Gazeta Insajderi

Besimi. 100 mijë euro fajde. Një hoxhë. Një biznesmen. Një i vet-përshkruar si shofer kamionësh. Një lokal me letra false. Kjo është historia qe përshkruan aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ku akuzohet Pajazit Tërnava, një hoxhë e deri vonë edhe Kryetar i Bashkësisë Islame në Fushë Kosovë bashkë me biznesmenin Arben Gashi dhe të vet-përshkruarin shofer i transportit Milazim Ahmeti.

Në aktakuzën e ngritur më 16 tetor 2025, të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi, përshkruhet mënyra se si Tërnava, Gashi e Ahmeti kanë bashkëvepruar për të përfituar mbi 100 mijë euro nga një qytetar që kishte kërkuar ndihmë financiare për të shpëtuar biznesin e tij.

Nga besimi te fajdeja: Roli i hoxhës që lidhte “miqtë me para”

Në qendër të ngjarjes qëndron Pajazit Tërnava, i cili, sipas dokumenteve zyrtare, ka qenë kryetar i Bashkësisë Islame në Fushë Kosovë dhe njeri me ndikim në rrethin e tij fetar e shoqëror.

Prokuroria thotë se Tërnava “ka shfrytëzuar besimin e krijuar te viktima për ta futur në kontakt me personat që merren me fajde”, duke garantuar personalisht për ta.

Aktakuza përshkruan se hoxha Tërnava ishte ai që kishte ndërmjetësuar takimin e parë mes viktimës dhe biznesmenit Arben Gashi, i cili më pas do të siguronte paratë me interesa ekstreme.

“Pajaziti i ka thënë viktimës se këta janë njerëz të besës, se do ta ndihmojnë përkohësisht, vetëm për ta nxjerrë nga halli. Në fakt, çdo javë i kërkonin më shumë para”, thuhet në një pjesë të deklaratës së viktimës të përfshirë në dosje.

Në kontekstin e fesë islame, fajda konsiderohet një praktikë e ndaluar. Ligji islam, sipas Kur’anit dhe Haditheve, e klasifikon rritjen e parave mbi një huazim origjinal si riba, e cila është e ndaluar qartë. Fajda shihet si një formë shfrytëzimi të nevojës së të tjerëve dhe si një mënyrë e padrejtë për të fituar pasuri pa punë reale. Shumë dijetarë të fesë islame theksojnë se çdo marrëveshje financiare duhet të bazohet në tregti të drejtë dhe bashkëpunim të ndershëm, dhe nuk duhet të krijojë presion ose padrejtësi ndaj palës më të dobët. Praktika e fajdes, përveç që është e ndaluar fetarisht, shpesh lidhet edhe me pasoja shoqërore dhe ekonomike, si rritja e borxheve, konflikte mes individëve dhe shpesh krime të dhunshme për mbledhjen e parave.

 “Merr 50 mijë sot, kthe 100 mijë pas gjashtë muajsh”

Viktima, një afarist që menaxhonte një lokal në Prishtinës, kishte hyrë në hall financiar në fund të vitit 2022. Në vend që të kërkonte kredi në bankë, ai iu drejtua një personi që e njihte përmes xhamisë, Pajazit Tërnavës.

Në dëshminë e tij para prokurorisë, viktima thotë se Tërnava i kishte propozuar që “ta ndihmojnë disa njerëz që kanë para në dorë, por që punojnë me besë”.

“Hoxha më tha mos u shqetëso, këta njerëz janë seriozë, vetëm duhet të nënshkruajmë një letër për siguri. Thashë mirë, se isha në hall,” ka deklaruar viktima.

Kështu ai mori një shumë prej 50 mijë eurosh nga Arben Gashi, biznesmeni që në aktakuzë figuron si afarist nga Prishtina, i cili kërkonte kthim të 100 mijë eurove pas gjashtë muajsh, shifër që sipas Kodit Penal përbën qartazi fajde.

Lokali si garanci – kontrata false që ndryshoi pronësinë

Kur viktima nuk kishte mundësi të kthente paratë në afatin e caktuar, grupi, sipas prokurorisë, i kishte kërkuar që të nënshkruante një kontratë shitjeje të lokalit të tij afarist.

Në pamje të parë, kontrata dukej si marrëveshje shitjeje e ligjshme, por në realitet ajo ishte falsifikuar për të siguruar kontrollin mbi pronën.

“Më thanë është vetëm për garanci. Kur të kthesh borxhin, do ta anulojmë kontratën. Por pas disa javësh, filluan të më thonë që lokali tani është i tyre”, thuhet në dëshminë e viktimës.

“Më vizitonin çdo ditë, më kërcënonin, më thoshin se nëse flisja me policinë, ‘do të ma digjnin lokalin me benzinë’”.

Kërcënimet, takimet dhe shoferi që sillte “porositë”

Në skemë, rolin e presionit e kishte Milazim Ahmeti, i përshkruar në aktakuzë si shofer transporti.

Sipas prokurorisë, Ahmeti kishte qenë personi që shoqëronte biznesmenin Gashi në mbledhjen e borxheve dhe që e vizitonte viktimën për ta “kujtuar” çdo javë për pagesat.

Gazeta Insajderi një vit më parë pati publikuar dëshminë e viktimës:

“Nëse nuk i sjell të hënën, do të vij me njerëzit e mi”, citohet në një SMS që viktima ia ka dorëzuar policisë.

“Milazimi vinte çdo javë, shpesh me një makinë të zezë, ndalonte para lokalit dhe nuk dilte derisa unë t’i jepja diçka. Ishte tmerr”, rrëfen viktima.

Në bastisjet e policisë, te Milazim Ahmeti janë gjetur një armë zjarri dhe disa fishekë, për të cilat ai nuk posedonte leje, duke u akuzuar edhe për mbajtje të paautorizuar të armës

Çfarë thonë të akuzuarit

Të tre të pandehurit kanë mohuar fajësinë.

Pajazit Tërnava ka deklaruar se “ka vepruar vetëm si ndërmjetës për t’i ndihmuar palët që kishin një mosmarrëveshje financiare” dhe se “nuk ka përfituar asnjë cent nga kjo punë”.

“Unë jam njeri i fesë, kam dashur vetëm të pajtoj njerëzit. Burimi i parave nuk ka qenë i imi dhe as s’kam marrë interes,” ka thënë ai para Prokurores Speciale, Habibe Salihi.

Arben Gashi, biznesmeni, ka pretenduar se marrëveshja ka qenë “shitblerje e ligjshme” dhe se “kontrata është nënshkruar në mënyrë të vullnetshme nga viktima”.

Milazim Ahmeti, shoferi, ka thënë se “ka qenë vetëm i pranishëm në disa takime dhe nuk ka kërcënuar askënd”.

Dëshmia e axhës, Naim Tërnava: Edhe ne jemi dëmtuar

Një kthesë e pazakontë në këtë rast është dëshmia e Naim Tërnavës, Kyetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), i njohur si Myftiu i Kosovës dhe që është edhe axha i të akuzuarit Pajazit Tërnava.

Në deklaratën e tij para Policisë më 14.02.2023 dhe më pas para Prokurorisë më 09.12.2024, Naim Tërnava ka thënë se edhe vetë ai dhe vëllezërit e tij janë dëmtuar financiarisht në këtë marrëdhënie.

“Personin P.B e kam njohur pasi më ka kontaktuar në telefon. Më ka kërkuar të takohem me të në një lokal në Prishtinë. Ai më tha se ka problem me djalin e vëllait tim, Pajazitin,” ka deklaruar Naim Tërnava.

“Para se të takohem me P.B, kam biseduar me Pajazitin dhe më ka njoftuar se e ka autorizuar P.B që ta shesë lokalin që e kemi pasuri të përbashkët. Pajaziti më tha se ai person nuk po ia jep paratë. P.B. kishte ndalur për vete diku 30 mijë euro.”

“Për ta kthyer lokalin në gjendjen e mëparshme, u detyruam t’i japim atij personi 28 mijë euro. Ne si vëllezër u dëmtuam; secili dhamë nga 6 mijë euro. Por ai kurrë nuk më kontaktoi më,” përfundon dëshmia.

Ky rrëfim e komplikon më tej rastin, duke treguar se konflikti financiar nuk ishte vetëm mes viktimës dhe të akuzuarve, por kishte shtrirje edhe brenda familjes Tërnava, në lidhje me pronësinë e lokalit dhe paratë që qarkullonin.

Prokuroria: Veprim i organizuar, me ndarje rolesh dhe qëllim përfitimi

Në përfundim, Prokuroria Speciale konstaton se tre të akuzuarit kanë vepruar “me dashje të drejtpërdrejtë për përfitim pasuror të kundërligjshëm”, duke shkelur nenet 328 (Detyrimi), 331 (Fajdeja) dhe 366 (Mbajtja e paautorizuar e armës) të Kodit Penal të Kosovës.

“Të pandehurit kanë ndarë rolet, kanë vepruar me koordinim dhe kanë ushtruar presion të vazhdueshëm me mjete financiare e psikologjike për të siguruar përfitime,” thuhet në aktakuzë.

Prokuroria kërkon dënime sipas ligjit dhe që të jepet shembull si dhe konfiskimin e çdo pasurie të fituar nga veprimtaria e paligjshme.

Rasti do të gjykohet nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë. Përfshirja e një kleriku fetar në një skemë të dyshuar për fajde është një rast i rrallë në praktikën e drejtësisë kosovare, dhe pritet të ngjallë debat të gjerë publik.

Një zyrtar i hetuesisë i ka thënë për Insajderin në lidhje me këtë rast se “Kjo dosje tregon se fajdeja nuk është më një fenomen periferik, por një sistem i ndërtuar mbi besë, frikë dhe ndikim shoqëror.”

Ky artikull është përgatitur mbi bazën e aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, PPS nr. 65/2023 (16.10.2025), dëshmive të përfshira në të dhe dokumenteve shoqëruese.

Insajderi thekson se të akuzuarit konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark