Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka deklaruar se partia e tij duhet të ketë një qëndrim të qartë politik përballë situatës aktuale në vend.
I ftuar në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Hoxhaj ka thënë se, nëse sipas tij, Kosova përballet me një pushtet që synon ndryshimin e rendit kushtetues dhe dobësimin e partive tradicionale, atëherë PDK-ja duhet të pozicionohet përballë këtij zhvillimi.
Ai ka deklaruar se partia duhet të bëjë të qartë se nuk do t’u përgjigjet thirrjeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për takime dhe se nuk do të bëjë koncesione.
“Nëse ne kemi një pushtet politik i cili në thelb është autokraci elektorale, i cili dëshiron ta përmbysë rendin kushtetues, i cili shkon nga zgjedhjet në zgjedhje për t’i shkatërruar partitë e vjetra politike, sikurse thotë z. Kurti, duhet t’i pensionojmë partitë e vjetra politike, unë jam i bindur që Partia Demokratike e Kosovës shërbimin më të mirë që mund t’ia bëjë vendit është që të pozicionohet prej fillimit që as nuk shkojmë në takime, as nuk bëjmë koncesione, as nuk na intereson zgjedhja e presidentit, dhe shohim se në çfarë forme, kurdo që mbahen zgjedhjet, i fitojmë zgjedhjet dhe e udhëheqim qeverinë”, deklaroi Hoxhaj.
Sipas tij, debati nuk duhet të përqendrohet te mënyra e komunikimit apo forma e ftesave për takime.
“Po tash koha do të tregojë se cili do të jetë qëndrimi i PDK-së. Z. Hamza është kryetar i PDK-së dhe jep qëndrimin e PDK-së. Unë po jap qëndrimin se si e shoh interesin e PDK-së. Nuk mendoj që këtu tema është a ftohesh me SMS apo të fton me letër, a të fton me pikat e takimit, me pika apo pa pika të takimit”, u shpreh Hoxhaj.