Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka ripërsëritur qëndrimin e tij se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk duhet të përzihet në marrëdhëniet me Kosovës e Serbisë.
“Mendimi im është se çdo përmirësim i raporteve të Shqipërisë me Serbinë është në interesat dhe të Shqipërisë dhe të Kosovës, por ne i shohim marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë të ndara prej Shqipërisë. Nuk e kanë kornizën e njëjtë. Aty ku Shqipëria bashkëpunon me Serbinë është çështje bilaterale dhe çfarë Kosova synon të arrijë me Serbinë është po ashtu raport bilateral”, ka thënë Hoxhaj.
“Pra ne i shohim marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë të ndara prej Shqipërisë. Nuk duhet të ketë marrëdhënie mes Shqipërisë dhe Serbisë në kurriz të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj në një intervistë për mediumin shqiptar Shekulli.
Ai ka thënë se i gëzohet përmirësimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Shqipërisë porse deklarata e tij ka marrë interpretime të ndryshme.
“Rajoni ka ndryshuar, marrëdhëniet e vendeve në rajon kanë pësuar një transformim të madh dhe në këtë dinamikë në përmirësim të raporteve Shqipëri – Serbi është edhe në interes të Kosovës. Në këtë kontekst e kam bërë reagimin, pastaj deklarata ime është interpretuar në forma të ndryshme në media të ndryshme shqiptare. Emri dhe mbiemri im, e them jo nga pozitat e inferioritetit, por në pozitat e të barabartit”, ka thënë Hoxhaj.
Tutje, Hoxhaj ka thënë se Kosova synon që përmes dialogut me Kosovën të fitojë anëtarësimin në OKB.
“Deklarata ime e bërë dy ditë para vizitës të kryeministrit Rama në Beograd ka të bëjë me pritjet e Kosovës, dhe pritjet e Kosovës janë këto: Ne duam të anëtarësohemi me çdo kusht në OKB dhe ne dëshirojmë që dialogun me Serbinë ta përdorim si instrument të anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Kjo nuk është vetëm dëshirë por është një realitet evropian”, ka thënë ai.