Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Bashkimi Evropian ka “frenuar” dialogun mes Kosovës e Serbisë, me arsyetimin se ky proces nuk mundet të jetë kredibil pa zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.
Në një intervistë për emisionin Komiteti Qendror të Gazetës Express, që transmetohet në RTV Dukagjini, Hoxhaj ka thënë se qëndrimin e BE-se rreth kësaj çështje ia ka bërë të qartë Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme
“Mogherini është e mendimit që pa u zbatuar marrëveshjet që janë arritur nuk duhet të ketë fazë të re të dialogut,” ka thënë Hoxhaj.
“Dialogu nuk mund të jetë kredibil nëse nuk zbatohen marrëveshjet”, ka shtuar ai.
Hoxhaj ka thënë se Kosova ka përfituar nga dialogu dhe kjo vërehet edhe në veri të vendit.
Ai ka folur edhe për marrëveshjen për kodin telefonik, duke shtuar se ky kod është shtetëror dhe jo gjeografik./Insajderi.com