Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka paraqitur sot një raport hulumtues të gjendjes së mediave në Kosovë.
Të gjeturat e këtij raporti, që u shpalos përmes një konference për media, tregojnë për përkeqësim ekonomik të pozitës së gazetarëve, censura dhe vetë-censura, qasje e vogël në dokumente publike, kërcënime dhe sulme fizike ndaj gazetarëve dhe profesionistëve tjerë medialë, gjyqësor dhe prokurori joefikase në trajtimin e rasteve të kërcënimeve, probleme në transmetuesin publik e shumë të tjera.
Shkëlqim Hyseni, kryetari i AGK-së tha se periudha njëvjeçare që po e lëmë pas ka qenë shumë e vështirë për gazetarët në Kosovë.
“Gjatë vitit ka pasur shumë sfida për gazetarë që janë ballafaquar me jo transparencë, por gjykatat nuk kanë ecur shpejt në rastet e gazetarëve. Klimë e rëndë për të bërë gazetari, si për gazetarë ashtu edhe për medie”, tha Hysenaj.
Hulumtimi ka qenë pjesë e projektit Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Avokim të Lirisë së Medias dhe Sigurisë së Gazetarëve. Gjithashtu do të jetë edhe platforma online ku gazetarët mund të raportojnë online për shkeljet e tyre.
Ky projekt do të zgjatë deri në 2018 ku do të publikohen tri raporte.