×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Hulumtimi i Insajderit – dokumente fiktive, si përfituan tenderë nga ministria e Muratit familjarët e ministrit Damka?

    Insajderi
    18 May 2022 - 17:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ofertimi me dokumente të falsifikuara s’e ka penguar kompaninë e familjes së ministrit Fikrim Damka që vitin e kaluar të fitojë tender nga ministri Hekuran Murati. Ky i fundit, ndonëse ka qenë i informuar për rastin, jo që nuk e ka parandaluar dëmin financiar – por edhe këtë vit ia ka vazhduar kompanisë së njëjtë, kontratën e njëjtë.

    Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës ditë më parë arrestuan Sefçet dhe Anil Damkën, familjarët e Fikrim Damkës, ministrit të Zhvillimit Rajonal, pas dyshimeve se ata kishin përfituar mbi 100 mijë euro kontrata publike nga shteti me dokumente të falsifikuara.

    “Lidhur me rastin pas veprimeve hetimore është vërtetuar se të dyshuarit kanë paraqitur si referenca në dosjet e tenderëve në vitin 2021, referenca të cilat nuk i kanë fare të deklaruar qarkullimin në Administratën Tatimore të Kosovës dhe qarkullimin Bankar të Falsifikuar në një bankë, vlera e tenderëve të fituar sillet rreth 100,000.00 euro (një qind mijë euro)”, thuhej në njoftimin e Policisë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Gazeta Insajderi merr vesh se një nga këto kontrata ishte fituar nga Ministria e Financave.

    MEB L.L.C, ndërmarrja me bazë në Prizren, gjatë fazës së ofertimit në dikasterin që drejtohet nga Hekuran Murati kishte ofruar referencat e kompanive të tyre private, derisa kusht për fitimin e kontratës ka qenë ofrimi i referencave të shërbimeve të pastrimit në institucione shtetërore.

    Referencat e ofruara nga ofertuesi kishin vlera të cekura, të cilat nuk kishin të kryera transaksione ndërmjet vete që të dëshmonin se janë realizuar me të vërtetë, zbulon Gazeta Insajderi.  

    Se i kanë paraqitur këto dokumente kur kanë ofertuar për tenderin e pastrimit dhe mirëmbajtjes së objektitit të Ministrisë së Financave në rrugën “Tring Smajli”, e ka pranuar për Gazetën Insajderi edhe Sefçet Damka, pronari dhe i autorizuari i kompanisë MEB L.L.C..

    Sefçet Damka, pronari dhe i autorizuari i kompanisë MEB L.L.C. | Foto: Facebook

    Por, këto fakte nuk e kishin penguar zyrën e Prokurimit të Ministrisë Financave që këtë kontratë t’ia jepte familjes Damka, në prillin e vitit të kaluar.

    Madje, pak kohë pas nënshkrimit të këtij tenderi, Murati ishte njoftuar mbi të gjitha dyshimet që rëndonin mbi operatorin ekonomik.

    Ministri këto informata i kishte pranuar më 2 qershor, në e-mailin e tij zyrtar, komunikim ky të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi, dhe pavarësisht se ishte në dijeni për parregullsitë, nuk e kishte marrë asnjë masë ndaj kompanisë që ishte fituese e prokurimit publik, këtë rast ndaj MEB L.L.C..

    Gazeta Insajderi e ka pyetur Muratin, pse e ka lejuar një kompani me dokumente fiktive të merrte tender nga ministria që ai drejton, dhe përse nuk ka marrë masa ndaj të njëjtës pas informatave që kishte pranuar, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.

    I pari i Financave përveç që vitin e kaluar ka lejuar që kompania e familjes Damka të fitojë kontratë publike me dokumente të rrejshme, dhe më pas nuk e ka parandaluar atë – edhe këtë vit ia ka besuar kompanisë së njëjtë, tenderin po për të njëjtën çështje.

    Hekuran Murati, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve | Foto: Facebook

    MEB L.L.C. e ka fituar edhe një tender tjetër më 4 maj 2022, po nga ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për pastrimin dhe mirëmbajtjen e objektit në shfrytëzim të dikasterit të Hekuran Muratit, i cili gjendet në rrugën “Tring Smajli”, në Prishtinë. Vlera e kësaj kontrate kap shifrën e mbi 12 mijë eurove, zbulon Gazeta.

    Insajderi e ka pyetur personalisht ministrin pse kjo kompani është përzgjedhur sërish nga Prokurimi i Financave, por ai nuk ka kthyer përgjigje.

    Për çka u akuzuan familja Damka?

    Sefçet dhe Anil Damka përmes bizneseve të tyre kishin përfituar tenderë nga institucionet shtetërore pa i plotësuar kriteret.

    Ata akuzoheshin për “falsifikim të dokumenteve” dhe “keqpërdorimi e mashtrimi në prokurimin publik”, dyshime mbi të cilat Policia i arrestoi javën që shkoi.

    Se janë akuzuar dhe arrestuar për këto çështje e ka thënë për Gazetën Insajderi edhe Damka, pronari e MEB L.L.C., por nuk ka pranuar se kanë bërë falsifikime.

    “Akuzat po bëhen për referenca që e kemi fituar një tender në vlerë 11.500 euro për 12 muaj tek ministria e Financave, Prishtinë. Ai tender u fitua me krejt detajet pa asnjë falsifikim ose shmangie të ndonjë dokumenti tjetër, edhe pse në njoftim të Prokurorisë thuhet se s’ka deklaruar në ATK referencat ose kontratat. Por ky është një njoftim qesharak sepse as referencat dhe as kontratat nuk deklarohen në ATK, veç faturat e shitjes dhe blerjes”.

    Megjithatë, Gjykata Themelore e Prishtinës ka udhëruar lirimin e Sefçet dhe Anil Damkës, familjarëve të Fikrim Damkës, ministrit të Zhvillimit Rajonal, vetëm një ditë pas arrestimit të tyre – që ndodhi më 12 maj.

    Themelorja e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim të Damkajve, dhe ka detyruar Drejtorinë për hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupcionit që “të lirohen menjëherë më datë 13.05.2022” të pandehurit Sefçet dhe Anil Damka, shkruan në vendimin e Gjykatës të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi.

    Lirimi i tyre sipas Themelores së Prishtinës ka ndodh në mungesë të provave./Gazeta Insajderi/

    Lexo edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark