Pas raportimit të Insajderit për keqpërdorimin e veturës zyrtare të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci nga ana e familjarit të shoferit të tij, i njëjti tashmë është larguar nga vendi i punës. Rrjedhimisht, Zenel Zenelit i është shkëputur kontrata e punës me Ministrinë e Mbrojtjes.
Nga kjo ministri kanë deklaruar se as vet shoferi nuk kishte qenë në dijeni që vetura ishte keqpërdorur nga familjari i tij.
Sidoqoftë, zëdhënësja e ministrisë, Liridona Gashi konfirmoi largimin e tij nga puna duke thënë se vet ai ka ofruar dorëheqjen.
“Pas njoftimit me rastin, Zenel Zeneli, shoferi i ministrit Maqedonci i cili ka qenë përgjegjës për automjetin Audi ka ofruar dorëheqje. Meqenëse ka ndodhur keqpërdorimi pavarësisht se jo me dijeninë e Zenel Zenelit i cili në ditën kur ka ndodhur rasti ka qenë jashtë vendit, veprimi i familjarit të tij nuk mund të arsyetohet andaj dhe dorëheqja është pranuar. Nga data 07.02.2024, të njejtit i është shkëputur marrëdhënia e punës në Ministrinë e Mbrojtjes“, ka thënë ajo për Insajderin.
Insajderi të hënën ka provuar të marrë një koment nga vet ministrit, por i njëjti kishte refuzuar të jepte përgjigje.
Gazeta Insajderi solli detajet e këtij rasti të abuzimit me veturën zyrtare të ministrit Maqedonci.
Vetura e ministrit Maqedonci është ndaluar në janar të këtij viti nga Policia e Kosovës. Vozitej në kundërshtim me rregullat e komunikacionit.
Në veturën e tipit “Audi A7”, Policia e Kosovës, në fshatin Bardhosh ndaloi një person i cili ishte duke e vozitur veturën e ministrit, pa autorizim.
Personi që e kishte marrë veturën për “xhiro” duke shkelur rregullat edhe të trafikut është Skender Zeneli. Ai është vëllai i Zenel Zenelit, truprojës së ministrit Maqedonci.
/Insajderi