Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Prishtinën, Hajrulla Çeku, ka reaguar pas publikimit të rezultateve zgjedhore në këtë komunë.
Çeku me anë të një postimi në ‘Facebook’ i ka uruar fitoren Përparim Ramës së LDK’së duke uruar që ta largojë kryeqytetin nga “kaosi në të cilin është futur”, shkruan Insajderi.
“Faleminderit nga zemra për çdo votë dhe për çdo përpjekje që keni bërë për ndryshimin që e besuam bashkë. Jemi shumë, dhe kjo më jep forcë e besim për të ardhmen e Prishtinës. Kjo garë tregoi se sa shumë njerëz e duan një Prishtinë më të mirë. E uroj z. Rama për fitoren dhe i uroj me zemër kryeqytetit tonë, Prishtinës, që përnjëmend të dalë nga kaosi në të cilin është futur”, ka deklaruar ndër të tjera Çeku.
Ai ka thënë se si LVV do të sigurohen që të bëjnë opozitë në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
“Unë do të vazhdoj të jem në shërbim të Prishtinës, me të njëjtin përkushtim dhe dashuri, për këtë qytet që të gjithë e quajmë shtëpi”, ka thënë ndër të tjera Çeku. /Insajderi.org/