Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës që nga 28 shkurti është pa Bord. Si pasojë e kësaj humbjet kanë qenë milionëshe.
Gazeta Insajderi
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se bartës kryesor për shpalljen dhe inicimin e procesit për përzgjedhjen e Bordit Drejtues të Trustit janë Fondi Pensional i Kosovës dhe Banka Qendrore e Kosovës, respektivisht Guvernatori si kryesues i komisionit përzgjedhës.
“Auditorja e Përgjithshme ka gatishmërinë për të bashkërenduar të gjitha aktivitetet me të gjitha palët e përfshira në proces”, këtë përgjigje ka dhënë Zyra e Spancës, dhjetë ditë pasi Gazeta Insajderi e ka pyetur mbi mungesën e Bordit të Trustit.
Kjo përgjigje e saj ka ardhur disa ditë pasi Zyra për Media e BQK-së ka thënë se Feim Mehmeti e ka kryer punën e tij që i takon sipas Ligjit, por ende nuk ka marrë përgjigje.
“Ju informoj se bazuar në kërkesat ligjore, gjatë vitit 2022, përkatësisht më 14 mars 2022 dhe më 24 tetor 2022; si dhe më 5 janar 2023, Guvernatori Mehmeti ka bërë kërkesë drejtuar Ministrit të Financave dhe Auditorit të Përgjithshëm lidhur me procesin për anëtarët e Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës”, thotë përgjigja e BQK-së për Gazetën Insajderi.
“Megjithatë, deri më tani, Guvernatori Mehmeti nuk ka marrë asnjë përgjigje nga institucionet përkatëse lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarët e Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës”, vazhdon sqarimi i BQK-së për Gazetën Insajderi.
Ndryshe, që nga dje Mehmeti nuk është më Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës. Tash në krye BQK-së do të jetë Bashkim Nurboja.
Se gjithçka ka mbetur në dorë të BQK-së, Ministrisë së Financave dhe Auditores së Përgjithshme e ka konfirmuar edhe Jeton Demi, zëdhënësi i Trustit të Kosovës.
“Duam të sqarojmë i se FKPK-ja i ka kryer të gjitha detyrat me kohë, duke e njoftuar disa herë Komisionin Përzgjedhës (ku bëjnë Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ministri i Financave dhe Auditori i Përgjithshëm) për afatet e skadimit të mandatit të Bordit Drejtues të FKPK-së”, thuhet në përgjigjen e Demit për Gazetën Insajderi.
Ai ka sqaruar FKPK-ja, sipas kërkesës se Komisionit, e ka shpallur konkursin për anëtarë të Bordit Drejtues dhe pas mbarimi të konkursit i gjithë dokumentacioni për kandidatët është dorëzuar në BQK.
Konkursi për emrat e Bordit të ri ishte shpallur para tre muajve më 02.12.2022, por deri më tani asnjë veprim nuk është ndërmarrë.
Mandati i anëtarëve të Bordit të Trustit Pensional ka mbaruar më 30.11.2022, por ishte zgjatur edhe për tre muaj, për të përfunduar më 28 shkurt të këtij viti.
Trusti: Institucioni është në gjendje të vështirë, humbjet janë milionëshe
Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës është deklaruar për humbjen e kursimeve të qytetarëve të Kosovës.
Në një përgjigje për Gazetën Insajderi ky institucion ka thënë se “nuk mund të themi që mjetet e FKPK-së si tërësi janë të rrezikuara, por gjithsesi institucioni është në gjendje të vështirë pa organin kryesor [v.j. Bordin] vendimmarrës sipas legjislacionit në fuqi”.
Mandati i anëtarëve të Bordit të Trustit Pensional ka mbaruar më 30.11.2022, por ishte zgjatur edhe për tre muaj.
Konkursi ishte shpallur para tre muajve më 02.12.2022, por deri më tani asnjë veprim nuk është ndërmarrë, shkruan Gazeta Insajderi.
Jeton Demi, zëdhënësi i Trustit, ka thënë se janë duke i ndjekur diskutimet publike për gjendjen e investimeve, dhe ka zbuluar për Gazetën Insajderi humbjet që ky institucion i ka pasur këto ditë, duke sqaruar se mjetet nën menaxhim trajtohen në dy portofole investuese: 1. Portofolin Standard (ku përfshihen të gjithë kontribuuesit deri në moshën 63 vjeçare); 2. Portofolin Konservativ (ku përfshihen të gjithë kontribuuesit e moshës 63 vjeçare e më shumë).
“Mjetet e kontribuuesve të Portofolit Standard kanë në përbërje investimet që kanë kthim potencial dhe risk më të lartë, andaj edhe kanë luhatshmëri më të lartë. Për shkak të situatës së krijuar në tregjet financiare prej 10 marsit e deri më 17 mars 2023, ku disa banka të rëndësishme për ekonominë globale shfaqen vështirësi financiare duke afektuar tregjet globale, investimet e FKPK-së të Portofolit Standard po ashtu janë përballuar me luhatje të forta. Kjo bëri që i gjithë kthimi pozitiv nga investimet në muajt janar e shkurt 2023 të zhvlerësohet dhe për periudhën 1 janar 2023 e deri më 20 mars 2023 (për datën e fundit që i kemi të dhënat në dispozicion) Portofoli Standard e ka një rënie prej -1.5% ose një kthim bruto prej rreth -36 milionë euro”, thotë Demi për Gazetën Insajderi.
“Ndërsa për të njëjtën periudhë, Portofoli Konservativ ka një kthim pozitiv prej rreth +0.7% ose rreth 800 mijë euro, kjo meqë investimet e këtij portofoli janë në instrumente me kthim potencial dhe risk ndjeshëm më të ulët. Ky është edhe portofol nga i cili pensionohen kontribuuesit e moshës 63 vjeçare e lartë, te cilët nuk prekën nga luhatjet në tregjet financiare dhe edhe në këto kushte kanë kthim pozitiv për vitin 2023. Kjo është edhe kategoria më e ndjeshme në këso situata, dhe kjo zgjidhje ka dhënë efekt shumë të kënaqshëm”, ka sqaruar ai për Gazetën Insajderi.
Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, i njohur edhe si Trusti, mbledh mjetet e kontribut-paguesve kosovarë.
Shuma e tij arrin në gati 2.3 miliardë euro, por, aktualisht, është më e vogël.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, rënia në vlerë ka ndodhur gjatë muajve të fundit, për shkak të zhvillimeve gjeopolitike, përfshirë luftën në Ukrainë, krizën energjetike dhe inflacionin dyshifror. Të gjitha këto kanë shkaktuar çrregullime në tregjet ndërkombëtare, shkrun Gazeta Insajderi.
Me ligjet në Kosovë, 70 për qind e mjeteve të Trustit janë të investuara në tregjet financiare ndërkombëtare në periudha afatgjate, me qëllim që t’u rritet vlera, ndërsa 30 për qind investohen në letrat me vlerë në Kosovë.
Të gjithë të punësuarit në Kosovë janë të obliguar të paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre: 5 për qind i paguan punëdhënësi, kurse 5 për qind ndahen nga paga e të punësuarit.
Kursimet pensionale mund të përdoren nga kontribuuesi vetëm pasi t’i përmbushë kushtet për pensionim, përkatësisht arritjen e moshës 65-vjeçare, shkruan Gazeta Insajderi.