×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Humbjet milionëshe – këta zyrtarë të shtetit e lanë Trustin pa Bord

    Insajderi
    22 March 2023 - 15:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës që nga 28 shkurti është pa Bord. Si pasojë e kësaj humbjet kanë qenë milionëshe. Përgjegjësit ende s’e kanë thënë asnjë fjalë për rastin.

    Gazeta Insajderi

    Fehmi Mehmeti, Guvernatori në detyrë i Bankës Qendrore të Kosovës së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Muratin dhe Auditoren e Shtetit, Vlora Spancën, e kanë lënë Fondin e Kursimeve Pensionale pa Bord funksional.

    Se gjithçka ka mbetur në dorë të këtyre institucioneve të shtetit e ka konfirmuar edhe Jeton Demi, zëdhënësi i Trustit të Kosovës.

    “Duam të sqarojmë i se FKPK-ja i ka kryer të gjitha detyrat me kohë, duke e njoftuar disa herë Komisionin Përzgjedhës (ku bëjnë Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ministri i Financave dhe Auditori i Përgjithshëm) për afatet e skadimit të mandatit të Bordit Drejtues të FKPK-së”, thuhet në përgjigjen e Demit për Gazetën Insajderi.

    Ai ka sqaruar FKPK-ja, sipas kërkesës se Komisionit, e ka shpallur konkursin për anëtarë të Bordit Drejtues dhe pas mbarimi të konkursit i gjithë dokumentacioni për kandidatët është dorëzuar në BQK.

    Konkursi për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Bordit të Trustit ishte shpallur para tre muajve më 02.12.2022, por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim.

    Gazeta Insajderi i ka pyetur Bankën Qendrore të Kosovës, Ministrinë e Financave dhe Auditoren e Përgjithshme, përse ende nuk kanë vendosur për emrat e rinj të Bordit të FKPK, por asnjëra nga këto dikastere të shtetit ende nuk ka kthyer përgjigje.

    Se ende nuk e ka asnjë informatë mbi këtë proces e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, edhe ish-anëtari i Bordit, Driton Qehaja, i cili ka aplikuar edhe për një mandat të ri në Trust.

    “Po, kam apliku. Jo, ende nuk kam asnjë informatë sepse bartësi kryesor i intervistave të këtij procesi është Guvernatori me ndihmën e Ministrisë së Financave dhe Auditorin Gjeneral. Por, Banka Qendrore nuk ka Guvernator, pritet një herë besoj me u bë Guvernatori dhe pastaj me vazhdu procesi”, ka thënë tutje Qehaja për Gazetën Insajderi.

    Si pasojë e kësaj, mjetet e Trustit kanë pësuar humbje milionëshe vetëm në ditët e fundit, shkruan Gazeta Insajderi.

    Në një përgjigje për Gazetën Insajderi ky institucion ka thënë se “nuk mund të themi që mjetet e FKPK-së si tërësi janë të rrezikuara, por gjithsesi institucioni është në gjendje të vështirë pa organin kryesor [v.j. Bordin] vendimmarrës sipas legjislacionit në fuqi”.

    Jeton Demi, zëdhënësi i Trustit, ka thënë se janë duke i ndjekur diskutimet publike për gjendjen e investimeve, dhe ka zbuluar për Gazetën Insajderi humbjet që ky institucion i ka pasur këto ditë, duke sqaruar se mjetet nën menaxhim trajtohen në dy portofole investuese: 1. Portofolin Standard (ku përfshihen të gjithë kontribuuesit deri në moshën 63 vjeçare)2. Portofolin Konservativ (ku përfshihen të gjithë kontribuuesit e moshës 63 vjeçare e më shumë).

    “Mjetet e kontribuuesve të Portofolit Standard kanë në përbërje investimet që kanë kthim potencial dhe risk më të lartë, andaj edhe kanë luhatshmëri më të lartë. Për shkak të situatës së krijuar në tregjet financiare prej 10 marsit e deri më 17 mars 2023, ku disa banka të rëndësishme për ekonominë globale shfaqen vështirësi financiare duke afektuar tregjet globale, investimet e FKPK-së të Portofolit Standard po ashtu janë përballuar me luhatje të forta. Kjo bëri që i gjithë kthimi pozitiv nga investimet në muajt janar e shkurt 2023 të zhvlerësohet dhe për periudhën 1 janar 2023 e deri më 20 mars 2023 (për datën e fundit që i kemi të dhënat në dispozicion) Portofoli Standard e ka një rënie prej -1.5% ose një kthim bruto prej rreth -36 milionë euro”, thotë Demi për Gazetën Insajderi.

    “Ndërsa për të njëjtën periudhë, Portofoli Konservativ ka një kthim pozitiv prej rreth +0.7% ose rreth 800 mijë euro, kjo meqë investimet e këtij portofoli janë në instrumente me kthim potencial dhe risk ndjeshëm më të ulët. Ky është edhe portofol nga i cili pensionohen kontribuuesit e moshës 63 vjeçare e lartë, te cilët nuk prekën nga luhatjet në tregjet financiare dhe edhe në këto kushte kanë kthim pozitiv për vitin 2023. Kjo është edhe kategoria më e ndjeshme në këso situata, dhe kjo zgjidhje ka dhënë efekt shumë të kënaqshëm”, ka sqaruar ai për Gazetën Insajderi.

    Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, i njohur edhe si Trusti, mbledh mjetet e kontribut-paguesve kosovarë.

    Shuma e tij arrin në gati 2.3 miliardë euro, por, aktualisht, është më e vogël.

    Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, rënia në vlerë ka ndodhur gjatë muajve të fundit, për shkak të zhvillimeve gjeopolitike, përfshirë luftën në Ukrainë, krizën energjetike dhe inflacionin dyshifror. Të gjitha këto kanë shkaktuar çrregullime në tregjet ndërkombëtare, shkrun Gazeta Insajderi.

    Me ligjet në Kosovë, 70 për qind e mjeteve të Trustit janë të investuara në tregjet financiare ndërkombëtare në periudha afatgjate, me qëllim që t’u rritet vlera, ndërsa 30 për qind investohen në letrat me vlerë në Kosovë.

    Të gjithë të punësuarit në Kosovë janë të obliguar të paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre: 5 për qind i paguan punëdhënësi, kurse 5 për qind ndahen nga paga e të punësuarit.

    Kursimet pensionale mund të përdoren nga kontribuuesi vetëm pasi t’i përmbushë kushtet për pensionim, përkatësisht arritjen e moshës 65-vjeçare, shkruan Gazeta Insajderi.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark