Drejtori i së ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka marrë pjesë në hapjen e një pompe të benzinës në pjesën veriore të Kosovës, pavarësisht vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’ia ndaluar hyrjen në Kosovë.
Lidhur me vizitën e tij, ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, që i ka dërguar notë proteste Bashkimit Evropian.
Përmes një komunikate për media, MPJ ka zbuluar edhe mënyrën se si Gjuriq arriti të futej në Kosovë.
“Hyrja ilegale në Kosovë është kundër marrëveshjes për vizitat e ndërsjella të arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat duhet të aprovohen apo ndalohen nga institucionet e të dyja shteteve të paktën 24 orë më herët. Kjo sjellje është kundër frymës së dialogut dhe bashkëpunimit rajonal”, thuhet në një reagim të MPJ-së.
“Kjo përpjekje e tij, i cili u kontrabandua në Kosovë duke u maskuar në një autoambulancë flet për qasjen dëshpëruese që ka vendosur ta ndjek në karrierën politike”. /Insajderi.com