Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka thënë se Policia e Kosovës është shquar për gatishmërinë për të qenë gardian i sigurisë së qytetarëve.
“Askush nuk mund ta marrë ligjin në duart e veta përveç institucioneve të ligjit”, ka thënë ministri Hyseni gjatë fjalimit të tij për konferencën e vitit të Policisë së Kosovës.
Hyseni ka shtuar po ashtu se ka pasur edhe të meta të vogla të policisë. Sipas tij, polic të caktuar shpesh nuk kanë qenë në nivel detyre, e që kanë tentuar ta prishin imazhin e Policisë së Kosovës. Por ministri tha se policia është kujdesur që këto raste t’i izolojë.
“Ka pas ndonjë të metë aty-këtu. Ka pasur edhe pjesëtar që nuk kanë qenë në nivel detyre. Dhe policia është ajo që është kujdesur që të mos ketë polic që e prishin imazhin e saj”, ka thënë ministri Hyseni.
Ai ka përmendur raportin e Transparency International, e cila e kishte shpallur Policinë e Kosovës si më profesionalen dhe më të besueshmen në rajon.
“Mbetemi të përkushtuar që të mos lejojmë askënd që ta marrë ligjin në duart e veta. Në atë vend ku lejohet anarkia, atij vendi i rrezikohet e ardhmja”, ka shtuar ai.
“Keni bërë punë të shkëlqyeshme kundër terrorizmit dhe kundër krimit. Shpresoj që vitin tjetër të keni më pak punë dhe të keni më shumë kohë për veten”, ministri u është drejtuar policëve.
Kurse drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka thënë se ndihet krenar që punojnë në një profesion kaq fisnik.
“Jemi te vetëdijshëm që puna jonë ka edhe përgjegjësi”, ka thënë Maxhuni.
Ai ka thënë se janë të gatshëm të ballafaqohen më të gjitha sfidat që u dalin përpara. Maxhuni po ashtu ka falënderuar të gjithë partnerët vendorë e ndërkombëtarë, pa të cilët tha se puna e tyre do të ishte shumë e vështirë./Insajderi.com