×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    I arrestuar për trafikim droge dhe përleshje në BKS – cilat janë lidhjet e Enis Qerkës me Gani Thaçin?

    Insajderi
    06 October 2020 - 12:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Pakkush kishte dëgjuar për Enis Qerkën para tetorit të vitit 2018.

    Por, në dy muajt pasardhës shoferi i Gani Thaçit, vëllait të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, ishte përfshirë në dy skandale mediatike.

    Herën e parë, më 24 tetor të 2018-s, e kishte ndihmuar shefin e tij ndaj një sulmi që dyshohet ta kishin kryer ndaj Gianni Sokoliçit, ish-udhëheqësit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS).

    Për këtë akt, Enis Qerka dhe Gani Thaçi ishin ndaluar nga Policia e Kosovës. Ndaj tyre ishte hapur rast për “sulm fizik”. Madje këtë e kishte konfirmuar prokurori Ibrahim Berisha.

    “Të dyshuarit janë Gani Thaçi dhe shoferi i tij. I dëmtuar është z. Blerim Pushkolli. Rasti është inicuar si sulm. Ende nuk është marrë vendim për paraburgim”, kishte thënë Berisha. 

    Ata ishin liruar në procedurë të rregullt dhe nuk u ndoqën penalisht nga Prokuroria.

    Disa javë më vonë, Enis Qerka kishte rënë sërish nën llupën e organeve të rendit. Ishte arrestuar më 8 dhjetor të atij viti nga Policia e Kosovës në vend-kalimin kufitar në Han të Elezit.

    Qerka ndodhej në një veturë me të cilën besohet se transportohej drogë nga shtetasi turk Nejdet Cesuroglu, në banesën e të cilit ishin gjetur 113 kilogramë heroinë dhe Iskender Sale.

    Dyshimet për lidhjet e Enis Qerkës me trafikantët turq të drogës

    Një hulumtim i Gazetës Insajderi, i publikuar në dhjetor të vitit të kaluar, hodhi dritë mbi lidhjet e Çerkës me Nejdet Cesuroglun dhe grup e dyshuar kriminal të tij.

    Në momentin që shtetasi turk, Nejdet Cesuroglu ishte gjetur i vdekur, dhe policia kishte zbuluar se në banesën e tij ndodheshin 113 kilogramë heroinë, Labinot Zenelaj, i shoqëruar me persona tjerë kishte shkuar në garazhin e banesës dhe kishte marrë veturën BMW, me qëllim të largimit të saj nga Kosova.

    Vetura ishte marrë në kohën kur Policia e Kosovës po kryente bastisje në banesën e tashmë të ndjerit, Nejdet Cesuroglu. Kësisoj, ata kishin larguar një nga provat e krimit.

    Dhjetë ditë më vonë e njëjta veturë ishte ndalur nga Policia kufitare e Kosovës në Han të Elezit.

    Në të ndodhej Enis Çerka, së bashku me Labinot Zenelin, Selim Çerkën dhe Gent Selacin, polic i Kosovës në stacionin policor Qendër në Prishtinë. Të gjithë ishin arrestuar dhe paraburgosur nën dyshimin për përfshirje në dhënien e ndihmës trafikantëve turq të drogës.

    Por, përveç se Enis e Selim Çerka dhe Gent Selaci ishin liruar nga paraburgimi, ata edhe i kishin shpëtuar aktakuzës. Nuk ishin ndjekur penalisht nga organi i akuzës.

    Aktakuzë për këtë rast është ngritur ndaj personave të tjerë të dyshuar për përfshirje në grupin e personave të arrestuar nën dyshimin për kontrabandë me drogë.

    Prokuroria po akuzon Xhemail Shalën, Sadik Shalën, Iskender Salen, Alban Gashin dhe Labinot Zenelajn për rastin.

    Emërimi dhe shkarkimi i Qerkës nga Ministri Selimi

    Përmendja për herë të tretë e Enis Qerkës në publik, shkaktoi një tjetër skandal mediatik.

    Kur kaluan dy vjet nga arrestimet për përleshjen në Byronë Kosovare të Sigurimeve dhe dyshimet për përfshirjen në trafikim droge, Qerka u shpërblye me pozitë në qeveri.

    Ai u emërua këshilltar i jashtëm politik i Selim Selimit, ministrit të Drejtësisë në Qeverinë Hoti, në tetorin e 2020-s.

    Vendimi për emërimin e tij në stafin e ministrit Selimi nuk u publikua në uebfaqen e Ministrisë së Drejtësisë, siç ndodh rëndom me vendimet për emërimin e stafit të ministrit.

    Por, hedhja në dritë e këtij skandali nga mediat të martën e 6 tetorit, e shtynë shefin aktual të Ministrisë së Drejtësisë të bënte një hap prapa lidhur me Qerkën.

    Ministri Selimi, në një njoftim të shkurtër e të zbehtë, bëri të ditur sot ta ketë liruar nga detyra Enis Qerkën.

    “Sot në mëngjes pas raportimit të mediave, kam liruar nga detyra Enis Qerkën”, ka thënë Selimi përmes një shkrimi në Facebook.

    Prapa veprimtarisë si shofer i Gani Thaçit, ish-drejtorit të BKS-së, dhe punës së shkurtës si këshilltar politik i ministrit Selimi, Enis Qerka prej vitit 2016 merret edhe me biznes.

    Bazuar në të dhënat publike në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), ai figuron aksionar në dy kompani tregtare.

    “EA – Group”, në të cilën Enis Qerka posedon 50 për qind të aksioneve, është një kompani që ndërmjetëson në shitje të karburantit, mineraleve dhe kimikateve industriale.

    Një kompani tjetër, në të cilën ai figuron bashkë-aksionar, merret me aktivitete të inxhinierisë.

    Ndërkaq, Selim Qerka, vëllai i Enisit, është ortak në biznes me Albrim Thaçin, djalin e Nijazi Thaçit, kushëririt të Presidentit Thaçi i cili është drejtor në KEK. Ata udhëheqin një biznes gastronomie në qendër të Prishtinës. /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark