Gazeta Insajderi merr vesh se Gjykata në Prizren ka refuzuar kërkesën për paraburgim ndaj Bashkim Shaqirit.
Në vend të kësaj, Gjykata ka vendosur lajmërimin në stacion policor si masë alternative.
Këtë për Insajderin e ka konfirmuar Majlinda Sadikaj, avokate e tij.
Siç bëri të ditur prokuroria në njoftim, “të mërkurën në orët e hershme të mëngjesit ka ndërmarrë një aksion në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, dhe në disa lokacione te tjera, ku janë ndaluar për 48 orë pesë (5) persona me inicialet A.B., N.K., A.Q., B.SH., dhe M.B”.
“Të dyshuarit, dyshohen se në bashkëkryerje, kanë kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i Detyrës apo Autoritetit Zyrtar’’, nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, veprën penale ‘’Falsifikimi i Dokumentit’’ nga neni 390 të KPRK-së, si dhe veprën penale ‘’Legalizimi i përmbajtjes së rreme’’ sipas nenit 395 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
“Sipas Prokurorisë, dy nga të dyshuarit kanë përdorur një kontratë të falsifikuar të vitit 1966 për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme pronë. Një zyrtar i Gjykatës Themelore në Prishtinë dyshohet se ka krijuar dokumente fiktive për të mundësuar legalizimin e saj, ndërsa dy zyrtarë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat duke aprovuar regjistrimin e pronës në mënyrë të paligjshme”, vijon njoftimi. /Insajderi.org/