Njëri nga të arrestuarit për krijimin e një laboratori të drogës në kryeqytet e që u shkatërrua nga Policia e Kosovë po del që ka edhe një biznes aktiv. Hasan Xhemajli është aksionar i një kompanie të pijeve me emrin “BED Group”. Sipas të dhënave në ARBK, del që pronar i kompanisë është Bedri Avdullahu ndërsa aksionar është i arrestuari për laboratorin e drogës, Hasan Xhemajli i njohur si “Viktor Bajçinca”.
Policia e Kosovës të dielën njoftoi për shkatërrimin e laboratorit të drogës në kryeqytet. Aty prodhoheshin substanca narkotike të llojit kokainë dhe heroinë.
Sipas ARBK’së kompania me emrin “BED Group”, është regjisturar në vitin 2017 dhe vazhdon të jetë aktive.
Sipas ARBK’së kjo kompani merret me tregti të pijeve.
Insajderi ka arritur të sigurojë dosjen që dëshmon se si të dyshuarit po kryenin punët për përpunimeve e dy llojeve të substancave narkotike.
Si funksiononte grupi që përpunonte kokainën dhe heroinën?
Siç kupton Insajderi, të arrestuarit për këtë rast janë: Hasan Xhemajli dhe Kadri Gashi.
Xhemajli dhe Gashi dyshohet se në bashkëkryerje kishin një objekt në afërsi të Fakultetit Teknik në Prishtinë të mbyllur me dru ku kishin mjetet e përpunimit të laboratorit të drogës.
“…Kanë hapur derën e hyrjes e cila ishte e mbyllur me dry, nga aty kanë filluar t’i nxjerrin mjetet e punës, pajisjet te cilat kanë shërbyer për procedura të punës në Laboratorin e drogës, ku fillimisht është vërejtur nga aty ata kanë nxjerrë një elektromotor apo Mikser të madh të cilin e kane futur ne automjetin Volksvagen Caddy, ngjyrë hiri e me pastaj kanë e vazhduar që nga lokali/ Laboratori të nxjerrin edhe pajisje tjera si Boce e madhe gazi si dhe pako me materie te dyshuar, ne këtë moment kane ndërhyrë hetuesit e SQHN-DHTN , duke i kapur ne flagrance të pandehurit Hasan Xhemajli dhe Kadri Gashi”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Të dyshuarit në bashkëkryerje dyshohet se kanë kryer veprën penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve. /Insajderi.org/