Albert Berisha ka kohë që ka përfunduar dënimin me 3 vite e gjysmë burgim për bashkëngjitje në organizata terroriste në Siri.
Ai është shfaqur në një debat televiziv ku u diskutua për fenë dhe shtetin.
I dënuari për terrorizëm, me vendim të formës së prerë të gjykatës, gjatë debatit në TV Dukagjini ka kërkuar që Kushtetuta e Kosovës të ndërrohet, pasi, sipas tij, është diskriminuese.
Madje, thotë se po i duket se po i jepet shumë rëndësi Kushtetutës, që është akti më i lartë juridik i shtetit të Kosovës.
“Këtë far kushtetutën tonë po më doket se e kemi bo ma tepër, tu i dhanë rendësi, ma tepër sesa vet konventa ndërkombëtare”, tha Berisha në Debat Plus.
“Nëse veç një fëmije i cenohet e drejta e shkollimit është shkelje e konventës ndërkombëtare”, thotë ai duke iu referuar diskutimit për ndalesën me udhëzim administrativ të bartjes së uniformave fetare në shkolla.
“Qikjo kushtetutë është diskriminuese, kjo kushtetutë duhet me u ndërru sa ma shpejt që është e mundur. Është diskriminuese në raport me shumicën shqiptare në Kosovë”, tha në debatin televiziv, ish i burgosuri për terrorizëm, duke e ndërlidhur me trajtimin e minoritetit serb në Kosovë.
Ai përmend edhe faktin se Kushtetuta e Kosovës nuk lejon mundësinë e referendumit, ndaj pyet se “a na keni vetë najherë a dojmë na me hy në BE” dhe “Çka nëse unë nuk du me hi në BE”.