
Polici Muhamed Lika u vra mbrëmjen e 1 prillit në hyrje të banesës së tij në Kaçanik, ndërkohë që i dyshuari për vrasjen e tij është ende në arrati.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, e konfirmoi lajmin për Insajderin, duke shtuar se motivet e krimit ende nuk janë të qarta.
“Jemi duke punuar intensivisht, ende nuk ka diçka të re”, tha ai shkurt.
Incidenti dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 23:00, në rrugën “Idriz Seferi”, në afërsi të banesës së viktimës.
Autoritetet policore kanë konfirmuar se Lika u qëllua teksa po hynte në ndërtesën ku banonte.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë policore dhe ekipi i emergjencës, të cilët e transportuan viktimën në Qendrën e Mjekësisë në Kaçanik, por pavarësisht përpjekjeve për t’i dhënë ndihmë, ai nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra.
“Si pasojë e plagëve të marra, pjesëtari i policisë ka ndërruar jetë, gjë që është konstatuar nga mjekët në këtë qendër”, ka deklaruar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt.