
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së martës qytetin e Kaçanikut, ku rreshteri i Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, u qëllua për vdekje me armë zjarri, raporton Insajderi
Incidenti dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 23:00, në rrugën “Idriz Seferi”, në afërsi të banesës së viktimës. Autoritetet policore kanë konfirmuar se Lika u qëllua teksa po hynte në ndërtesën ku banonte.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë policore dhe ekipi i emergjencës, të cilët e transportuan viktimën në Qendrën e Mjekësisë në Kaçanik, por pavarësisht përpjekjeve për t’i dhënë ndihmë, ai nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra.
“Si pasojë e plagëve të marra, pjesëtari i policisë ka ndërruar jetë, gjë që është konstatuar nga mjekët në këtë qendër”, ka deklaruar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, ndërsa ende nuk ka informacione lidhur me të dyshuarit apo motivet e mundshme të këtij akti.