×
Analiza

I përfshirë në incidentin e ‘HangOver’ e i kapur me armë, si po e favorizon Prokuroria e Gjakovës ish-policin Shala

Insajderi
26 July 2022 - 14:39
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Ish-polici Brahim Shala po vazhdon të favorizohet nga Prokuroria e Gjakovës. Si shef i sigurimit në klubin e natës “HangOver”, Shala u kap duke e rrahur brutalisht njërin prej klientëve, vetëm disa ditë më pas atij iu kapen edhe dy armë pa leje. Pushkë mitraloz dhe një pushkë automatike AK47. Pavarësisht veprave penale ish-polici Brahim Shala po vazhdon të amnistohet nga organet e drejtësisë në vend. Insajderi ju sjell detajet e të dyja rasteve.

Rrahja brutale në klubin e natës ndodhi të premten e 8 korrikut. Në krye të saj qëndronte shefi i sigurimit të klubit, ish-polici, Brahim Shala.

Ndonëse nga pamjet shihet se Shala e sulmon fizikisht viktimën M.M teksa ai ndodhet i shtrirë në tokë. Policia e Kosovës arrestoi katër persona; Fitim Gashajn, Artan Shehun, Majlind Alijajn e Herolind Hajdaran por nuk u mor me ish-policin, Brahim Shala.

I njëjti pasi është intervistuar nga policia është liruar menjëherë.

Çka deklaroi Brahim Shala në Polici?

Ish-polici Shala konfirmoi se punon si sigurim në “HangOver”, që e ka shkuar pranë viktimës M.M, dhe se ka ndërhyrë për t’i ndarë e jo rrahur të njëjtin. Deklaratë që bie në kundërshtim me të viktimës e pamjeve që ka siguruar Insajderi.

Viktima në kallëzimin penale që ka siguruar Insajderi, ka deklaruar se është kapur nga fyti nga Brahim Shala.

Derisa kam qenë në diskotekën “HangOver” ku unë edhe punojë si sigurim dikush nga kolegët na ka njoftuar se një person është duke i bezdisur nëpër tavolina, për shkak të moshës sime kam menduar të shkojë që ta qetësoj atë person, kur kam shkuar e kam vërejtur se M.M, duke u kacafytur me Sigurimin, kanë filluar duke u përleshur mes vete, unë kam ndërhyrë për t’i ndarë nëse ka ndonjë kamerë sigurie mund ti shihni qartë veprimet e mija pasi që unë për asnjë moment se kam goditur vetëm e kam mbrojtur dhe e kam tentuar qe ta qetësoj situatën”, ka deklaruar ai përcjell Insajderi.

Pavarësisht kësaj organet e rendit e kanë iniciuar rastin si “lëndim i lehtë trupor”.

Vetëm 8 ditë më pas më 15 korrik, Brahim Shala arrestohet nga Policia e Kosovës për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Atij i konfiskohen nga policia një pushkë mitraloz dhe një pushkë automatike AK47 me dy karikator.

Në njoftimin zyrtar të lëshuar nga Policia e Kosovës potencohet se Brahim Shala pas procedurës policore është liruar.

“Me datën 15.07.2022 rreth orës 11:30, Sektori Rajonal për Hetime në Drejtorinë Rajonale në Gjakovë kishte pranuar informacion se i dyshuar B.Sh. i lindur në vitin 1965, shtetas i Republikës së Kosovës, në vendbanimin e tij posedonte armë në mënyrë të paautorizuar”.

“Pas një aktiviteti operativ dhe hetimor nga Sektori Rajonal për Hetime është arritur që i dyshuari të arrestohet mbi dyshimin e arsyeshëm për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve me urdhër kontrollin e lëshuar nga Gjykata”.

“Urdhër kontrolli është realizuar në vendbanimin e të dyshuarit në fshatin Cermjan-Gjakovë, me ç‘rast është sekuestruar një pushkë mitraloz dhe një pushkë automatike AK47 me dy karikator. Me vendim të Prokurorit të Shtetit pas përfundimit të procedurave policore, personi i arrestuar është liruar, ndërsa rasti vazhdon me hetime në procedurë të rregullt”, thuhet në vendim.

Gazeta Insajderi për të dyja rastet ku është i përfshirë ish-polici, Brahim Shala ka kërkuar përgjigje nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, për të njëjtit nuk kanë dhënë asnjë koment.

Lexo edhe:

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark