Raportimet mediale të cilat kanë paraljmëruar largimin e Hamdi Ibrahimit nga posti i kryetarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, për vet Ibrahimin, nuk janë asgjë më shumë sesa pohime të njerëzve që ai u quan “të përfshirë në krim”.
“Nuk është hera e parë që kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka dëgjuar për ‘largimin’ e tij nga pozita që tani e mban. Është dëgjuar kjo nga ata që kanë qenë apo janë dorë e zgjatur e krimit në Kosovë, apo janë të përfshirë edhe vet në krim”, ka Ibrahimi në një sqarim për opinionin.
Idenë për largimin e tij të mundshëm nga pozita e tanishme, e cilëson absolutisht në interes dhe shërbim të krimit në Kosovë.
“Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë Hamdi Ibrahimi as nuk ka prit e as nuk pret përkrahje nga njerëz që janë të përfshirë në krim. Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë nuk është zgjedh në këtë pozitë nga dora e krimit”, ka shkruar Ibrahimi.
Ai ka shtuar se “nëse në proceset që pritet të ndodhin në gjyqësorin e Kosovës fiton krimi, atëherë Hamdi Ibrahimi sigurisht se nuk do të jetë pjesë e këtij gjyqësori”./Insajderi.com