Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) gjatë monitorimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), ka gjetur se edhe gjatë muajit dhjetor të vitit 2016, të dy Këshillat gjatë ushtrimit të funksioneve dhe veprimtarive të tyre, kanë marrë vendime që bien në kundërshtim me ligjet bazike që rregullojnë sistemin prokurorial dhe vendime që ndërtojnë praktika të këqija lidhur me procesin e emërimit të Kryetarëve të Gjykatave apo Gjykatësve Mbikëqyrës.
“KPK më 2 dhjetor 2016 ka miratuar vendimin nr. 1485/2016, mbi vazhdimin e transferimit të përkohshëm të prokurorit Abdurrahim Islami. I njëjti Këshill më 27 maj 2016, kishte marrë vendim për transferim të përkohshëm të prokurorit Islami nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK)”, thuhet në reagimin e IKD-së.
“Paraprakisht, Kryeprokurori i Shtetit, z. Aleksandër Lumezi më 18 prill 2016, me Vendim kishte transferuar të njëjtin nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në PSRK, duke shfrytëzuar nenin 22 paragrafin 3 të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili në raste të jashtëzakonshme, i mundëson Kryeprokurorit të Shtetit përkohësisht të transferojë një prokuror në një prokurori tjetër. Transferim i ndërmarrë sipas kësaj dispozite nuk mund të tejkalojë tridhjetë (30) ditë përveç nëse Këshilli miraton një periudhë më të gjatë”, thuhet më tej në reagim.
IKD thotë se transferimi i prokurorit Islami sipas Vendimit të Kryeprokurorit të Shtetit kishte shkelur afatin ligjor prej 30 ditëve, ku me vendim të Kryeprokurorit të Shtetit, prokurori Islami ka qëndruar 44 ditë, respektivisht nga data 18 prill 2016 deri më 31 maj 2016.
“Vendimet e KPK-së të datës 27 maj 2016 dhe 2 dhjetor 2016, janë miratuar në kundërshtim me Ligjin për KPK-në dhe Rregulloren për Transferim dhe Avancim të Prokurorëve të Shtetit. Ligji për KPK-në në nenin 22 përcakton taksativisht se ndalon transferimin e të njëjtit prokuror në një prokurori tjetër për një periudhë kohore më të gjatë se gjashtë (6) muaj për një herë. Prokurori Islami, me dy vendime të KPK-së, tanimë i është vazhduar transferimi i përkohshëm në PSRK për herë të dytë”, vazhdon reagimi.
“Vendimet e KPK-së, po ashtu bien në kundërshtim edhe me nenin 2 të Rregullores për Transferimin dhe Avancimin e Prokurorëve të Shtetit, pasi që kalimi nga Prokuroria Themelore në Prishtinë si prokurori e nivelit më të ultë në PSRK si prokurori e specializuar dhe e nivelit më të lartë, konsiderohet avancim dhe jo transferim siç ka vendosur KPK me dy vendimet saj të muajit maj dhe dhjetor 2016. Sipas rregullave dhe procedurave të miratuara nga KPK, avancimi i prokurorëve duhet të kalojë vetëm përmes institutit të konkursit, që në rastin konkret ky parim është shkelur nga vetë KPK”, thuhet më tej.
Sipas IKD-së, Këshilli Gjyqësor i Kosovës më 8 dhjetor 2016, ka marrë vendim për miratimin e Rregullores Nr. 17/2016 për ndryshimin e Rregullores Nr. 14/2016, për plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores Nr. 09/2016 për Procedurat e Zgjedhjes, Emërimit, Vlerësimit, Pezullimit dhe Shkarkimit të Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës.
“KGJK përmes kësaj rregullore ka ndryshuar Procedurat e Zgjedhjes, Emërimit, Vlerësimit, Pezullimit dhe Shkarkimit te Kryetareve te Gjykatave dhe Gjyqtareve Mbikëqyrës. Sipas këtij Vendimi, iu është lejuar anëtarëve të Komisionit Vlerësues përveç të marrin pjesë në takimin e KGJK-së kur merret vendim për emërimin e Kryetarëve apo Gjykatësve Mbikëqyrës, të njëjtit të kenë edhe të drejtën për të votuar”, vlerëson IKD.
“KGJK tanimë e ka shndërruar në praktikë plotësimin dhe ndryshimin e rregullave dhe procedurave lidhur me procese të rëndësishme në sistemin gjyqësor. KGJK të njëjtën qasje e kishte zbatuar edhe gjatë procesit të emërimit të gjykatësve të rinj”, përfundon reagimi i IKD-së./Insajderi.com