Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar analizën e shkurtë me titull “Paligjshmëria e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial”, si rezultat i monitorimit të drejtpërdrejtë dhe sistematik të sistemit gjyqësor dhe sistemit prokurorial.
IKD thotë se analiza e shkurtë i referohet vendimeve të kundërligjshme dhe mungesës së legjitimitetit, të cilat, sipas saj, po rrezikojnë funksionimin e ligjshëm të dy Këshillave, duke krijuar pasiguri juridike edhe pasoja të mëdha për sistemin gjyqësor dhe sistemin prokurorial.
Ehat Miftaraj, hulumtues i lartë, tha se IKD gjatë procesit të monitorimit ka gjetur se Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) rreth gjashtë vjet pas funksionimit si institucione të pavarura me kompetencë dhe përgjegjësi për të administruar dhe menaxhuar sistemin gjyqësor dhe prokurorial, nuk po munden të gjejnë rrugën për të ushtruar veprimtarinë në pajtim me ligjin, praktikat dhe standardet ndërkombëtare që zbatohen në Kosovë.
“KPK vazhdon veprimtarinë me anëtar me mandat të skaduar, në mënyrë të kundërligjshme dhe pa legjitimitet, duke cenuar ligjshmërinë dhe sigurinë juridike të Këshillit. Ky Këshill gjatë kohës sa ka ushtruar mandatin në mënyrë të kundërligjshme anëtari Idain Smailji, ka zhvilluar procese të rëndësishme, si procesi i zgjedhjes së prokurorëve, zgjedhja e Kryeprokurorit të Apelit dhe Prokurorisë Speciale dhe një sërë vendimesh, të cilat mund të kontestohen për shkak të ushtrimit të kundërligjshëm të mandatit nga prokurori Smailji”, thuhet në vlerësimin e IKD-së.
Sa i përket vendimeve të KGjK-së, Miftaraj tha se praktika e ndryshimit të rregullave dhe kritereve gjatë procesit të konkursit nga KGjK është në kundërshtim me ligjin.
“Kjo dëshmon se politikë-bërja nga KGjK është mjaft e brishtë dhe për pasojë mund të shkaktojë huti, duke ngritur mëdyshje mbi paanshmërinë dhe besueshmërinë e të gjithë procesit të rekrutimit dhe emërimit të gjykatësve”, ka thënë Ehat Miftaraj.
Në vazhdim të konferencës, dy hulumtuesit Diana Berisha dhe Valdet Hajdini kanë elaboruar gjetjet e monitorimit të IKD-së për të dy Këshillat.
IKD thotë se gjetjet e tyre dëshmojnë se në kuadër të KPK-së ka anëtar të privilegjuar, që vazhdojnë mandatin kundërligjshëm edhe pasi që kanë ushtruar funksionin mbi pesë vite.
“Anëtari i KPK-së, Idain Smailji me vendim të KPK-së, A.nr. 05/11, me 15 shkurt 2011, ishte zgjedhur anëtar i KPK-së. Me kalimin në strukturën e re organizative të prokurorive, sipas Ligjit për Prokurorin e Shtetit nga 1 janari 2013, përbërja e re e KPK-së duhej të kishte edhe një anëtar nga Prokuroria e Apelit. Në këtë drejtim, KPK sipas propozimit të prokurorëve të Prokurorisë së Apelit, gjatë muajit dhjetor të vitit 2012, kishte vendosur që Idain Smailji të vazhdojë mandatin e tij si anëtar i KPK-së, por tani duke përfaqësuar Prokurorinë e Apelit”, ka thënë Diana Berisha, hulumtuese në IKD.
Berisha tha se në bazë të ligjit për KPK-në, Smailji ka pasur mandat deri më 15 shkurt 2016.
“Edhe përkundër kësaj, i njëjti ende vazhdon të shërbejë në KPK si anëtar, Zëvendës-Kryesues i KPK-së, Kryetar i Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve dhe deri vonë ka shërbyer edhe si Kryetar i Komisioni Disiplinor të KPK-së”, ka shtuar ajo.
Sipas saj, IKD-ja i ka rekomanduar KPK-së t’i adresojë këto paligjshmëri, të cilat e rrezikojnë funksionimin e KPK-së.
“IKD i rekomandon KPK-së që urgjentisht të trajtojë mandatin e prokurorit Idain Smailji, në rolin e anëtarit të KPK-së, duke kthyer ligjshmërinë dhe legjitimitetin në KPK. Rekomandojmë që KPK në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë të vlerësojnë ligjshmërinë e të gjitha vendimeve dhe politikave të miratuara nga KPK që nga 15 shkurti 2016. Gjithashtu, IKD kërkon të ndalet urgjentisht kultura e instaluar e pandëshkueshmërisë së zyrtarëve brenda sistemit prokurorial që për interesa të ngushta të dëmtojnë në veçanti imazhin e tërë sistemit prokurorial në Kosovë, dhe po ashtu sundimin e ligjit në përgjithësi”, thuhet në rekomandimet e IKD-së drejtuar KPK-së./Insajderi.com