Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se gjatë periudhës 16 prill – 15 qershor 2026 në Kosovë janë raportuar gjithsej 36 raste të konfirmuara me fruth.
Sipas të dhënave të publikuara nga IKShPK, numri më i madh i rasteve është regjistruar në Ferizaj me 10 raste, pasuar nga Prishtina me 8 raste dhe Kaçaniku me 6 raste. Ndërkaq, në Fushë Kosovë janë raportuar 3 raste, në Lipjan, Obiliq dhe Vushtrri nga 2 raste, si dhe nga një rast në Gjilan, Shtime dhe Deçan.
Instituti ka apeluar te qytetarët që në rast të shfaqjes së simptomave të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqiten sa më shpejt në institucionet shëndetësore.
Duke theksuar se fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse dhe me potencial të lartë për përhapje në komunitet, IKShPK u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë imunizimin e tyre sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit në qendrat e mjekësisë familjare.
Sipas IKShPK-së, vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e personave të pavaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik. /Insajderi.org/