Shkruan: Adnan Qaka
”Në vend që ta urrejmë Perëndimin, ne duhet të garojmë me të! (Pse të urrejmë?) Vallë, a nuk na urdhëroi Kur’ani pikërisht këtë gjë:’Garoni në vepra të mira…’ Me ndihmën e fesë dhe të shkencës mund ta arrijmë fuqinë që na nevojitet.”
(Alija Izetbegoviç)
Prej më shumë se një shekulli, në diskursin e një pjese të botës islame dhe asaj lindore, përsëritet narrativa se “Perëndimi është në rënie”, “është në krizë morale” apo “ka hyrë në fazën e fundit të dominimit”. Kjo tezë nuk është e re. Ajo është artikuluar në forma të ndryshme që nga fundi i shekullit XIX, është ushqyer gjatë Luftës së Ftohtë dhe vazhdon të riprodhohet edhe sot në forma ideologjike, fetare apo politike.
Megjithatë, realiteti historik dhe gjeopolitik tregon një tablo shumë më komplekse. Perëndimi ka kaluar kriza të thella – dy luftëra botërore, depresione ekonomike, trazira sociale, polarizime kulturore – por ka dëshmuar një aftësi të jashtëzakonshme për vetëkorrigjim institucional, për ripërtëritje ekonomike dhe për reformim politik. Sistemet që bazohen në institucione funksionale, ndarje pushtetesh, ekonomi të hapur, meritokraci dhe mekanizma kritikë të brendshëm kanë një kapacitet të lartë për rikuperim. Prandaj, rënia e një fuqie globale nuk është një proces linear dhe as romantik; ajo zakonisht shoqërohet me konflikte të mëdha, përplasje sistemike dhe transformime të dhunshme.
Edhe në kushtet e deindustrializimit relativ në disa sektorë, Perëndimi vazhdon të dominojë në shumë fusha kyçe: teknologji të avancuara, kërkim shkencor, universitete elitare, sistem financiar global, organizim institucional dhe ndikim kulturor. Në vend që ta analizojmë këtë realitet me qasje emocionale apo me retorikë apokaliptike, do të ishte më e dobishme të pyesnim: çfarë e bën një sistem të qëndrueshëm dhe pse ne nuk kemi arritur të ndërtojmë alternativa konkurruese?
Problemi themelor nuk është nëse Perëndimi do të bjerë një ditë – sepse çdo rend historik është i përkohshëm – por nëse ne jemi të përgatitur për të qenë faktor konstruktiv në rendin e ardhshëm global. Deri më tani, përgjigjja është e dhimbshme. Bota islame, me përjashtime të kufizuara, nuk ka arritur të ndërtojë institucione të forta, sisteme arsimore konkurruese, ekonomi inovative dhe kultura politike funksionale. Shpeshherë kemi preferuar narrativën e viktimizimit ndaj analizës kritike të vetes.
Që nga fundi i shekullit XVII, sidomos pas stagnimit të reformave strukturore në Perandorinë Osmane, hapësira islame ka hyrë në një cikël regresi institucional, shkencor dhe metodologjik. Faktorët e jashtëm – kolonializmi, imperializmat lindore e perëndimore, ndërhyrjet gjeopolitike – kanë pasur padyshim ndikim të madh. Por historia nuk lejon komoditetin e fajësimit të përhershëm të tjetrit. Shoqëritë që nuk reformojnë interpretimin e tyre fetar në raport me kohën, që nuk ndërtojnë sisteme meritokratike, që nuk luftojnë korrupsionin dhe nepotizmin, mbeten të bllokuara në cikle varësie.
Një nga simptomat më shqetësuese është instrumentalizimi i eskatologjisë dhe diskursit fetar për qëllime politike. Në vend që të projektojmë të ardhmen përmes planifikimit strategjik, investimit në dije dhe zhvillim teknologjik, një pjesë e elitave tona ushqen pritje “mesianike” dhe retorika të rënies së “tjetrit”. Kjo nuk është shenjë force, por e mungesës së projektit.
Nëse Perëndimi është në krizë morale – siç pretendohet shpesh – atëherë përgjigjja nuk duhet të jetë gëzimi për krizën e tij, por ndërtimi i një modeli më të mirë. Deri më sot, ne nuk kemi prodhuar një sistem alternativ që të garantojë liri, drejtësi, zhvillim shkencor dhe dinjitet njerëzor në shkallë globale. Përkundrazi, shumë nga shoqëritë tona vazhdojnë të përballen me autoritarizëm, mungesë transparence, kapje të institucioneve dhe polarizim ideologjik.
Pyetja thelbësore është kjo: a do të vazhdojmë të jetojmë me iluzionin e rënies së të tjerëve, apo do të ndërtojmë seriozisht ngritjen tonë?
Historia nuk shpërblen ata që presin rënien e rivalit; ajo favorizon ata që ndërtojnë me disiplinë, organizim, dije dhe vetëkritikë. Nëse nuk ndërmarrim reforma të thella fetare, shkencore, arsimore dhe institucionale, do të vazhdojmë të jemi konsumues të rendit global, jo arkitektë të tij.
Problemi nuk është rënia e Perëndimit. Problemi është stagnimi ynë. Dhe asnjë narrativë apokaliptike nuk mund ta zëvendësojë mungesën e reformës