×
  • Lajme
  • Insajderi

    InDoks sjell detaje ekskluzive nga Dosja voluminoze e 53 milionëshit për “Bechtel Enka-n”

    Insajderi
    27 February 2022 - 21:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special kundër ish-ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, ish-zyrtarit në ministrinë e Infrastrukturës Nebih Shatri dhe shefit të kabinetit të Pal Lekajt Eset Berisha.

    InDoks ka arritur të sigurojë dosjen e plotë. Një dosje voluminoze. Plotë 44 faqe.

    Lekaj dhe të tjerët po akuzohen se në mënyrë të kundërligjshme ia deponuan në xhirollogarinë e kompanisë amerikano-turke, ‘Bechtel – Enka” hiç më pak se sa 53 milionë euro për shtyrje afati.

    Kjo autostradë e shkurton kohën e udhëtimit Prishtinë-Shkup shumë. Por, shumë i kushtoi edhe buxhetit të shtetit. Ka kushtuar mbi 700 milionë euro, apo afro 100 milionë më shumë se sa që ishte proklamuar në fillimet e saj.

    Misterin e këtyre afro 100 milionë eurove ka filluar ta zbardhë Prokuroria Speciale.

    Por, çka thotë dosja e Prokurorisë për rastin e 53 milionëve, një kopje të së cilës e ka siguruar InDoks?

    Dy prokurorët që e kanë nënshkruar këtë dosje, Valdet Gashi e Atdhe Dema akuzojnë Pal Lekajn se në shtator 2017 si Ministër i Infrastrukturës  dhe si kryesues i Komitetit Ndërministror, Nebih Shatri, si sekretar  i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri – drejtor i Prokurimit, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i kanë tejkaluar kompetencat dhe me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës.

    Akuzohen se duke shkelur ligjin e prokurimit e përkundër kontratës së nënshkruar me ‘Bechtel-Enka” në vitin 2014, kanë nënshkruar marrëveshje në emër të Ministrisë për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve edhe për 347 ditë duke mos e përcaktuar koston financiare.

    Ky veprim, sipas Dosjes i ka lënë hapur mundësinë OE “Bechtel & Enka” që më 27 nëntor 2017 të paraqes kërkesën për pagesën fillimisht prej 63 milionë euro, në emër të zgjatjes së afatit, kërkesë më pas që zbriti në 53 milionë.

    Rrjedha, siç pretendon Prokuroria pagesa u aprovua nga Qeveria e Kosovës, shumë kjo e cila është në kundërshtim të plotë me opinionin e mbikëqyrësit të kontratës “Hill Internacional”,  me ç’rast, si pasojë e veprimeve të të pandehurve, buxhetit të Kosovës, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38 milionë eurosh më shumë se sa kishte paraparë opinioni i mbikëqyrësit  “Hill Internacional”.

    Prokuroria pretendon po ashtu se në vazhdimësi nga 27 shtatori 2017 e deri më 5 qershor 2018, në cilësinë e personave zyrtarë, Pal Lekaj dhe këshilltari i lartë politik i tij, Eset Berisha me dashje dhe në bashkëveprim me njëri-tjetrin, duke i shfrytëzuar pozitat zyrtare kanë marrë pjesë në këtë aferë.

    Siç thuhet në aktakuzë, Lekaj, pas nënshkrimit të marrëveshjes me “Bechtel & Enka” në cilësinë e kryesuesit të KDMN-së, pa e informuar dhe pa e marrë pëlqimin e anëtarëve të tjerë, e ka angazhuar Eset Berishën në cilësinë e këshilltarit të tij politik, që të marrë pjesë në negociata me “Bechtel & Enka”, me qëllim të përcaktimit të kostos financiare sipas marrëveshjes së 27 shtatorit 2017,  detyra këto jashtë fushëveprimit dhe kompetencave të cilat i ka këshilltari politik.

    Organi i akuzës thotë se Berisha ka zhvilluar biseda me përfaqësuesit e “Bechtel & Enka” dhe në pajtim të plotë me Lekajn, janë dakorduar qe në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve deri më 31 dhjetor 2018, Ministria t’i paguajë konzorciumit amerikano-turk 53 milionë eurot.

    Prokurorët e këtij rasti pretendojnë që  Lekaj dhe Berisha, në tërësi kanë injoruar anëtarët e KDNM-së, që ishin ministra të dikastereve përkatës të përfshirë në projekt i autostradës që çon në Shkup.

    Pos që i injoruan ministrat e tjerë pjesë e Komitetit, Prokuroria pretendon se dyshja Lekaj me ndihmën e Berishës, ka injoruar në tërësi opinionin e kompanisë mbikëqyrëse të projektit “Hill International”, sipas të cilit opinion shuma reale që duhej ti paguhej ‘Bechtel-Enkes’ ishte veç 14.7  milionë euro.

    Sipas Dosjes, Lekaj këtë opinion të “Hill” nuk ua paraqiti në komitetin për këtë punë hiç kolegëve të tij ministra të qeverisë PAN

    Ish-Këshilltari i tij, tash avokati Eset Berisha akuzohet se më 1 qershor 2018 në kundërshtim të plotë me përgjegjësitë dhe detyrat e tij e në bashkëpunim të plotë me Lekaj, i kanë bërë presion drejtorit të Departamentit Ligjor të MI-së, Avdi Kamerolli, duke i kërkuar ndryshim të opinionit ligjor paraprak, në të cilin opinion rreth kërkesës për kosto financiare, përveç tjerash është konstatuar se: “Opinione sqaruese të tjera konsideroj se mund të japin personat përgjegjës për menaxhimin e kontratës dhe kompania mbikëqyrëse “Hill International” si përfaqësues i punëdhënësit dhe Departamenti i Prokurimit si nënshkrues i kontratës”.

    Ashtu që thuhet se më pas Kamerolli nën presion është detyruar ta ndryshojë versionin origjinal të opinionit të parë, me ç’rast  ka hartuar versionin e ri duke e hequr kompaninë “International Hill” dhe duke lënë si palë kompetente për opinionet shtesë vetëm Departamentin e Prokurimit, veprime këto që i kanë paraprirë ekzekutimit të pagesës për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve.

    Sipas Prokurorisë Speciale këto veprime kanë shtyrë anëtarët e KDNM-së, ministra të dikastereve të tjera në Qeverinë PAN, të cilët të gjendur para një situate të tillë para fakteve të rrejshme, në takimin e 5 qershorit 2018 të marrin vendim duke i rekomanduar Qeverisë që të aprovojë kërkesën e “Bechtel & Enka” për pagesën e shumës prej 53 milionë euro.

    + 44 milionë, 53 milionët nuk janë milionat e fundit që i mori “Bechetel-Enka”

     Ndërkohë, 53 milionë euro që iu bartën, sipas Prokurorisë, në mënyrë të kundërligjshme kompanisë amerikano-turke “Bechtel-Enka” për Autostradën ‘Arben Xhaferi”, nuk janë milionat e fundit që i mori në mënyrë të dyshimte kjo kompani. Dosja e Prokurorisë që e ka InDoks zbulon edhe një aferë tjetër, po ashtu milionëshe, që Prokuroria deri tash nuk ka dhënë përgjigje se a ka nisur hetime të tjera.

    Këtë aferë e ka zbuluar në deklaratën e tij  Ramë Qupeva, Drejtor i departamentit të Infrastrukturës Rrugore në Ministrinë të Infrastrukturës në atë kohë.

    Prokuroria në aktakuzë ka shkruar se mbi 44 milionë euro të tjera iu dhanë konzorcuimit amerikano-turk si punë shtesë, derisa Qupeva u ka thënë në intervistim se ato u dhanë sipas Ligjit.

    Qupeva ka shpjeguar se kjo shumë në masë të madhe është shfrytëzuar për dislokim të instalimeve gjatë trasesë se autostradës teksa ka shtuar që atë e ka autorizua ish-ministri, Pal Lekaj që ta nënshkruaj një formë të marrëveshjes për këtë çështje.

    “Sipas dëshmitarit kërkesa për pagesë prej 44 milion Euro, i është dorëzuar për miratim Kryesuesit të KDNM-së z. Pal Lekaj, nga ana e Njësisë Implementuaese, pra konkretisht nga ana ime dhe me nënshkrimin e secilit anëtar të njësisë. Për këtë çështje nuk ka pasur takim të KDNM-së, por ekziston vendimi i kryesuesit të KDNM-së z. Pal Lekaj i cili e ka autorizuar dëshmitarin që të nënshkruaj formën e marrëveshjes”, thuhet në dosjen e Prokurorisë që e ka InDoks.

    Në deklaratën e tij Qupeva thekson se paga prej 44.1 milionë euro është dhënë shtesë e jo e njëjta më atë të 53 milionëshit.

    Pagesa prej 44.1 milionë eurosh që i është dhënë konserciumin “Bechtel Enka” në emër të  punëve shtesë për ndërtimin e auto-udhës “Arbën Xhaferi” dyshohet se është e bazuar në kontratë të jashtëligjshme. Madje zbulon Dosja, qe kjo kontratë ka vetëm 2 faqe. Aty ndodhen tri nënshkrime: i Pal Lekajt si ministër,  i Betim Reçicës si sekretar i përgjithshëm dhe Ramë Qupeva, zyrtar i njësisë implementuese të projektit.

    InDoks |  Misteri milionësh i PAN-it, dokumentari i plotë:  

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark