Një dokumentar ekskluziv i realizuar nga InDoks tregon në detaje për jetën e shqiptarëve që jetojnë në Idlib të Sirisë. Një vend ku shqiptarët e fundit të mbetur nga konflikti në Siri kanë vendosur që për një kohë të jetojnë.
Visar Duriqi / Donjeta Islami
Idbil është një nga pak vendet që ende një pjesë e kontrollojnë forcat që po rezistojnë kundër Qeverisë së Bashar Al-Asadit. Pikërisht në këtë qytet jetojnë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut e Shqipëria.
InDoks e ka përcjellë këtë grup për muaj të tërë. Në këtë episod për herë të parë sillen para publikut pamje ekskluzive nga jeta e tyre atje. Aktivitetet. Përgatitjet ushtarake. Dhe brendi i ri ushtarak që kanë krijuar aty, i quajtur ‘Albanian Tactical’. Një kalim nga grupi ‘Xhemati Alban’ për të cilin InDoks kishte transmetuar shumë kohë më parë.
Burrat shqiptarë që jetojnë atje, disa me familjet e tyre, aktivitet të tyre e kanë edhe sigurinë. Pamjet të cilat i sjell InDoks, tregojnë se sa të kujdesshëm janë ata që të mos iu zbulohet identiteti. Në raste shumë të rralla dëgjohet edhe zëri i tyre i pa-mbuluar, kurse fytyrat dhe pjesët tjera që mund të ua ekspozojnë identitetin i ruajnë edhe në komunikim mes vet.
Në një video tjetër flitet për “përgatitje e armëve” – është kjo një rutinë që e bëjnë ata kur nisin ditë- pjesëtarët që nuk kanë pasur punë patrullimin e natës nëpër qytet.
Pasi ti kenë përgatitur armët e pastruar to, kohë pas kohe këta pjesëtarë të ‘Albanian Tactical’, por jo vetëm ata, së bashku edhe me pjesëtarë të tjerë të rebelëve që kontrollojnë Idlibin, bëjnë ushtrime në qitje. Janë ushtrime të tensionuara sikur në betejë të vërtetë.
Nga komunikimet qe ata ndajnë mes vete në grup, rrugën për tek vend-ushtrimet e bëjnë me kamionë. Në njërin prej tyre madje kanë improvizuar edhe një pajisje klimatizimi.
Disa pjesëtarë më të dalluar të grupit, kanë lejen që të shkojnë edhe deri në kufi të qytetit, aty ku kontrollin e ushtrojnë drejtues të rebelëve e që nuk janë shqiptarë.
InDoks ka siguruar këto pamje ku një prestar i “Albanian Tactical” udhëton drejt istikameve në kufi të qytetit. E filmon rrugën që e bën me motoçikletë drejt tek pika e bunkerët.
Një nga ekspertët e sigurisë në vend, nga të rrallët që i ka përcjellë, dhe madje thotë se ka kontakte me këtë grup të shqiptarëve në Siri, ka folur për InDoks. Ai ka treguar për historikun e grupit, numrin e pjesëtarëve e deri tek niveli komandues i tyre.
“Po siç edhe ju e përmendët ka qenë një grup i luftëtarëve shqiptarë të cilët fillimisht ishin pjesë e Al-Nusra por që më vonë të njëjtit kishin pasuar disa probleme me strukturën komanduese të Al-Nusra u kishin pasur mos-pajtime të mëdha dhe të njëjtit poashtu më vonë vendosën që të ndryshojnë grupin e tyre dhe të organizojnë një lloj ushtrie të re e cila më pas do të quhej Xhemati Alban dhe të cilën do ta udhëheqtë luftëtari i njohur tanimë i luftërave në Siri, Avdyl Jashari”, tha Elezi për InDoks të Gazetës Insajderi.
Pse ky grup e ndërroi e emrin nga “Xhemati Alban”? Si u bë që ata tash pos që janë pjesë e forcave rebele në Idlib, megjithatë kanë krijuar një brend të vetin, ‘Albanian Tactical’? kush është komandanti i tyre shqiptar?
“Avdyl Jashari, Avdyl Jashari dhe më pas tek ky grup ishte rritur saqë janë inkuadruar edhe luftëtarë të vendeve tjera, përkatësisht të nacionaliteteve tjera dhe së fundmi me një takim të cilën e kanë mbajtur siç e quajnë ata mes … e luftëtarëve të cilët jetojnë në zonën e Exhibit janë pajtuar që ky grup, kjo njësi ta merr një emër i cili do të përshtatej kërkesave edhe të nacionaliteteve tjera, ngase është konsideruar se emërtimi Xhemati Alban është më shumë lokal sesa i përshtatur të rrethanave dhe vendit por që të njëjtin grup edhe më tej do ta udhëheq edhe më tej luftëtari i njohur Avdyl Jashari i cili është nga Shkupi”, ka thënë eksperti.
Pasi që kishin vendosur që të shkriheshin me popullatën vendas, dhe xhihadistë të nacionaliteteve të tjera që janë strehuar në Idllib, shqiptarët në këtë qytet del që të jenë të përgjegjshëm në punën e tyre në aspektet e sigurisë. Ata mes vete ndajnë edhe pamje nga puna e tyre e patrullimit gjatë ditës, pavarësisht motit.
Idlibi është një nga qytetet që ka strehuar mijëra familje refugjatëve të ikura nga regjimi i Bashar Al Asadit, pasi që mbetet një nga vendet e pakta që ende kontrollohet nga rebelët kundër tij. Por, duke pasur parasysh që furnizimet aty vështirësohen për shkaqe sigurie, mediat ndërkombëtare në vazhdimësi kanë raportuar për krizë humanitare në këtë kamp. E sidomos në kohën e pandemisë që shkaktoi Covid-19.
Pjesëtarët e “Albanian Tactical” janë kujdesur që mes vete të ndajnë edhe pamje të këtij kampi.
Mëngjeset e këtyre shqiptarëve në Idlib të Sirisë nuk dallojnë shumë nga mëngjeset e shqiptarëve nëpër qytetet në Ballkan ku ka xhami. Nuk dallojnë prej Prishtinës. Ato nisin me ezanët që thirren nëpër xhami të ndryshme të këtij qyteti.
Por, këto momente qetësie, sipas videove që ata shpërndajnë mes vete, dinë që të prishen me momente. Kryesisht nga sulmet që në këtë qytet i kryejnë forcat ruse që ende vazhdojnë ta ndihmojnë regjimin e Asadit.
Në të tilla raste, siç shihet nga pamjet të cilat i gjeni përgjatë dokumentarit, “Albanian Tactical” janë të gatshëm për të reaguar.
Kjo njësi ushtarake e përbërë nga shqiptarët, nuk bën vetëm mbrojte. Në një video që për herë të parë e sjell InDoks, ata tregojnë edhe operacione që kanë organizuar. Këtë video që e kanë përmbledhur së bashku, e shpërndajnë mes vete si formë propagande.
Për të organizuar këtë mbrojtje, e madje edhe operacione sulmi, ‘Albanian Tactical’ shpërndajnë mes vete video e materiale të tjera trajnimi. Është kjo njëra ndër videot që ata kanë shpërndarë e që për çudi, është në gjuhën sllave. Madje, edhe pjesët ku ata japin urdhrat për të u koordinuar ekipi shulmes.
Ky grup i shqiptarëve në Idlib të Sirisë pos videove në gjuhë sllave, megjithatë për nevoja të tyre ka krijuar edhe video komplet në gjuhën shqipe. Është kjo një video të cilën ata e kanë shpërndarë mes vete dhe ku mësohen se si ta përshtatin një armë për nevoja personale.
“Sipas informacioneve që neve kemi aktualisht në Idlir po udhëheqin vendasit por që pjesë e komandës së përgjithshme ka edhe shqiptarë sidomos siç e përmendën është në strukturat komanduese të ushtrisë të Idlibit por që në fakt ai nuk është sikur që ishte në të kaluarën udhëheqësi i kësaj zone”, tha Elezi.
“Përafërsisht, aktualisht në këtë grup janë asilizuar përpos që ishin pjesë e Al-Nustrës janë aktivizuar luftëtarët shqiptarë edhe të Al… shembull disa të cilët ishin pjesë e ISIS-it por të cilët u shkëputën pak para se ISIS të vendosej nga zonat e Irakut atje ku edhe përfundojë në Banguz si fërtifikata e fundit që është njohur nga të gjithë. Ky grup besohet që kanë dikun rreth 58 luftëtarë shqiptarë të cilët janë nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia. Besohet që nga Kosova mund të jenë 27 luftëtarë”, sqaron ai.
Bedri Elezi që ka përcjellë këtë grup, dhe po ashtu thotë se ka kontaktuar edhe me prestarë të tij, për InDoks ka ndarë edhe një histori tjetër që lidhet me grupin. Sipas tij, vite më parë, një pjesë e tyre, që janë nga Kosova, tentuan që të vinin për riatdhesim, por procesi për ta realizuar këtë gjë dështoi.
InDoks ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës për ti pyetur rreth këtij grupi, por të njëjtit nuk i janë përgjigjur kërkesës së emisionit.
“Kryesisht këta luftëtarë kanë familjet e tyre nëse ju kujtohet së bashku kemi biseduar kur ju kishin drejtuar institucioneve të Kosovës për 43 familjarë të cilët kanë qëndruar rreth 2 muaj në kufi për t’i futur në Kosovë, dhe për të njëjtat informacione ne kemi biseduar së bashku madje në atë kohë ky ishte ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ku ju kemi dërguar të gjitha të dhënat e luftëtarëve dhe familjeve sidomos familjeve të cilat dëshironin që të kthehen në Kosovë por që në atë kohë Qeveria e Kosovës kishte dështuar të mundësojë riatdhesimin e tyre përkundër faktit që fillimisht i kishte thënë ata që duhet të jenë afër kufirit me Turqinë, të njëjtit kanë qëndruar rreth 2 muaj afër kufirit të Turqisë, kanë pasur komunikime të rregullta me Policinë e Kosovës me prokurorinë e Kosovës madje ne i kemi ndihmuar që të jenë në kontakte Policisë së Kosovës, drejtorisë kundër terrorit dhe të njëjtit kanë kërkuar që të ju mundësohet kthimi i grave dhe … ngase në atëkohë situata ishte rënduar në zonën ku operonte Al-Nusra”, potencoi ai.
Atdheu nuk i pranoi. Ata, sipas Elezit u desh që të ktheheshin mbrapshtë nga kufiri. U stacionuan në Idlib, aty ku tash funksionojnë si pjesë e shoqërisë sirianë, pjesa që ka mbetur ende e rebeluar kundër regjimit të Bashar Al-Asadit.
“Meqë tentativa e tyre në bashkëpunim me institucionet tona me Ministrinë e Punëve të Jashtme dështoi për ti kthyer familjet e tyre, ata të njëjtit bashkë me familjet e tyre u kthy, po flas për qytetarët e Republikës së Kosovës janë kthyer në zonat përreth ku aktualisht janë të vendosur rreth Egjibi në disa lokacione të ndryshme por që janë njësi e njëjtë e përbashkët dhe veprojnë bashkërisht. Vlen të përmendet se në atë kohë, kur kishte tentuar të kthehet edhe një i moshuar që ishte mbi moshën 80 vjeçare por që tanimë si rezultat i gjendjes së tij të rëndë shëndetësore edhe ka ndërruar jete. Bëhet fjalë për Ferid Rakën nga Kaçaniku i cili kishte mbi 80 vjet, i cili tentoi të kthehej në Kosovë por që institucionet tona nuk i mbështetën për kthimin e tyre përkundër faktit që ata kishin mundësi të jenë afër kufirit Turqi-Siri”, deklaron Elezi në InDoks.
Elezi thotë se ky grup shqiptarësh, dhe ata që ishin prej Kosovës sipas tij ishin kundër organizatës terroriste ISIS. Por, as kjo nuk iu ndihmoi që të pranoheshin nga shteti i Kosovës, i cili deri tash ka pranuar mbi 100 shtetas kosovarë të kthyer me vullnetin e tyre nga konflikti në Irak e Siri.
“Po në fakt i bie që institucionet e Republikës së Kosovës i kanë refuzu këta luftëtarë dhe familjet e tyre dhe në këtë formë edhe e kanë mundësu operimin dhe veprimin e tyre në zonën në fjalë përkundër faktit që të gjithë këta luftëtarë dhe këto familje kanë qenë kundër ISIS-it kundër asaj se çka ka ndodhur në Siri dhe të njëjtit kanë shkuar atje për t’i mbështetur forcat siriane të opozitës dhe jo për të mbështetur ISIS-in dhe organizatat tjerë më vonë që u konsideruan tejet të rrezikshme nga qeveria amerikane dhe qeveritë e tjera evropiane”, u shpreh ai.
Si është jeta e tyre, sipas Bedri Elezit që thotë se ka kontakte me këtë grup? Cilat janë veprimtaritë e sa paraqesin ata rrezik për sigurinë e Republikës së Kosovës, kur një pjesë e videove e fotografive të tyre shpërndahen edhe nëpër rrjete sociale si propagandë?
“Po, neve i kemi kontaktet shpeshherë me këta luftëtarë, të njëjtit nuk mendoj që përbëjnë ndonjë rrezik për shtetin e Kosovës, sidomos një kohë marrim parasysh faktin që disa nga ata kanë qenë mjaftë të lidhur me Kosovën madje komandanti i tyre, Avdyl Jashari ishte pjesë e luftërave si në Maqedoni dhe Kosovë dhe i njëjti asnjëherë nuk ka pasur qasje kundër kombëtare, madje pikërisht ngase ISIS-i nuk vlerësonte nacionalitetet e tjera dhe konsideronte që të gjithë të quhen shteti islam ai nuk i ishte bashkangjitur asnjëherë me shtetin islam dhe po ashtu kishte një qasje koherente sa i përket çështjes së ndarjes të etnive kombëtare. Madje i njëjti mendon që në radhë të parë duhet të vihet kombi dhe më pas edhe feja, por që si luftëtar i shumë luftërave edhe ai i kishte bashkangjitur radhëve të luftëtarëve të cilët shkuan për të mbështetur lirinë për të cilën neve jemi dëshmitarë se sa është fol në zonën në fjalë”.
Pasi të kenë kryer detyrat e tyre në patrullim, ushtrime ushtarake- mbrojtje e sulm- siç ua kërkon komanda e tyre, grupi i shqiptarëve gjejnë kohë edhe për tu ulur afër zjarrit e për të bërë muhabet.
Në këtë video që e sjell për herë të parë InDoks, e që ‘Albanian Tactical” e kanë shpërndarë mes tyre, personi që iu ligjëron, që dukshëm del të jetë një nga drejtuesit e tyre, ua madhëron një veprim që në fakt njihet si akt i padiskutueshëm terrorizmi.
Ai në këtë video iu thotë që sulmet më të suksesshme janë ato ‘istish-hadie’, apo siç njihen sulmet vetëvrasëse. Këto lloj sulmesh ishin përdorur gjerësisht në fillim nga Al-Kaida, për tu bërë gati forma më dalluese e me të cilën u përhap ISIS-i.
Pasi që kanë marrë minuta të tërë mësim se sa i rëndësishëm është sulmi kamikaz, pjesëtarët e ‘Albanian Tactical’ kthehen nga malet për në qytet. Edhe këto pamje i ndajnë mes vete.
Në qytet pastaj i pret atmosfera e një civilizimit, nga ai qe ka mbetur nga bombardimet e vazhdueshme të forcave të Asadit, por më shumë nga forcat ruse që ndihmojnë regjimin e tij.
Rutina ditore e këtyre shqiptarëve në Idlib të Sirisë vazhdon me obligimin fetar të faljes së namazit. Edhe këto pamje i kanë incizuar me telefon e pajisje të tjera dhe i shpërndajnë mes vete.
Kur dita ia lë vendin natës, shqiptarët, pjesë e grupit të rebelëve në njërin nga qytetet e fundit që po i reziston Asadit, i kthehen patrullimit. E shoqërojnë këtë punë me këngë në gjuhën shqipe që ua kujton atdheun. Atdheun që ndoshta më kurrë nuk do ti pranojë që të kthehen.
Si dështuan institucionet e vendit t’i rikthejë në Kosovë 43 kosovarë nga Siria
Ky është numri i kosovarëve që jetojnë në Siri
InDoks sjell detaje e pamje ekskluzive të jetës që bëjnë shqiptarët në Siri
Jeta në Siri – ky dyshohet të jetë numri i shqiptarëve që po luftojnë atje
Profil | Kush është komandanti 46 vjeçar i luftëtarëve shqiptarë në Siri
‘Albanian Tactical’ – brenda brendit të ri ushtarak të shqiptarëve në Siri
Ekskluzive: Kështu promovohet sulmi me kamikaz nga shqiptarët në Siri
/GazetaInsajderi