Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në gjashtë objekte ndërtimi në Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Gjilan, Skenderaj dhe Ferizaj, pasi gjatë inspektimeve në terren ka konstatuar parregullsi në zbatimin e masave për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Sipas njoftimit të Inspektoratit, vendimet për ndalimin e punimeve janë marrë pas evidentimit të shkeljeve në aspektin e sigurisë në objektet ndërtimore në këto gjashtë komuna, shkruan Insajderi.
Punimet do të mbeten të ndaluara deri në eliminimin e parregullsive të konstatuara dhe përmbushjen e kërkesave ligjore për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës.
Inspektorati Qendror i Punës u ka bërë thirrje punëdhënësve që t’i zbatojnë me përpikëri masat e sigurisë, me qëllim të parandalimit të aksidenteve në vendin e punës dhe mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të punëtorëve. /Insajderi.org/