Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës shprehën solidarizimin me popullin francez për sulmin e mbramjes së kaluar me ç`rast u vranë të paktë 84 persona e mbi 100 janë plagosur, gjatë festimeve për Ditën Kombëtare në qytetin francez Nicë.
Presidenti i vendit Hashim Thaçi, duke ngushëlluar familjet e viktimave, tha se Kosova është mbështetëse e Francës në këtë kohë të ligë.
“Tmerret si ai i mbrëmshmi në Nice na lëndojnë zemrën, por nuk e lëkundin përkushtimin tonë për liri, barazi dhe vëllazëri, kudo në botë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Edhe kryeministri Isa Mustafa Mustafa ka shprehur pikëllimin e tij dhe të qytetarëve të Kosovës me “aktin e tmerrshëm terrorist”.
“Jemi të shokuar me aktin barbar i cili la të vdekur dhjetëra njerëz të pafajshëm në qytetin e Nicës. Në këto çaste të rënda për shtetin dhe popullin francez, Kosova bashkëndjen dhe shprehë solidaritetin e plotë me popullin mik francez” citohet kryeministri Mustafa në njoftimin qeveritar.
Ndërsa Kryeparlamentari, Kadri Veseli tha se Kosova është afër Francës dhe se ky sulm sipas tij është “i pashembullt nga egërsia”.
“Sulmi i tmerrshëm mbrëmë në Nicë, ishte goditje e rëndë ndaj popullit të Republikës së Francës dhe vlerave tona të përbashkëta. Në këto momente të vështira, jemi pranë institucioneve franceze dhe ngushëllojmë familjet që humbën më të dashurit e tyre”, ka shkruar Veseli në Facebook.
Myftiu i Kosovës Naim Tërnava ka dënuar sulmin e mbrëmshëm duke e quajtur akt barbarë.
”Në këto momente të rënda solidarizohemi e mbështesim shtetin dhe popullin mik francez, duke ndier e ndarë dhimbjen me ta; ngushëllojmë familjarët e viktimave dhe lutemi për shërimin e të lënduarave.” u shpreh Tërnava. /Insajderi.com