Ish-shefi i BIA-s dhe kryetari i Lëvizjes Socialiste, Aleksandar Vulin, ka bërë deklarata lidhur me sigurinë dhe marrëdhëniet me Kosovën, të cilat janë interpretuar si kërcënuese nga një pjesë e opinionit publik dhe organizatave në Kosovë.
Vulin ka deklaruar se “Serbia e di si bëhen këto gjëra”, duke iu referuar operacioneve të shërbimeve të inteligjencës, dhe ka përmendur modelin e veprimeve të Mossad-it në Iran. Këto komente janë parë nga disa akterë si retorikë e ashpër politike që mund të ndikojë në tensionet ndëretnike dhe në sigurinë rajonale.
Instituti “Octopus” ka reaguar ndaj këtyre deklaratave, duke i cilësuar ato si shqetësuese dhe duke kërkuar reagim me masa konkrete nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Sipas këtij instituti, gjuha e përdorur nga një ish-zyrtar i lartë i sigurisë nuk duhet të trajtohet si provokim i zakonshëm politik.
“Gjuha e ish shefit të BIA-s, i cili ka qenë po ashtu shef i ushtrisë e i policisë serbe, nuk guxon të relativizohet si një provokim i zakonshëm. Kur një figurë e tillë në Serbi flet për plane kundër zyrtarëve të Kosovës, jo vetëm që shpërfaq qasjen e mëtejme shoviniste, por është gjithashtu paralajmërim për skenarë dhune. Ky është diskurs i hapur kërcënues që minon stabilitetin dhe sigurinë rajonale. Duke deklaruar se Serbia “e di si bëhen këto gjëra”, e vërteton implikimin e Beogradit në veprimet e kaluara, si në rastin e Banjskës (2023) dhe kanalit të Ibër Lepencit (2024)”, thuhet në njoftimin e “Octopus”.
“Gjuha e Vulin ndaj Kosovës nuk është vetëm e Serbisë, por edhe e Rusisë, sepse dihen botërisht lidhjet e tij me shërbimin rus dhe qarqet e ngushta të Putinit”, përmbyllet në njoftim.