Le të zgjedhim me ndërgjegje – të verifikojmë informacionin, të ruajmë aftësinë e të menduarit të pavarur dhe të përdorim IA-në vetëm si ndihmëse, jo si zëvendësuese të mendjes sonë.
Shkruan: Marsida Morina
Inteligjenca Artificiale është një nga zhvillimet teknologjike që ka hyrë fuqishëm në shoqërinë tonë. Përmes chatbotëve, ajo është bërë pjesë e jetës së përditshme duke u perdorur në shkolla, universitete, vende pune, por edhe për pyetje të ndryshme varesisht nga temat. Një nga shembujt më të njohur është ChatGPT, përdorimi i të cilit është rritur shumë shpejt. Sipas të dhënave të publikuara nga OpenAI, në vitin 2025, ChatGPT përdorej çdo javë nga më shumë se 700 milionë njerëz, të cilët dërgonin më shumë se 2.5 miliardë mesazhe në dite. Kjo tregon se Inteligjenca Artificiale nuk është më vetëm një teknologji e re, por është bërë pjesë e mënyrës se si njerëzit kërkojnë informacion, mësojnë dhe kryejnë punë të ndryshme.
Njerëzit nuk kanë gjithmonë të njëjtin interes për të bërë kërkime të gjata. Për këtë arsye, shumë prej tyre zgjedhin një mjet që u jep një përgjigje të shpejtë. Kjo varësi mund të ndikojë edhe në mënyrën se si mendojmë, duke krijuar përshtypjen se përdorimi i AI-së është gjithmonë zgjedhja më e lehtë dhe më e shpejtë. Ajo mund të na informojë brenda pak sekondash, por në të njëjtën kohë mund të na bëjë më pasivë, duke e zvogëluar nevojën për të kërkuar, lexuar dhe menduar në mënyrë të pavarur.
AI krijon një lloj imazhi të një ndihmëseje që na e lehtëson punën. Pikërisht shpejtësia është një nga arsyet pse chatbotët janë bërë kaq të përdorur. Në vend që të kërkojmë në shumë faqe, libra apo materiale të ndryshme, mund të marrim një përgjigje brenda pak sekondash. Kjo mund të jetë një ndihmë e madhe, sidomos kur kemi nevojë të kuptojmë një koncept, të gjejmë ide ose të organizojmë informacionin.
Në arsim, inteligjenca artificiale mund të jetë një ndihmë e vlefshme për studentët, sidomos kur përballen me tema që i kanë të vështira për t’i kuptuar. Ajo mund ti shpjegojë konceptet me fjalë më të thjeshta, të japë shembuj dhe t’i ndihmojë të ushtrojnë njohuritë e tyre. Megjithatë, përdorimi i saj ngre edhe një shqetësim: a po e përdorin studentët për të mësuar më shumë, apo thjesht për ta përfunduar punën sa më shpejt?
Këtë dilemë e ilustron edhe një studim i realizuar në Kinë, me rreth 27 mijë nxënës, i cili tregoi se pas përdorimit të inteligjencës artificiale, rezultatet në detyrat e shtëpisë u rritën për 18%, ndërsa rezultatet në provimet ku nxënësit nuk mund ta përdornin AI-në ranë për 20%.Këto rezultate tregojnë se përfundimi i një detyre me sukses nuk do të thotë domosdoshmërisht se nxënësi e ka kuptuar dhe përvetësuar përmbajtjen.
Problemi nuk qëndron te vetë teknologjia, por te mënyra se si përdoret. Kur inteligjenca artificiale shërben për të shpjeguar një temë ose për të ndihmuar në kuptimin e saj, ajo mund ta lehtësojë procesin e të mësuarit. Por, kur përdoret për të dhënë përgjigje të gatshme, pa u përpjekur studenti t’i kuptojë ato, ekziston rreziku që detyra të përfundojë, ndërsa njohuritë të mos mbeten.
Edhe në vendin e punës, përdorimi i AI-së ka treguar rezultate pozitive. Një studim i National Bureau of Economic Research, i cili analizoi 5,179 punonjës të shërbimit ndaj klientit, gjeti se përdorimi i një asistenti me AI e rriti produktivitetin mesatarisht me 14%, ndërsa për punonjësit fillestarë dhe me më pak përvojë rritja ishte rreth 34%.Kjo tregon se AI mund të jetë një ndihmë reale kur përdoret për ta lehtësuar punën dhe për t’i ndihmuar njerëzit të punojnë në mënyrë më efikase.
Përveç kësaj, AI mund të ndihmojë në përmirësimin e shkrimit. Mund të propozojë fjalë më të përshtatshme, të korrigjojë gabime drejtshkrimore, të ndihmojë në strukturimin e një teksti ose të përkthejë materiale nga një gjuhë në tjetrën. Këto janë përdorime që mund ta bëjnë punën më të lehtë, pa e zëvendësuar domosdoshmërisht punën e njeriut.Por problemi fillon atëherë kur ndihma kthehet në varësi. Nëse çdo përgjigje kërkohet nga AI dhe çdo detyrë i lihet asaj, mendja mund të bëhet më pasive. Përgjigjet e gatshme mund të zëvendësojnë procesin e të menduarit, analizimit dhe kërkimit. Në vend që të përpiqemi ta kuptojmë një problem, mund të kënaqemi vetëm me përgjigjen që na jepet.
Kjo lidhet edhe me mënyrën se si e përdorim informacionin. Përgjigjet e AI-së nuk duhet të konsiderohen automatikisht si të sakta ose të besueshme. Edhe kur një përgjigje duket bindëse, informacioni duhet të kontrollohet me burime të tjera të besueshme. Prandaj, përdorimi i AI-së nuk duhet të nënkuptojë heqjen dorë nga kërkimi dhe verifikimi.
Në shkollë ose universitet, ndryshimi bëhet edhe më i qartë. Një student mund t’i kërkojë AI-së t’ia shpjegojë një temë dhe më pas ta lexojë, ta analizojë dhe ta kuptojë vetë. Por mund t’i kërkojë edhe të shkruajë të gjithë detyrën dhe ta dorëzojë pa e lexuar fare. Në rastin e parë, AI shërben si ndihmë për të mësuar. Në të dytin, ajo bëhet zëvendësim i punës personale dhe procesi i të mësuarit humbet.Prandaj, dallimi nuk qëndron vetëm te teknologjia, por te mënyra se si e përdorim atë. Të kërkosh nga AI-ja të të ndihmojë të kuptosh një temë, të gjesh ide ose të përmirësosh një tekst është ndryshe nga t’i kërkosh të mendojë dhe të punojë në vendin tënd.
Inteligjenca Artificiale nuk është thjesht e mirë apo e keqe. Vlera e saj varet nga qëllimi dhe mënyra se si përdoret. Nëse përdoret për të na ndihmuar të mësojmë, të mendojmë dhe të krijojmë, ajo mund të jetë një ndihmë e madhe. Por nëse përdoret vetëm për të shmangur punën dhe për të marrë përgjigje të gatshme, rrezikon të na bëjë më pasivë.
Pjesa më e rëndësishme është se çfarë roli po i lejojmë asaj të ketë në jetën tonë. Nëse e përdorim për të na ndihmuar të mendojmë, të mësojmë dhe të krijojmë, ajo mund të jetë një mjet shumë i vlefshëm. Por nëse e lejojmë të mendojë në vendin tonë, atëherë rrezikojmë të humbasim pikërisht aftësinë që duhet ta ruajmë më shumë: aftësinë për të menduar në mënyrë të pavarur.
Ndërsa Inteligjenca Artificiale na ofron shpejtësi, lehtësi dhe produktivitet të lartë, është momenti të vendosim se çfarë roli do t’i japim asaj në jetën tonë: ta përdorim si mjet që na ndihmon të mësojmë, të mendojmë dhe të krijojmë më mirë, apo ta lejojmë të zëvendësojë punën tonë intelektuale-mendimin dhe të na bëjë më pasivë? Le të zgjedhim me ndërgjegje – të verifikojmë informacionin, të ruajmë aftësinë e të menduarit të pavarur dhe të përdorim AI-në vetëm si ndihmëse, jo si zëvendësuese të mendjes sonë.
Ky artikull është shënuar në kuadër të projektit I cili mbështetet përmes skemës së granteve Digital Spark, si pjesë e projektit EECA të Mekanizmit Rajonal të Mbështetjes, të zbatuar nga Metamorphosis Foundation dhe TechSoup / Hive Mind, në partneritet me CIVICUS, dhe në kuadër të Iniciativës për Demokraci Digjitale (DDI), që mbulon Jugun Global.