Prej muajsh Turqia dhe BE kanë mosmarrëveshje për heqjen e vizave për nënshtetasit turq që duan të hyjnë në BE. Një zgjidhje, kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim dhe Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz nuk gjetën, as me vizitën e këtij të fundit në Ankara. Kryeministri turk Yildirim e refuzoi për shkak të gjendjes aktuale sërish ndryshimin e ligjeve antiterror, gjë që për mendimin e BE është parakusht për heqjen e vizave Turqisë, shkruan Deutsche Welle.
“Për momentin në këtë çështje nuk ka fare lëvizje, për shkak të dallimeve që kemi”, pranoi Schulz pas takimit me Yildirim. Reforma e ligjeve antiterror të Turqisë vërtet është një “kriter bazë”, tha Schulz. Por ai shtoi: “unë nuk besoj se e gjitha në fund duhet të dështojë, por se kemi shans që të diskutojmë për marëveshjet për të cilat kemi rënë dakord”.
Yildirim tha se për shkak të kushteve aktuale në Turqi nuk mund të zbuten ligjet antiterror. Turqia lufton aktualisht kundër disa organizatave terroriste. “Për ne këtu bëhet fjalë për jetë a vdekje”. Por ai është i të njëjtit mendim me Schulzin se për këtë çështje të dyja palët duhet t’i vazhdojnë bisedimet.
Parlamenti Evropian nuk dëshiron të zhvillojë konsultime për heqjen e vizave, për aq kohë sa qeveria e Ankarasë nuk i plotëson të gjitha kriteret. Një nga pak kushtet ende të hapura është ndryshimi i ligjeve antiterror. Politikanë perëndimorë i vlerësojnë ligjet antiterror si të tepruara dhe druhen se ato mund të përdoren kundër opozitarëve.
Schulzi dhe në mënyrë të pavarur prej tij, Komisari i BE për Migrimin, Dimitris Avramopoulos, i cili qendroi gjithashtu në Ankara ishin të parët përfaqësues të lartë të BE që shkuan në Turqi pas dështimit të përpjekjes për puç. “BE është një partner kyç i Turqisë dhe Turqia është një partnere kyçe e BE”, tha Avramopoulos.
Pas një takimi që zhvilloi me udhëheqësin e opozitës Kemal Kilicdaroglu, Presidenti i Parlamentit Evropian Martin Schulz tha se Kilicdaroglu nga Partia e Mesit të Majtë CHP qenë të të njëjtit mendim “se duhet folur hapur për pozicionet e ndryshme për të zhvilluar nga ky qendrim i hapur përbashkësi, që na afrojnë sërish”.
Në mbrëmje, Schulz u takua në Pallatin Presidencial me Presidentin Recep Tayyip Erdogan. Biseda e gjatë kaloi pozitivisht dhe në atmosferë miqësore, tha pas bisedës zëdhënësi i Schulzit, Andreas Kleiner. Pas heqjes së imunitetit shumë deputetëve turq nga Erdogani, Schulz e pati kritikuar më parë atë se kërkon të çimentojë “sundimin e një personi”.