Konflikt interesi në punësimin e zyrtares së lartë në Lipjan? Dyshohet se u favorizua nga komisioni - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Konflikt interesi në punësimin e zyrtares së lartë në Lipjan? Dyshohet se u favorizua nga komisioni

    Insajderi
    30 May 2025 - 15:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zyrafete Mavriqi Bytyçi është punësuar në një pozitë të lartë në Komunën e Lipjanit. Punësimi i saj ka nxitur dyshime për ndërhyrje politike dhe konflikt interesi. Nga opozita pretendojnë se kandidatja e përzgjedhur ka lidhje politike si dhe familjare me anëtarë të komisionit vlerësues. Mavriqi Bytyçi ka folur për Insajderin rreth këtyre akuzave. Insajderi ju sjell detaje!

    Gazeta Insajderi

    Komuna e Lipjanit kishte hapur konkurs për pozitën e punës Zyrtar i Lartë për Mirëqenie Sociale. Ndërsa me 6 maj i ka shpallur rezultatet e konkursit.

    Zyrafete Mavriqi Bytyçi, është përzgjedhur për këtë pozitë.

    Ajo ka grumbulluar 93 pikë, kështu edhe duke shpërblyer si më e suksesshmja për këtë pozitë.

    Mirëpo, me punësimin e saj, janë ngritur dyshime për konflikt interesi. Ajo dyshohet se është punësuar pas ndërhyrjes politike dhe familjare në procesin e konkursit.

    Insajderi merr vesh se bashkëshorti i Zyrafete Mavriqi Bytyçi, para disa viteve ka qenë kandidat për asamble komunale nga Lidhja Demokratike e Kosovës në Lipjan.

    Ndërkohë akuza tjera janë hedhur nga opozita në Lipjan. Shefi grupit parlamentar të PDK’së, Arsim Jashari i ka bërë publike disa informacione, për të cilat pretendon se është bërë parregullësi serioze në këtë konkurs.

    Në një konkurs të fundit për një pozitë të lartë në sektorin e Asistencës Sociale, janë evidentuar parregullsi serioze, të cilat nuk mund të heshtën”, thotë ai.

    Jashari tha se Zyrafete Mavriqi Bytyçi është anëtare e kryesisë së partisë në pushtet në Lipjan.

    “E vërteta është kjo: Kandidatja që është emëruar në pozitë të lartë brenda sektorit të Asistencës Sociale, është anëtare e kryesisë së LDK-së në Lipjan”.

    Ai për Insajderin tregon në detaje se çka ka ndodhë në ditën e testit, dhe pretendon se anëtarja e komisionit, Suzana Mehmeti, e ka favorizuar, pas ka lidhje familjare me kandidaten.

    “Një anëtare e komisionit vlerësues ishte në lidhje të drejtpërdrejtë familjare me një nga kandidatët në garë, konkretisht, bëhet fjalë për një raport të afërt familjar që e vendos këtë situatë në konflikt të pastër interesi. Ky person ishte pjesë e komisionit deri në përfundimin e testit me shkrim, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në fazën vendimtare të vlerësimit fillestar.

    Në ditën e testit me gojë, vetëm pesë minuta para fillimit të intervistave, kjo anëtare u zëvendësua në mënyrë të menjëhershme – ndonëse ishte e pranishme fizikisht në institucion dhe në vendin e punës. Zëvendësimi u bë pa asnjë arsyetim zyrtar, duke dëshmuar se veprimi u ndërmor vetëm pasi u identifikua konflikti i interesit, i cili në fakt ka ekzistuar që në fillim të procesit. Ky ndryshim i papritur u bë për ta shmangur përgjegjësinë ligjore dhe për të maskuar shkeljen tashmë të kryer”.

    Tutje ai tregon se se QPS mbeti pa përfaqësues pas largimit të anëtares.

    “Me largimin e kësaj anëtareje, komisioni mbeti pa përfaqësues të Qendrës për Punë Sociale (QPS) – një kriter i përcaktuar qartë në legjislacionin në fuqi, i cili nuk u respektua. Kjo përbën cenim të rëndë të rregullave të përbërjes së komisionit dhe e bën të gjithë procesin të paqëndrueshëm ligjërisht dhe etikisht”.

    Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në komunën e Lipjanit, se a ka pas ndonjë konflikt interesi në punësimin e kandidates në fjalë, por deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.

    Insajderi ka kontaktuar edhe me vetë kandidaten e pranuar, e cila tha se nuk janë vërteta.

    Ndërkohë refuzoj të përgjigjet për akuzat politike.

    “Sa i përket pyetjeve të juaja deklaroj që janë tërësisht të pavërteta. Skam koment për deklaratat politike nga kush do që vijnë”, theksoi ajo. Insajderi.org

    Gazeta Insajderi ka raportuar vazhdimisht për punsimet partiake e familjare në komunën e Lipjanit të udhëhequr nga Imri Ahmeti i LDK;së.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark