×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    “Punësime dhe subvencione për anëtarësinë, shkelje ligjesh”, Hyzer Rizani i PDK-së e vlerëson si dështim udhëheqjen e Imri Ahmetit

    Insajderi
    09 October 2022 - 13:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryetari i degës së PDK-së në Lipjan Hyzer Rizani, e ka quajtur udhëheqjen e Lipjanit nga Imri Ahmeti i LDK-së si dështim esencial. Rizani në një intervistë për Gazetën Insajderi tha së qytetarët e Lipjanit po përballen me mungesë të ujit të pijshëm dhe me probleme të tjera.

    Rizani ka listuar disa nga dështimet me të mëdha të Imri Ahmetit në këtë komunë. Ai akuzoi qeverisjen aktuale se subvencionet po i ndajnë vetëm për anëtarësinë.

    Me një fjalë, ai e sheh vetën kryetar i një pjese të qytetarëve. Subvencionet ndahen pothuajse vetëm për antarësinë e tij, punësimet gjithashtu etj. Një hetim profesional dhe objektiv do të sqaronte mirë veprimtarinë ekzekutive vetëm në interes të grupeve të tij mbështetëse që ka rezultuar me shkelje ligjesh, ndryshim strategjive dhe mos fillim të kryerjeve të punës për pranimin teknik të objekteve kolektive të banimit, ekzekutimin jo profesional të asfaltimit të rrugëve të cilat po prishen brenda një viti etj”, tha Rizani.

    I pari i PDK-së në Lipjan ka folur për angazhimin si opozitë në këtë komunë. Së fundmi, kjo parti ka formuar edhe Kabinetin për Qeverisje të Mirë.

    Deri më tani Kabineti së bashku me kryesinë janë në hulumtim dhe hartim të platformës së punës. Konkretisht puna e parë ishte analiza e projektbuxhetit të komunës dhe asambleistët tanë kishin informata më të detajuar për të shprehur në mbledhjen e KK për të siguruar shpërndarje më të drejtë e më reale të buxhetit në interesin qytetar e jo në interesin grupor“, shtoi ai.

    Intervista e plotë:

    Gazeta Insajderi: Si qëndron PDK në Lipjan në krahasim me zgjedhjet e kaluara në këtë komunë?

    Partia Demokratike e Kosovës dega në Lipjan, është parti stabile dhe funksionale. Në zgjedhjet e fundit lokale ne nuk arritëm synimin tonë që t’i fitojmë zgjedhjet, por si parti opozitare kemi arritur të konsolidohemi dhe të kryejmë punët e opozitës në mënyrë të kënaqshme.  Është krejt normale që kur nuk arrinë të dalësh fituese bie elani për aktivitet brenda strukturave, por ne kemi arritur mjaft mirë të konsolidohemi. 

    Gazeta Insajderi: Cili është aktiviteti juaj a mund të na listoni disa nga pikat kryesore ku jeni të fokusuar?

    Fokusi jonë është i përqëndruar në mbikqyrjen e ekzekutivit të komunës tonë në të gjitha segmentet. 

    Gazeta Insajderi: Si e vlerësoni udhëheqjen e Imri Ahmetit të LDK-së dhe cilat mendoni se janë disa nga dështimet e këtij pushteti në Lipjan?

    Udhëheqja në Lipjan, nuk bënë punë të planifikuara mirë dhe me qëndrueshmëri në konsistencë. Dështim esencial e konsiderojmë dështimin me hartat zonale, jotransparencën në proces si dhe konfliktin e interesit të zyrtarëve në drejtorinë e urbanizmit. Dështimi i dytë i rëndësishëm konsiderohet se Imri Ahmeti punon, planifikon dhe ekzekuton vendime në interes të grupeve të tij mbështetëse dhe anëtarësisë së partisë së tij. Me një fjalë, ai e sheh vetën kryetar i një pjese të qytetarëve. Subvencionet ndahen pothuajse vetëm për antarësinë e tij, punësimet gjithashtu etj. Një hetim profesional dhe objektiv do të sqaronte mirë veprimtarinë ekzekutive vetëm në interes të grupeve të tij mbështetëse që ka rezultuar me shkelje ligjesh, ndryshim strategjive dhe mos fillim të kryerjeve të punës për pranimin teknik të objekteve kolektive të banimit, ekzekutimin jo profesional të asfaltimit të rrugëve të cilat po prishen brenda një viti etj. 

    Gazeta Insajderi: Cilat janë disa nga problemet kryesore që po përballen qytetarët e Lipjanit?

    Qytetarët e Lipjanit ballafaqohen me mungesë të ujit të pijës e kur e dijmë se Lipjani ka mjaft ujë, ekzekutivi nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim. Mbingarkesë e shkollave  të qytetit me nxënës, mungesë e bashkëpunimit real e transparent me qytetarët, përcaktimin e ekzekutim të projekteve sipas interesit të gjërë publik, mbështetje e përkrahje të bizneseve, mungesë të një platforme që do motivonte dhe orientonte rininë etj.

    Gazeta Insajderi: Më 19 shtator PDK në këtë komunë ka formuar Kabinetin e Qeverisjes së Mirë, çfarë saktësisht përfshin kjo dhe cili është kontributi që do ta jep ky kabinet?

     Po! Kabineti i Qeverisjes së mirë është krijuar. Tani jemi në fazën e kompletimit të tij. 

    Gazeta Insajderi: A është bërë ndonjë punë deri më tani nga Kabineti për Qeverisje të Mirë?

    Deri më tani Kabineti së bashku me kryesinë janë në hulumtim dhe hartim të platformës së punës. Konkretisht puna e parë ishte analiza e projektbuxhetit të komunës dhe asambleistët tanë kishin informata më të detajuar për të shprehur në mbledhjen e KK për të siguruar shpërndarje më të drejtë e më reale të buxhetit në interesin qytetar e jo në interesin grupor. 

    Gazeta Insajderi: Për fund a keni ju të shtoni diçka që mendoni që është e rëndësishme për publikun?

    Ne mendojmë se çdo ditë e udhëheqjes së Imri Ahmetit sjell një dëm të përgjithshëm qytetar, institucional e biznesor.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark