Del numri i ri i revistës letrare dhe kulturore “Hejza”, e cila redaktohet nga krijuesit shqiptarë të Maqedonisë së Veriut.
Në qendër të këtij numri është intervista ekskluzive me poeten e njohur kosovare, Blerina Rogova-Gaxha.
Në numrin më të ri të revistës letrare dhe kulturore “Hejza”, përpos intervistës së lartcekur, mund të lexoni:
Për poezinë shkruan Sulejman Mehazi. Kliton Nesturi vjen me shkrimin “Të shkruash për letërsinë”. Avni Halimi shkruan për pushtetin e kulturës në grahmën e fundit. Agim Bajrami vjen me një shkrim dedikues për Nikollë Spatharin, kurse Timo Flloko me shkrimin “Bekim Fehmiun që e njoha unë”. Ky shkrim është shkëputur nga monografia “BEKIM FEHMIU – Odiseu i Kosovës” i autorit Fahri Musliu.
Mbi vetminë e shkrimtarit shkruan Camilo José CELA, përkthyer nga Bajram Karabolli, kurse për bukurinë e pavarur shkruan Metin Izeti. Afrim Rexhepi flet për estetikën pozitive.
Në këtë numër, po ashtu, mund të lexoni shkrime e krijime nga Anton Pashku, Agron Tufa, Ardian Lumani, Xhevat Latifi, Yzedin Hima, Besnik Emini, Bukurie Mustafa etj.