×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Intervistë | 28 Nëntori i shqiptarëve – Pse Shkurte Fejza thotë se s’kemi nevojë për një Abetare të Përbashkët

    Insajderi
    28 November 2022 - 10:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Sot kur Shqipëria shënon 110 vjetorin e pavarësisë për Insajderin intervistë ka dhënë një ndër këngëtarët më të dashura të popullit. Shkurte Fejza. Simboli i muzikës së pastër të folklorit ka treguar se çka simbolizon për të data e 28 Nëntorit. Por gjatë kësaj bisede nuk mungojnë as kritikat për dy udhëheqësit e shteteve, Kosovës e Shqipërisë. Për më tepër, Fejza ka një kërkesë ndaj kryeministrave Kurti e Rama.

    Këngëtarja Shkurte Fejza në një moment shprehet se “ndjenja patriotike, jo vetëm që nuk përkrahet por edhe luftohet sidomos nga përgjegjësitë e institucioneve”.

    Pse ajo thotë se nuk ka nevojë për një Abetare të përbashkët? Pse dikur vullneti ishte më i madh për t’i kënduar atdheut sipas saj.

    Fejza poashtu tregoi se çfarë vargjesh do t’i thurte Shkurte Fejza një Kosove “perfekte”, një Kosove për të cilën sipas saj do të ëndërronte çdo shqiptar. Përgjigjia është interesante.

    Ajo foli edhe për atë se cilën nga këngët e saj e veçon më së shumti nga diskografia e saj.

    Çka nënkupton Fejza kur thotë “jam në opozitë me secilin pushtet”.

    Përgjigjet i gjeni më poshtë:

    Gazeta Insajderi: Çka simbolizon për Shkurte Fejzën data e 28 Nëntorit?

    Shkurte Fejza: 28 Nëntori për shqiptarët paraqet festën më të madhe kombëtare sepse me këtë datë lidhen ngjarjet më të rëndësishme të popullit shqiptarë. Që nga Kuvendi i Lezhës dhe Besëlidhja e princave arbërorë në krye me Gjergj Kastriotin dhe e arrin kulmin me shpalljen e pavarësisë së shtetit kombëtar shqiptar në vitin 1912. Vazhdon me ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jasharit dhe daljes publike të UÇK-së dhe të gjitha këto ja japin karakterin historik dhe gjithëkombëtar që ne e kemi pranuar edhe si Festa e Flamurit kombëtar i cili na identifikon dhe na bashkon të gjithë shqiptarët kudo që janë.

    Gazeta Insajderi: Si këngëtare popullore shquheni për repertoarin e pasur të këngës kushtuar atdheut, pra, jeni simbol i këngës patriotike shqiptare. Si ju bën të ndiheni ky fakt?

    Shkurte Fejza: Çdo njeri e veçanërisht artisti e zgjedh rrugën e vet dhe shtigjet e veta se kah do të shkojë e ku do të arrijë. Unë e kam zgjedh vet këtë rrugë që ishte më e vështira dhe me shumë sfida dhe rreziqe në atë kohë por kur ja del në krye atëherë është ndjenjë e jashtëzakonshme dhe normalisht ndihesh krenare.

    Foto: Shkurte Fejza/Facebook

    Gazeta Insajderi: Sa e vështirë e në të njëjtën kohë kënaqësi ishte/është t’i këndosh vendit, t’ia thuash këngës për luftën, për patriotët e heronjtë shqiptarë?

    Shkurte Fejza: Para luftës ishte më e vështirë dhe kishte rreziqet e veta por të gjitha i kalon kur ia jep vetes detyrë dhe e merr si mision. Trimëria, guximi dhe gatishmëria e heronjve në luftën për liri të frymëzon dhe të jep fuqi dhe gatishmëri edhe për sakrificë edhe sikur identifikohesh me personazhin. Kjo ndjenje të jep kënaqësi të madhe.

    Gazeta Insajderi: Siç e dimë keni një numër të konsiderueshëm të këngëve patriotike që flasin për dashurinë ndaj atdheut. A mund të na veçoni njërën prej tyre, njërën për të cilën iu bën zemra “bam” sa herë e këndoni?

    Shkurte Fejza: Kam shumë këngë të tilla dhe secila nga ato kanë momentin historik dhe kanë luajtur rolin e vet në atë periudhë. “Oj Kosovë oj Nëna ime”, “Mbahu nëno mos ke frikë”, “N’xhamadanin vija-vija”, “E kam emrin Kosovar”, “Bashkojmë krushqit për Kosovën” dhe “Mora fjalë” secila nga këto e ka epokën e vet. Nëse më pyet tani, atëherë është kënga “Mora fjalë” që më duket se gjatë interpretimit ma ndalë frymën për një moment.

    Gazeta Insajderi: A është njësoj si kur i keni kënduar atdheut në të kaluarën si tash, a janë po ato emocione kur ia thoni këngëve patriotike. Nëse keni mundësi të na bëni një krahasim, dallim?

    Shkurte Fejza: Emocioni është gati i njëjtë sepse dashuria ime për Atdheun nuk është konsumuar as tash pas 50 vitesh por vullneti atëherë ka qenë më i madh mund të them deri në sakrificë sepse ishte rrezik që mund t’a pësoje në çdo moment. Pritja dhe mbështetja e njerëzve ishte më e madhe. Ndërsa tani sikur ndjenja patriotike është zbehur te një pjesë e njerëzve dhe në momente jo vetëm që nuk përkrahet por edhe luftohet sidomos nga përgjegjësitë e institucioneve.

    Gazeta Insajderi: Në vitin 2016, pikërisht për ditën e flamurit ju i keni kushtuar një këngë kësaj feste për shqiptarët, keni publikuar këngën “Ah Kosova jonë”, mes tjerash thoni “Ditë e re, dhimbje e vjetër e kam dashtë një Kosovë tjetër”. A mund të na thoni se a është kjo Kosova e sotme për të cilën po portretizonit?

    Shkurte Fejza: Unë gjithmonë mundohem t’i këndoj vlerave dhe veprave të mira kur njerëzit i kanë dhe i bëjnë, poashtu nuk kursehem t’i kritikoj ato gjëra dhe veprime kur nuk shkojnë në drejtimin e duhur por asnjëherë nuk merrem me individët sepse nuk kam asgjë personale me askënd. Kështu që gjithmonë jam në opozitë me secilin pushtet. Ende jemi larg nga ajo ditë kur jo vetëm unë por shumica e qytetarëve do të kënaqen me të arriturat e vendit tonë. Fatkeqësia është se gjërat shpesh shkojnë në drejtimin e gabuar dhe mendoj se disa njerëz pak e duan këtë vend.

    Gazeta Insajderi: Çfarë vargjesh do t’i thurte Shkurte Fejza një Kosove “perfekte”, një Kosovë për të cilën sipas jush do të ëndërronte çdo shqiptar?

    Shkurte Fejza: E kam një këngë të pakënduar të cilën do ta realizoj një ditë ndoshta me këtë titull dhe do ta dëgjoni.

    Gazeta Insajderi: Çka i mungon Kosovës sot që dikur e kishte?

    Shkurte Fejza: Ka shumë gjëra që i mungojnë sidomos në sferën e muzikës, kulturës dhe atdhedashurisë por këto nuk i zbehin ato që i kemi si liria, pavarësia e Kosovës dhe e kemi Shqipërinë përkrah. Mendoj se mungon një unitet i domosdoshëm për interesin kombëtar sidomos te liderët politik.

    Foto: Shkurte Fejza/Facebook

    Gazeta Insajderi: Një këngë tjetër e pavdekshme e juaja është patjetër “Xhamadani vija-vija”, ku pos tjerash thuhet “O është Kosova, o është Shqipëria”. Nga këndvështrimi i juaj si ju duken sot raportet Kosovë-Shqipëri, a keni ndonjë porosi për udhëheqësit e të dyja shteteve?

    Shkurte Fejza: Falë Zotit jemi dy ashtu si e kam thënë unë para 30 viteve dhe ashtu duhet ndihemi. Edhe udhëheqjet tona duhet të veprojnë kështu si dy gjymtyrë të një trupi. Sot Evropa promovon integrimet dhe ne duhet shfrytëzuar këtë frymë integruese në mes nesh në maksimum por pa zhurmë, pa ato takimet pompoze me flamuj me salltanete. Vetëm me koordinim dhe me vepra konkrete. Nuk ka nevojë p.sh për një Abetare të përbashkët e cila ndoshta edhe nuk përdoret, të bëhet gjithë ajo propagandë. Kjo është sikur vëllezërit apo motrat edhe pse i kanë familjet e veta gjithsesi dhe patjetër janë vëllezër e motra sepse askush kurrë nuk të bëhet as vëlla e as motër. Çfarë kuptimi ka p.sh kur ti i ndihmon vëllait apo motrës e qon peshë mahallen duke u lavdëruar ose nëse për një mosmarrëveshje të vogël i bëhesh krah të huajit. Pra kërkoj bashkëpunim ma të madh në mes veti, shumë punë të përbashkëta dhe pa zhurmë. Unë kam bashkëpunuar shumë gjatë tërë karrierës sime me autor dhe krijues nga Shqipëria. Këngët ma të suksesshme i kam nga autor andej Drinit.

    Gazeta Insajderi: Si ndjehet sot Shkurte Fejza kur dëgjon e sheh përpunime të këngëve të saj edhe nga brezat e rinj?

    Shkurte Fejza: Është kënaqësi e veçantë se edhe synimi im ishte që t`i jap diçka të mirë kombit tim dhe të përcjelli tek gjeneratat e reja.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark