×
  • Lajme
  • Insajderi

    INTERVISTË | Enver Hasani: Kryeminstri ka dështuar në dilog; Asociacioni vështirë se mund të anulohet

    Insajderi
    19 February 2022 - 10:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se qeverisja një vjeçare e Albin Kurtit do të mbahet mend për vënien e standardit të udhëheqjes me “duar të pastra”.

    Në një intervistë ekskluzive për Gazetën Insajderi, Hasani ka folur për dialogun me Serbinë, Asociacionin, por edhe për Vettingun e konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

    Sa i përket procesit të gjatë të dialogut Prishtinë-Beograd, Hasani ka thënë se “sa më larg të shtyhet ky problem, Kosova do të jetë edhe më ashpër në agjendën e pastër të sigurisë ndërkombëtare, pa asnjë zhvillim serioz socio-ekonomik dhe me mungesë të theksuar të sundimit të ligjit”.

    Derisa këtë proces e ka konsideruar si dështimin më të madh të qeverisë Kurti 2.

    Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, më tutje ka folur edhe për figurën e Xhafer Devës.

    “Vlerësimin e figurës së Xhafer Devës dhe krejt atyre që i kanë shërbyer verbërisht një regjimi të tillë, e ka dhënë historiografia botërore në mënyrë konsensuale dhe nuk ka asnjë forcë që e rikthen përmbys një vlerësim të tillë. Xhafer Deva ndjek fatin e krejt ministrave të brendshëm të regjimeve politike që kanë instaluar nazistët nëpër Evropë pas pushtimit të saj nga shtatori i viti 1939 e deri në rrënimin ushtarak të regjimeve të tilla”.

    Në këtë intervistë, Hasani poashtu ka shpejguar në detaje pse ai është kundërshtuar nga Shkëlzen Gashi dhe Nexhmedin Spahiu, kur ka thënë se Xhafer Deva e ka shtyrë përpara agjedën naziste.

    INTERVISTA E PLOTË:

    Insajderi: Më 14 shkurt janë bërë një vit, nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, nga të cilat Lëvizja Vetëvendosje doli fitues me mbi 50% të votave. Si e keni parë ju qeverisjen e z. Kurti gjatë këtij viti, cila ka qenë arritja më e madhe e tij, dhe një nga dështimet?

    HASANI: Arritja më e madhe e kësaj qeverie është vënia e standardit të qeverisjes me duar të pastra, ku politika nuk është mjet dhe rrugë për pasurim nga paraja publike. Ky standard do të mbahet mend, sepse jam i sigurt që më nuk do të ketë kthim prapa.

    Dështimi më i madh i kësaj qeverie, ndërkaq, është fronti i dialogut me Serbinë, i cili përfaqëson një problem ekzistencial për Kosovën: pa arritjen e një marrëveshje me Serbinë, Kosova nuk do të ketë zhvillim normal si shtet, do të ketë stagnacion dhe deformim të marrëdhënieve shoqërore, për shkak të mungesës së integrimit të vendit në bashkësinë ndërkombëtare. Sa më larg të shtyhet ky problem, Kosova do të jetë edhe më ashpër në agjendën e pastër të sigurisë ndërkombëtare, pa asnjë zhvillim serioz socio-ekonomik dhe me mungesë të theksuar të sundimit të ligjit.

    Insajderi: Në Kosovë, në fund të janarit, kanë qëndruar përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ky i fundit tha se: Kosova është palë e barabartë në dialog, asgjë nuk mund t’i imponohet Kosovës. Askush nuk dëshiron një ‘Republikë serbe’ në Kosovë. Si e komentoni këtë deklaratë të Lajçakut?

    HASANI: Këto janë më shumë joshje për të hyrë në dialog, se sa garancione serioze dhe të prekshme. Cila do të jetë fizionomia e Asociacionit, varet sa vonohet Qeveria në dialog. Sa më larg të shtyhet kjo, çmimi do të jetë më i madh për Kosovën.

    Nuk mendoj se jemi palë e barabartë në dialog, sepse Serbisë nuk është duke iu bërë asnjë kushtëzim i prekshëm, si levë ndikimi, për të zgjidhur problemet e mbetura që ka me Kosovën dhe, mbi të gjitha, për të bërë njohjen e saj ndërkombëtare. Pak ka gjasa, për të mos thënë aspak, që bashkësia ndërkombëtare të rris presionin ndaj Serbisë, në ndërkohë që Kosovën ta trajtoj si të barabartë dhe pa asnjë kundërkoncesion.

    Kërkesat për koncesione ndaj Kosovës janë asimetrike në tërësi, krahasuar me atë që i kërkohet Serbisë: njohja e pjesshme e Kosovës, apo njohja de fakto siç quhet kjo në marrëdhëniet ndërkombëtare, vetëm sa shërben si një uverturë për prezencën permanente serbe në sovranitetin e Kosovës, në emër të ruajtjes së interesave dhe vlerave të komunitetit serb në Kosovë.

    Qartë shihet që Serbia ka më shumë levë ndikimi në bashkësinë ndërkombëtare, në veçanti në BE, por edhe në SHBA, për shkak se paraqet rrezik permanent për akomodim të rusëve dhe kinezëve në këtë pjesë të botës. Kjo është arsyeja e sjelljes së butë të ndërkombëtarëve me Serbinë dhe investimet marramendëse ekonomike atje, pikërisht nga miqtë tanë që kanë investuar shumë më pak në Kosovë.

    Insajderi: Asociacioni poashtu ka vazhduar të jetë një nga temat kryesore. Cili është qëndrimi juaj rreth kësaj çështjeje?

    HASANI: Formimi i Asociacionit është një detyrim kushtetues dhe ndërkombëtar, që vështirë se mund të anulohet. Kjo është një çështje tjetër prej natyrës juridiko-kushtetuese të Asociacionit. A do të jetë ai një strukturë juridiko-kushtetuese, që përfaqëson komunitetin serb të Kosovës si një komb shtetformues në Kosovë, apo do të ngel siç është sot? Nëse ndryshon statusi juridik-kushtetues i komunitetit serb në Kosovë, doemos ndryshon edhe Kushtetuta e Kosovës dhe vetë natyra e shtetit tonë. Këtë synojnë serbët, jo pasje të kompetenecave ekzekutive, sepse ato i kanë komunat e Kosovës gjithandej.

    Për të qenë më i qartë me ju, serbët synojnë që të fitojnë një strukturë juridiko-kushtetuese nga e drejta publike, që ka organet e veta që përfaqësojnë komunitetin serb në Kosovë, që ndryshe quhet autonomi politiko-territoriale. Kjo është vetëm faza e radhës e serbëve. Prandaj ka shumë rëndësi që njohja jonë nga Serbia të jetë pika kryesore, njohja de jure, e plotë, e pakthyeshme dhe e tërësishme. Po nuk u bë kjo, serbët do të insistojnë pas një dekade në perfeksionimin e fitores së tyre që e synojnë me asociacionin, ashtu siç kanë bërë me decentralizimin, që tani duan ta fusin si kategori juridik-kushtetuese të posaçme, me emërin Asociacion (lexo: autonomi politiko-territoriale). Vetëm njohja de jure nga ana e Serbisë e pengon një gjë të tillë. Po nuk i fitua njohja e tillë nga ne këtë herë, kurse ata fitojnë Asociacionin, ateherë kërkesa e tyre e radhës do të jetë një status (kon) federal brenda Kosovës.

    Insajderi: Ndërkohë, Escobar, ka thënë se “është besim i yni që vendet në Ballkanin Perëndimor, që të gjitha vendet të njohin njëri-tjetrin dhe t’i bashkohen Bashkimit Evropian”. A mendoni se Serbia do ta njohë Kosovën, dhe të dy vendet do të futen në BE?

    HASANI: Për të ardhur deri te një gjë e tillë, te njohja reciproke de jure e dy vendeve, atëherë duhet të ketë një presion simetrik ndaj dy palëve, me ofrim të nxitësve të karakterit të njëjtë shpërblyes për dy palët, Kosovën dhe Serbinë. Kjo deri më tani, nuk duket në horizont: ajo që shohim është presioni ndaj Kosovës për koncesione që janë më të thella, më desovranizuese se ato që kërkohen prej serbëve: fundja, njohja e Kosovës i sjell Serbisë integrim të plotë në Evropë, gjë që nuk është rasti me Kosovën, edhe sikur të plotësojë krejt atë që kërkon Serbia.

    Ka një hendek të madh dhe asimetrik në peshën ndikuese në mes të Kosovës dhe Serbisë, aq i largët dhe aq i thellë sa që, deri më tani, është kërkuar futja e Serbisë në BE, me kusht që e njëjta mos të bëj probleme në procesin e antarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë OKB-në. Thënë shkurt: edhe në rast të njohjes së plotë de jure të Kosovës, për çka nuk shihet se ka vullnet te miqtë tanë për t’i bërë presion serioz Serbisë, nuk ka asnjë garancion se Kosova do të futet në BE njëkohësisht me Serbinë. Trendi është krejt i kundërt.

    Insajderi: Ka kohë që ministrja e Drejtësisë, znj. Haxhiu flet për procesin e Vettingut, madje për këtë çështje ka ndërmarrë edhe disa hapa. A mendoni ju se duhet të ndodhë Vettingu, dhe si i shihni deklarata kundër këtij procesi që vijnë nga Komisioni Europian?

    HASANI: Gjëja dhe përpjekja më joserioze e kësaj qeverie ka qenë Vetingu. Ka nis mbrapsht. Tani në Komisoin të Venecias ka shkuar koncept dokumenti dhe një draft amendamentesh, të cilat jam i sigurtë se do pësojnë debakël, më keq se draft-ligji për organin e akuzës muaj më parë. Kjo përpjekje ka komprometuar një synim aq fisnik – pastrimin e sistemit të drejtësisë nga të padijshmit, të korruptuarit dhe njerëzit pa integritet. Kam frik se do të ndeshemi me fabulën e njohur “ujku, ikni ujku!”, ashtu që kur ai të vjen me të vërtetë, askush nuk do ta besoj një gjë të tillë. 

    Koncept dokumenti që ka shkuar në Komision të Venecias, kur krahasohet me rastin e Shqipërsië (sepse atëherë kam qenë anëtar i Kosovës në Komision), është skandaloz në formë dhe përmbajtje: në formë sepse përmban afër 300 faqe përmbledhje eklektike të rasteve të vetingut në rajon dhe nëpër botë, thuajse Komisioni i Venedikut ka nevojë të përditësohet mbi gjendjen e vetingut, faqe që nuk thonë asgjë me relevancë për Kosovën; në përmbajtje sepse vështirë të gjenden tri faqe të tij me radhë, që kanë konsistencë dhe kuptim të rrjedhshëm që lidhet me çështjen kryesore – arsyeshmërinë ose jo të vetingut në Kosovë dhe rrugët që duhen ndjekur.

    Shkurt, koncept dokumenti është një trajtim kaotik, eklatant i fenomenit të vetingut, pa asnjë ndërlidhshmëri organike të tij me Kosovën dhe domosdonë e zbatimit të tij në një format të plotë, siç ka ndodhur në Shqipëri. Në fakt, ka vende të dokumentit që janë marrë nga rasti shqiptar, por janë transplantuar nëpër tekst, pa asnjë relevancë dhe në mënyrë jobindësë.

    Insajderi: Qeveria miratoi një projektligj që ka për qëllim themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Projektligji, sipas ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu, është hartuar nga ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë. Ajo thotë se Byroja Shtetërore synon “verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar të personave zyrtarë, familjarëve të tyre dhe personave të ekspozuar politikisht”. Cilat janë komentet tuaja rreth kësaj nisme? Kur sipas jush duhet të nis konfiskimi, dhe për cilën periudhë kohore duhet të vlejë?

    HASANI: Ky projektligj ka defkte serioze në disa drejtime. Në rend të parë, kjo byro dhe drejtori i saj zgjedhen me një shumicë të thejsht dhe kjo nënkupton që do të jetë tërësisht e politizuar. Shkakrimi i drejtorit, gjithashtu, i nënshtrohet kritereve krejtësisht politike, abstrakte dhe nuk ofrojnë garanci për integritet të asaj/atij që do të ushtroj atë post.

    Përveç kësaj, Byroja do të jetë një organ amdinistrativ që duhet të zhvilloj procedura gjysmë-gjyqësore, që definojnë liritë dhe të drejtat kushtetuese të kosovarëve. Nuk ka ansjë garancion për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, sepse standardi i provës dhe roli e pozita e gjykatës, si organ që kontrollon ligjshmërinë e punës së organeve administrative, është tërësisht e papërfillshme. Në fakt, në disa vende, gjykatat shndërrohen në urdhërmarrës të Byrosë.

    Konfisikimi duhet të përfshijë krejt kohën pas hyrjes së NATO-s në Kosovë, duke bërë dy standarde të provës dhe të provuarit: njëri para nisjes së punës së sistemti bankar dhe të pagesave në Kosovë dhe tjetri pas kësaj periudhe. Pavarësia e Kosovës është pikë e mirë ndarëse, ama për motive patriotike vetëm. Ata që kanë vjedhur, kanë vjedhur në të gjitha periudhat e pas luftës në vend, qoftë kur kanë qenë në pozitë, qoftë në opozitë.

    Insajderi: Gjatë ditëve të fundit është folur shumë edhe për figurën e Xhafer Devës. Cili është qëndrimi juaj rreth profilit të Xhafer Devës, dhe rreth deklaratave pro dhe kundër tij – sidomos për deklaratën e ambasadorit gjerman në Kosovë?

    HASANI: Vlerësimin e figurës së Xhafer Devës dhe krejt atyre që i kanë shërbyer verbërisht një regjimi të tillë, e ka dhënë historiografia botërore në mënyrë konsensuale dhe nuk ka asnjë forcë që e rikthen përmbys një vlerësim të tillë. Xhafer Deva ndjek fatin e krejt ministrave të brendshëm të regjimeve politike që kanë isntaluar nazistët nëpër Evropë pas pushtimit të saj nga shtatori i viti 1939 e deri në rrënimin ushtarak të regjimeve të tilla. Për këtë arsye, reagimi i ambasdorit gjerman është krejtësisht me vend dhe duhet të merret seriozisht sepse vjen nga vendi që bartë mbi supe përgjegjësinë më të madhe hisotrike për atë periudhë dhe bazohet në burime të sakta dhe të provuara historike mbi fugurën dhe veprën e Xhafer Devës. 

    Insajderi: Analisti Shkëlzen Gashi ju quajti shërbëtor të regjimit kriminal që sundoi Kosovën për 20 vjet dhe sipas tij, ju keni gënjyer kur keni deklaruar se Xhafer Deva ka shtyrë përpara agjendën naziste. Cila është kundërpërgjigja juaj ndaj z. Gashi?

    HASANI: Arsyeja kryesore pse Shkëlzeni përdorë fjalor rrugaçësh dhe mundohet të luaj huliganin e rrugëve të Prishtinës kundrejt meje, ka të bëj më motive personale dhe me vetë temën, krejt kjo me qëllim të mundjes së frikës që ai ka nga unë. Dikur e në një kohë, vitet e pasluftës, pas përgjërimeve të shumta që mi patë bërë, e kam pas dërguar jashtë vendi për të bërë një master, siç kam dërguar plot të tjerë, të rinjë e të reja që sot janë mirënjohës ndaj meje pafund. Kjo është arsyeja e parë që ai përdorë rrugaçërinë dhe stilin huliganesk për të më kundërshtuar mua, thjesht për të mbytur frikën nga unë. Po të mos kishte frikë, ai do më takonte dikund dhe do të thoshte krejt atë çfarë ka kundër meje. Kur e takoj rrugës nganjëherë, më vjen gjynah prej sjelljes së tij: kokëulur dhe i përbuzur, sikur njerëzit që shkojnë në pushkatim, pa guxuar të ngre kokën dhe të më shikoj në sy. Meqë është qyqar, ai përdorë hapsirën publike për sulme mbi baza personale, me shpresë se e vret frikën që ka.

    Arsyeja e dytë ka të bëj me mungesën e argumentit bazik për temën. Siç e kam thënë gjetiu, qysh më 1999, në Kosovë janë vrarë e persekutuar hebrenjët dhe të tjerët, kryesisht në një kamp përqëndrimi në Prishtinë dhe kjo rrethanë tragjike lidhet me Divizionin “SS Skanderbeg”, që është vepër tërërisht e Xhafer Devës. Pafund janë studiuesit e huaj, jo vetëm Noel Malcolm, që dëshmojnë për këtë fakt. Kam literaturë serioze, krahas gjuhës angleze, në gjuhën frënge, italiane dhe gjermane, që provojnë në mënyrë burimore se Xhaferi ka qenë një idolog dhe mbështetës i verbët i regjimit nazist.  

    Gjermanisht nuk kuptoj, por ka disa  javë që familjarët e mi po më ndihmojnë me përkthim të kapitujve të librit më të fundit të studiueses zvicerane Dr. Franziska Anna Zaugg, që me vite të tëra ka studiuar nëpër arkiva për Divizionin “SS Skanderbeg”, dhe që dëshmon shkencërisht gjëra edhe më të kqija se ato që kam lexuar vetë për Xhaferin dhe nazistët tjerë lokalë në trojet shqiptare nën ish-Jugosllavi. Kur njeriu i paditur dhe i palexuar ballafaqohet me fakte kryeneçe, sikur këto të kësaj autoreje, domosdo që duhet të luftosh “ungvibus e rostris”, që kanë thënë romakët. Kjo në rastin e Shkelzenit është angazhim rrugaçëror kundër fakteve hisitorike, duke projektuar në mua botën që unë nuk kam asnjë lidhje me të.

    Nuk ka mënyrë tjetër për të mundur frikën dhe qyqarllëkun, pos duke përdorur hapsirën publike për njollosje të tjerëve. Ndryshe kjo nuk shpjegohet

    Insajderi: “Është shumë pështirosëse se si Enver Hasani përpiqet t’i vardiset Beogradit dhe veglave të tij në Kosovë përmes baltosjes së Xhafer Devës madje duke keqpërfolur historianin nr.1 në botë Noel Malcolm”, kjo është deklarata e Nexhmedin Spahut ndaj jush. Cili është qëndrimi juaj rreth deklaratës së z. Spahiu?

    HASANI: Shikoni, sulmet ndaj meje janë prodhim i një mjedisi të kontaminuar të debatit intelektual, në të cilin ndodhet Kosova. Ky mjedis i debatit dominohet nga gjuha fyese dhe linquese, për ata që mund të kenë mendim të vërtetë intelektual. Bëhet nga ata që kanë deficite të thella në formimin e tyre, nga njerëz pa profesion që kanë vetem një qëllim: afirmimin social.  

    Në lidhje me këtë Karl Poper, shkruan dikund se, qëllimi i një debati nuk duhet të jetë që të fitosh; qëllimi i vërtetë i tij duhet të jetë progresi intelektual, jo afirmimi social; afirmimi social duhet të jetë rrjedhojë e suksesit intelektual. Meqë kjo është kështu, atëherë, siç e thotë dikund Bibla, më duket te Ungjilli i pas Llukës, krejt ata që nuk janë me ty, ti i projekton sikur janë kundër teje.

    Në këtë mënyrë, nga raporti ime me ta, unë u cilësova si komunist, në ndërkohë që kurrë në jetën time nuk kam qenë komunist dhe nuk i kam shërbeyr atij sistemi. Ata që duan promovim social, që nuk kanë profesion, domsodo që të shohin si spiun, komunist, pro-serb dhe çka jo.

    Pse kjo është kështu? Prapë kjo lidhet me të mirat e mia ndaj tij, sikur te rasti Shkëlzenit. Bile ky Nexhi më ka borgj moral më shumë se Shkëlzeni: në vitin 1997, e kam dikund në ditarë datën e saktë, kam rrezikuar jetën time në Tiranë dhe e kam nxjerrë nga dora e disa njerëzve (7 ose 8 vetë, dy nga ta të armatosur me kallshnikovë), të cilët po e rrahnin në mënyrën më çnjerëzore që kisha parë ndojëherë live. Kam hasur aty fare rastësisht dhe kam ndërhyrë, duke ua nxjerrur Nexhin e përgjakur nga dora e tyre. Ai e din pse e kanë rrahur!

    Më pastaj, mbas luftës, sa kam qenë rektor i UP-së, e kam pas dërguar Nexhin, bashkë me disa të tjerë, për të bërë doktoratë në Gjermani, dhe e kanë kthyer pas një kohë jo fort të gjatë, për arsye jo të këndshme dhe ai duhet të tregojë pse. Nuk po flas shumëçka që mund të flas për të dhe Shkëlzenin, sepse prek privatësinë e tyre! Këtu i shkëputa shkarazi këto ngjarje dhe kujtime, për të treguar se këta nuk e kanë fort me temën, sa më mua “ad hominem”.

    Për fund fare, më lejoni të them se, në përgjithësi, hapja e debatit për Xhaferin si nazist lokal i ka bërë mirë shëndetit të frymës intelektuale në Kosovë, pa marrë parasyshë ofendimet dhe barbaritë rrugaçërore të aty-këtushme. Çdoherë duhet të flitet, të mos vritete debati nga frika që kemi prej nivelit të tjerëve, të kultivohet ai pafund, për shkak se vetëm ashtu Kosova ecë përpara. Ka tema të tjera edhe më të rënda që na presin dhe duhet të gjithë duhet të jenë gati, përfshirë ata që nuk kanë profesion dhe prezantohen sipas dëshirës që kanë për vetveten./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark