×
  • Lajme
  • Insajderi Video
  • Insajderi / Insajderi

    Intervistë me Nevenka Tromp: Asociacioni të bëhet me kujdes, të mos i jepet mundësia për shkëputje – ShBA s’duhet të shtyjë zgjidhje të nxituara

    Insajderi
    07 February 2023 - 18:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Realizimin e çështjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në konteksin e një marrëveshje eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, studiuesja dhe profesoresha në Universitetin e Amsterdamit, Nevenka Tromp, e merr tashmë për fakt të kryer. Në një intervistë për Insajderin, ajo thotë se sa i përket një vetëqeverisje lokale për komunitetin serb ajo duhet të bëhet me kujdes.

    Por, një gjë, detajet e së cilës duhet elaboruar edhe më me kujdes, është ajo që “të mos u jepet mundësia atyre që kanë qëllime të këqija brenda komunitetit serb që ta përdorin atë [Asociacionin] për ta shkëputur krejtësisht nga qeveria e Kosovës dhe autoriteti i shtetit të Kosovës”.

    Tromp në lidhje me qasjen e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, vëren se është tejet e vështirë që një politikan i ri në pushtet të gjejë veten kryeministër në mandatin e tij të parë. “Ai është një lloj tjetër lojtari; ndërsa Vuçiq i cili është shumë më gjatë në pushtet është shumë më dredharak kur jemi te politikat simbolike dhe verbale”, vlerëson ajo.

    Në lidhje me “lëvdatën” ndaj Serbisë, dhe qortimit amerikan ndaj Kosovës, kryesisht në dritën e shfaqjes së planit franko-gjerman, Tromp e sheh si lojë “verbale dhe simbolike të Vuçiqit”.

    “[Aleksandar] Vuçiq e kupton, dhe Serbia shumë herë e ka dëshmuar, se ata gjithmonë do të thonë po kur e dinë që pala tjetër do të refuzojë”.

    “Pra, për Vuçiqin është shumë më mirë kur Kurti refuzon ndonjë hap të rëndësishëm strukturor në rrugën para. Sepse nëse Kurti nuk do të refuzonte diçka konkretisht, atëherë Vuçiq do të thoshte jo, por tash nëse Kurti i jep hapësirë duke thënë së pari jo, dhe kjo jo duke qenë një diçka e njëanshme në atë se çfarë dëshiron të vendos, Vuçiq do të abuzojë me këtë duke thënë të kundërtën, pikërisht atë që ndërkombëtarët duan të dëgjojnë duke i bërë për vete, dhe t’i lë ndërkombëtarët të kritikojnë Kosovën”, tha Tromp për Insajderin.

    Madje edhe tërë situatën e krijuar që prej çështjes së targave, Nevenka Tromp, e cila është edhe autore e veprës “Gjyqi i papërfunduar i Sllovodan Millosheviqit”, e sheh të eksploatuar nga pala serbe për ta fajësuar Kosovën në rrafshin ndërkombëtar.

    Ndonëse ajo fillimisht thotë se e kupton që Kurti vuri në pah një çështje administrativisht të rëndësishme, mëpastaj ekzistonte rreziku i përshkallëzimit, vëren ajo, ndërsa tërheqja e serbëve nga institucionet e vendit, u shfrytëzua nga serbët në arenën ndërkombëtare.

    “Së pari, të shohim se si i kombinon hapat operativë taktikë dhe strategjikë. Kur ai u angazhua në këtë çështje të rëndësishme administrative me targat e Serbisë në Kosovë, ku deshi ta ndalojë. Ishte mjaftueshëm e rëndësishme për ta nxjerrë në pah, por ta bësh atë problem i cili mund të çojë në përshkallëzim konflikti në dhunë është çështje krejtësisht tjetër”, thotë Tromp.

    “Atëherë duhet të mendoni tejet strategjikisht dhe të mendoni në një kohë më afatgjate. Dhe pse është e rëndësishme të theksohet? Sepse eskalimi dhe përqendrimi i kompleksitetit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi në këtë çështje të vetme dhe pasojat që rrjedhuan me dorëheqjen e serbëve nga shumë prej institucioneve, në të vërtetë ishte shumë e ngatërruar ta shihje e ta dëgjoje. Sepse ne dimë se qeveritë pararendëse të tij harxhuan shumë e shumë vite në krijimin e pozitës negociuese kundrejt Quint’it por edhe komunitetit ndërkombëtar, duke i përfshirë dhe duke bërë gjithçka për t’i përfshirë përfaqësuesit serbë në secilin nivel të qeverisjes kosovare. Ky përshkullazim i shkurtër në mënyrë kritike e minoi këtë proces”.

    Tromp thotë se kjo është e rëndësishme të theksohet sepse i jep argument palës serbëve te ndërkombëtarët. “Dhe, më besoni, ndërkombtarët dëgjojnë argumente të tilla. Sepse ndërkombëtarët kurrë nuk do të ngrehen në situata ku i dhënë mbështetje njërës palë dhe të neglizhojnë interesat e palës tjetër”, tha ajo.

    “Prandaj, ky është një pozicion interesant dhe i rrezikshëm, ku ai duhet të bënte marifete ndërmjet operimeve taktike dhe çështjeve strategjike; ai bëri çfarë bëri, përshkallëzime nuk pati, por çfarë bëri gjithashtu është se tregoi urti kur ai në të vërtetë u pajtua të ketë edhe një shtyrje tjetër për ndalimin e targave serbe”, tha Nevenka Tromp.

    Intervista e plotë e Nevenka Tromp:

    Insajderi: Do të doja t’ia filloja me “Elefantin në dhomën e ndejës”, siç e quajmë tashmë, që ka zënë tërë hapësirën; dhe është arra më e fortë për t’u thyer në Dialogun Kosovë-Serbi. Serbia këtë Asociacion e quan “parakushti i të gjitha parakushteve” ndërsa Kosova thotë se ajo mund të konsiderohet nëse kundërpesha e saj mund të matet me Njohje të Ndërsjellë. Çfarë mund të thoni ju për këto dy qëndrime që përjashtojnë njëra tjetrën?

    Nevenka Tromp: Në të gjitha negociatat ku ka dy ose më shumë palë, dhe veçanërisht në negociata ku përcaktohet formati politik dhe e ardhmja e dy shteteve është absolutisht e pranueshme, dhe në të vërtetë është edhe normë, që të dyja palët të hyjnë në negociata me qëndrime që thonë “ne mund të negociojmë, por këto gjëra ne nuk i ndërrojmë, ky është pozicioni ynë bazik”.

    Që t’ua jap një shembull gjatë negociatave të Dejtonit për paqe në Bosnje-Hercegovinë më 1995. Pala serbe, Millosheviqi thoshte se i kanë disa kushte dhe njëra është se kufijtë e “Republika Srpska”-s mbesin ashtu siç janë dhe se kompozita e territorit të ndahej mes serbëve, “Republika Srpska”-s, dhe Federatës së Bosnje-Hercegovinës, dhe të ishte 49% me 51%; se nuk do të pranonin më pak se 49% të territorit të Bosnje-Hercegovinës. Kushti i dytë që Millosheviqi thoshte se do ta negocionte në Bosnje-Hercegovinë, është se po, negociojmë, ama Kosova nuk duhet të jetë në agjendë. Dhe, negociatorët e pranuan. Kroatët kishin kushtet e tyre, negociojmë, por Mostari duhet të mbetet brenda këtij territori të kontrolluar nga kroatët në Federatën e BeH-së.

    Pra, unë mendoj se palët duke e pozicionuar veten kështu, duke paraqitur synimet, objektivat të cilat do të jetë të panegociueshme, kjo është edhe e zakonshme. Por, nëse mëpastaj shihni kërkesat e tyre atëherë vëreni se Kosova ka shans më të madh të pranojë formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, dhe mëpastaj që Serbia të pranojë njohjen e Kosovës si shtet i pavarur brenda kufijve të saj që i ka sot.

    Pra, jo ndryshim të kufive, por njohje. Mendoj se Serbia do të ketë shumë telashe t’i thotë jo kësaj. Sidoqoftë, mendoj se Prishtina, qeveria në Prishtinë përmes detajeve të elaboruara me kujdes të madh mund të pranojë njëfarë qeverisje lokale serbe në ato vende ku i pretendojnë serbët.

    Insajderi: Mirëpo, amerikanët kanë kërkuar që ky Asociacion të formohet, dhe atë pa vonesa, madje edhe e kanë bërë të qartë se ky Asociacion do të formohet “me ose pa” pëlqimin e qeverisë aktuale. A e shihni sikur durimi i ShBA’së po soset dhe duan ta mbyllin njëherë e mirë një marrëveshje mes dy vendeve?

    Nevenka Tromp: Nëse ky është qëndrimi i amerikanëve, dhe nëse kjo është njëfarë shpejtësie për ta ngutur atë, atëherë unë mbeten e habitur sepse kemi situatën e njëjtë që nga 1999. Dhe gjatë tërë këtyre viteve kemi negociata për formatin, për strukturime të brendshme për komunitetet serbe, dhe nuk e kuptoj se çfarë do të sjellë kjo nguti e madhe, dhe se si arsyetohet kjo.

    Mendoj se shumë më e rëndësishme është që të ketë konsensus mes dyja palëve dhe konsensusi eventualisht nuk do të jetë për përvijimin e komunave sepse pak a shumë ne e dimë se si është ky territor, si është gdhendur. Por, pozicioni më i rëndësishëm është se a do të ketë Asociacioni të drejta të posaçme të një entiteti politik, do të thotë, a do të kenë forcën policore të tyre e të tjera. Kjo është krejtësisht temë tjetër. Dhe, nuk besoj që do të ishte praktike, pragmatike, të humbet aq shumë kohë me atë se si kjo vetëqeverisje lokale e komunave do të duket eventualisht. Sepse nëse vazhdohet të merret me hollësira të tilla atëherë mund të ketë zhvendosje në situatat e së kaluarës, ku s’ka lëvizje fare.

    Për të ripërmbledhur atë çfarë thash: nuk ka nevojë që amerikanët të shtynë për zgjidhje të ngutshme, dhe qartazi jo për të imponuar një gjë të tillë te njëra palë, në këtë rast, qeverinë kosovare ose shtetin kosovar. Dhe, po, mendoj se për të gjithë është e qartë tani që territoret komunale serbe, si vetëqeverisje lokale, tani më de fakto është edhe realitet dhe tani i duhet një lloj modeli; por pa iu dhënë mundësia që ata që kanë qëllime të këqija brenda komunitetit serb ta përdorin për ta shkëputur krejtësisht nga qeveria e Kosovës dhe autoriteti i shtetit të Kosovës.

    Insajderi: Tani e kemi planin franko-gjerman, përmbajtja e të cilit ende nuk është botuar përveç disa drafteve aty-këtu. Sidoqoftë, Presidenti i Serbisë thotë se 90% e drafteve të publikuara nga mediat janë të vërteta. Besoj edhe ju ta keni lexuar. Si e keni kuptuar këtë plan?

    Nevenka Tromp: Mendoj se pajtoheni se që nga 2017’a kemi parë shumë nga këto të ashtuquajtura non-paper, plane që qarkullojnë në variante të ndryshme, por kurrë s’janë ngritur në nivele të planeve të paqes ose dokumente zyrtare për negociata. Sidoqoftë, kur e lexoni, ka kredibilitet për vazhdimësi krahasuar me ato çfarë kemi parë në të kaluarën. Dhe, çfarë unë shoh në këtë plan si zhvillim dhe në të vërtetë shkëputje nga planet e 2017’ës, kur dukej se edhe ndërkombëtarët po flirtonin me mundësinë e shkëmbimit territorial, që Lugina e Preshevës të bëhet pjesë e kufijve shtetëror të Kosovës dhe veriu i Kosovës të shkëmbehej e të bëhej pjesë e Serbisë. Mendoj se kjo është zhvillim për t’u mirëpritur shumë. Nëse kjo është dokument pune, si non-paper, përmban lëvizje madhore përpara. Jo më shkëmbim territoresh.

    Por, nga i tërë ky theks? Po, duhet të ketë diçka që ua bën qefin serbëve të Kosovës dhe përmes tyre edhe Beogradit, pra Asociacioni i Komunave me shumicë serbe mund të merr ndonjë formë zyrtare. Por, në të njëjtën kohë theksi është diku tjetër. Ata kryesisht thonë se të dy shtetet, Kosova dhe Serbia, duhet të ndihmojnë njëra tjetrën, të mbështesin integrimet evropiane të tyre. Kjo është shumë e rëndësishme. Nuk është se thotë se menjëherë do të ndjek planin e anëtarësimit, por qartësisht thonë se për juve e kemi një të ardhme brenda BE-së; që të dyja jeni të mirëseardhur por nën kushtet që ju e kuptoni se kjo është shtegu i juaj për ekzistencën paqësore dhe që të punoni bashkërisht përmes platformës së BE’së.

    Mendoj se kjo është goxho premtuese, dhe mua më thotë se këto dy shtete duhet që, nëse nuk bashkëpunojnë, së paku pranojnë ekzistencën paqësore mes vete, dhe së dyti që të shohësh drejt BE’së do të thotë të shohës për zgjidhje paqësore në dallimet mes vete, dhe përmes arritjes paqësore të një pajtimi për kufijtë dhe pranimin e tyre.

    Insajderi: [Plani franko-gjerman] thuhet të jetë i bazuar në Kartën e OKB-së ku Serbia de fakto do ta njihte Kosovën, dhe Aleksandar Vuçiq thotë se e ka pranuar planin si kornizë të re të negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vetëm se nota formale e njohje do të mungonte. A e shihni ju këtë plan si një hap drejt normalizimit të suksesshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve?

    Nevenka Tromp: Mendoj se duhet të shohim dy qasjet e ndryshme në marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Njëra është ajo që de fakto ndodh dhe nuk ka ndaluar kurrë. Kosova dhe Serbia kanë kontakte të mira tregtare, ekonomike, që tani kanë rënë në radar, por ne e dimë si është, si janë kufijtë, kush-çka-ku blen dhe ku ndiqen zingjirët furnizues. Prandaj, ky është lajm i mirë. Sepse aktiviteti ekonomik na tregon që në fakt këto dy vende kurrë s’kanë ndaluar së paturi punë me njëri tjetrin.

    Gjëja e dytë është që se si ky bashkëpunim dhe kontaktet brenda tyre, mund të përmirësohet –  ose edhe këqësohen, por unë besoj në përmirësim – duke e formalizuar njohjen e tyre të ndërsjellë. Dhe kjo qartazi më shumë i aplikohet Serbisë karshi Kosovës se sa anasjelltas. Nën cilat kushte dhe si Serbia do t’i përmirësojë marrëdhëniet e saj me Kosovën në nivelin bilateral duke u zotuar që të mos i zë rrugën anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, që shkruhet edhe në planin frank-gjerman, që Serbia të mos jetë pengesë përmes përpjekjeve lobuese të saj që Kosova të mos jetë pjesë e insticioneve me rëndësi. Dhe, mëpastaj, si mundet të ndikojë Serbia në këtë situatë të ngrirë ku Kosova s’mund të lëvizë drejt njohjes nga shtete e OKB-së e lëre me në njohjen e të gjitha shteteve të BE-së.

    Serbia mund të bëjë shumë gjëra rreth kësaj, dhe edhe në kohën e para luftës në Ukrainë, Putin dhe Moska zyrtare shumë shpesh thonin që Rusia të mos vendoste veton në KS nëse çështja e Kosovës bëhet temë po qe se Serbia e njeh Kosovën. Madje, edhe Rusia në atë kohë thoshte kështu. Çfarë ka ndryshuar tani? Putini s’është më ai Putini që ka qenë, para 10-5 vitesh, kur thoshte gjëra të këtilla që sapo i citova. Putin është tjetër njeri, dhe Rusia është delja e zezë në Këshillin e Sigurimit. Situata është tani më e paparashikuar madje edhe nëse vetë Serbia do të thoshte po. A do të bënte Rusia atë që të gjithë presin që ajo të bëjë, dhe a do ta shfrytëzojë këtë Vuçiq? Që Vuçiq të thotë “po, po Serbia do ta njohë Kosovën” duke e ditur që ky Putin post-Ukrainë nuk do të ketë zgjedhje ose vendos të mos ketë zgjedhje, dhe Rusia vendos të votojë kundër anëtarësimit në OKB të Kosovës.

    Dhe e njëjta gjë deri në një masë i aplikohet edhe pesë shteteve të BE’së që nuk e kanë njohur Kosovën. Cili është roli, dhe çfarë mund të bëjë Serbia në trajtimin ndryshe të Kosovës e të thotë që “po e njohim Kosovën”, si do t’i ndikonte kjo pesë shtetet? Mund t’i ndikojë mbase katër prej tyre, por nuk jam shumë i sigurt se mund të ndikojë ndonjë gjë te Spanja që të ndërrojë qëndrimin ndaj pavarësisë së Kosovës.

    Insajderi: Një pyetje të fundit. Dua t’i kthehem asaj se si e keni parë performancën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtin, në krejt këtë proces; por gjithashtu edhe qasjes së tij ndaj komunitetit ndërkombëtar dhe më me rëndësi ndaj Shteteve të Bashkuara, pa mbështetjen e të cilës Kosova do të ishte kryesisht e paprind në skenën ndërkombëtare.

    Nevenka Tromp: Në çdo mënyrë është pozitë tejet e vështirë ta gjeni veten si kryeministër në mandatin tuaj të parë. Në Evropë tani ka kryeministra që janë në mandatet e tyre të treta, ose edhe të katërta. Albin Kurti është një prej politikanëve që fitoi zgjedhjet dhe gjeti veten në mes të një situate tejet të ndërlikuar, dhe për shkak të luftës në Ukrainë po bëhet edhe më komplekse në skenën botërore. Kështu që, si mund ta gjykojmë një politikan brenda një loje domino kaq komplekse.

    Së pari, të shohim se si i kombinon hapat operativë taktikë dhe strategjikë. Kur ai u angazhua në këtë çështje të rëndësishme administrative me targat e Serbisë në Kosovë, ku deshi t’i ndalojë. Ishte mjaftueshëm e rëndësishme për ta nxjerrë në pah, por ta bësh atë problem i cili mund të çojë në përshkallëzim konflikti në dhunë është çështje krejtësisht tjetër. Atëherë duhet të mendoni tejet strategjikisht dhe të mendoni në një kohë më afatgjate. Dhe pse është e rëndësishme të theksohet? Sepse eskalimi dhe koncentrimi i kompleksitetit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi në këtë çështje të vetme dhe pasojat që rrjedhuan me dorëheqjen e serbëve nga shumë prej institucioneve, në të vërtetë ishte shumë e ngatërruar ta shihje e ta dëgjoje.

    Sepse ne dimë se qeveritë pararendëse të tij harxhuan shumë e shumë vite në krijimin e pozitës negociuese kundrejt Quint’it por edhe komunitetit ndërkombëtar, duke i përfshirë dhe duke bërë gjithçka për t’i përfshirë përfaqësuesit serbë në secilin nivel të qeverisjes kosovare. Ky përshkallëzim i shkurtër në mënyrë kritike e minoi këtë proces. Pse është e rëndësishme kjo? Sepse serbët në Serbi përsëri fituan një argument të thonë e po shihni Kosova nuk është shtet i ynë, shikoni se si nuk kemi përfaqësues atje; dhe, më besoni, ndërkombëtarët dëgjojnë argumente të tilla. Sepse ndërkombëtarët kurrë nuk do të ngrehen në situata ku i dhënë mbështetje njërës palë dhe të neglizhojnë interesat e palës tjetër.

    Prandaj, ky është një pozicion interesant dhe i rrezikshëm, ku ai duhet të bënte marifete ndërmjet operimeve taktike dhe çështjeve strategjike; ai bëri çfarë bëri, përshkallëzime nuk pati, por çfarë bëri gjithashtu është se tregoi urti kur ai në të vërtetë u pajtua të ketë edhe një shtyrje tjetër për ndalimin e targave serbe. Tregoi përsëri se pala kosovare është mjaftueshëm pragmatiste të mos eskalojë situatë, dhe që përsëri të jetë pala e parë që shkon në tryezën e bisedimeve.

    Kjo është pozicion i mirë për të qenë, sepse i lë serbët të dalin me kërkesat ekstemiste që nuk janë atyre për të kënaqur popullin serb në Serbi, por që në të vërtetë aty janë për të penguar procesin ku të dyja shtetet do të trajtohen barabartë nga komuniteti ndërkombëtar dhe ndërmjetësuesit. Gjithashtu në përgjithësi për Kosovën, as Kurti e as ndonjë kryeministër tjetër nuk ka llogari të merr vendime të njëanshme që mund të çojnë në eskalime, sepse Kosova si një de fakto shtet nuk mund të mbijetojë, nuk mund të ketë mbështetjen që e ka pasur qe gati 30 vite, pa mbështetjen e lojtarëve kyç ndërkombëtar, shumica prej të cilave e përfaqësojnë demokracinë perëndimore.

    Insajderi: Për t’i shtuar një gjë pyetjes sime të fundit; kemi qenë dëshmitar të një ndryshimi në pozicionin e ShBA-së, me Sekretarin amerikan të Shtetit duke lavdëruar Presidentin e Serbisë për një qasje konstruktive dhe e njëjta gjë është bërë nga Derek Chollet ndërsa të njëjtën kohë kemi qenë dëshmitar të një qortimi të ashpër kundrejt qeverisë kosovare. A e shihni këtë ndërrim si një gjetje e mirëkuptimit me pozicionin serb, në këtë rast?

    Nevenka Tromp: Nuk mendoj se kjo është një përkushtim afatgjatë i ShBA-së, por është saktësisht ajo çfarë kemi qenë duke e parë se çfarë lloj dinamike Beogradi dhe Prishtina kanë qenë duke zhvilluar që kur Albin Kurti morri pushtetin, ai është një lloj tjetër lojtari politik; ndërsa Vuçiq i cili është shumë më gjatë në pushtet është shumë më dredharak kur jemi te politikat simbolike dhe verbale. Ai e di, dhe Serbia shumë herë e ka dëshmuar, se ata gjithmonë do të thonë po kur e dinë që pala tjetër do të refuzojë.

    Pra, për Vuçiqin është shumë më mirë kur Kurti refuzon ndonjë hap të rëndësishëm strukturor në rrugën para. Sepse nëse Kurti nuk do të refuzonte diçka konkretisht, atëherë Vuçiq do të thoshte jo, por tash nëse Kurti i jep hapësirë duke thënë së pari jo, dhe kjo jo duke qenë një diçka e njëanshme në atë se çfarë dëshiron të vendos, Vuçiq do të abuzojë me këtë duke thënë të kundërtën, pikërisht atë që ndërkombëtarët duan të dëgjojnë duke i bërë për vete, dhe t’i lë ndërkombëtarët të kritikojnë Kosovën.

    Dhe, ju e dini  që ndërkombëtarët kanë shumë mënyra për t’i bërë presion Kosovës; dhe njëra është e qartë se Kosova është shtet de fakto i vogël; i varur ekonomikisht dhe strategjikisht në shtetet padrone, dhe Vuçiq këtë e di mjaft mirë./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark