×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Investitori strategjik i Qeverisë Kurti dënohet pasi largoi nga puna shtatzënën

    Insajderi
    25 May 2023 - 16:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    E nxorri në punë nga pushimi i lindjes para se ai të përfundonte. Nuk ia pagoi ato ditë. E transferoi në një pikë tjetër pa dëshirë, vetëm pasi që iu tregoi se ishte shtatzënë. Dhe në fund e largoi krejt nga puna. Krejt kjo histori, që është përshkruar në një vendim të Inspektoratit të Punës, i ka ndodhur një gruaje kosovare në kompaninë “Kosmonte Foods”, që Qeveria Kurti e ka investitor strategjik dhe ia ka dhënë 25 hektarë tokë të shtetit.

    Gazeta Insajderi

    Në prill të 2020-s Albin Kurti, kryeministër sefte, kishte vizituar kompaninë e multimilionerit nga Malisheva, Lulzim Begaj – “Kosmonte Foods”. Takime mes Kurtit e Begajt pati edhe më vonë. Por, pati edhe diçka më shumë.

    “Kosmonte Foods” është shpallur nga Qeveria e dytë e Albin Kurtit si investitor strategjik, duke përfituar kështu 25 hektarë tokë të shtetit për 99 vite, për një investim që në letra thuhet se do të jetë mbi 11 milionë euro.

    Pavarësisht këtij trajtimi nga Qeveria Kurti, trajtimi që kompania e multimilionerit Begaj ka bërë së fundmi ndaj një punonjëse që u zbulua se ishte shtatzënë e ka shtyrë një mekanizëm të shtetit që ta dënoi po këtë kompani.

    Në mes të majti të këtij viti Inspektorati i Punës, agjenci nën Ministrinë e Financave dhe Transfereve që drejtohet nga Hekuran Murati, e gjobiti kompaninë “Kosmonte Foods” duke e gjetur fajtore për shkelje të Ligjit të Punës.

    Insajderi ka tentuar që të marrë koment nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), me të cilën është nënshkruar marrëveshja milionëshe nga ana e “Kosmonte Foods” dhe nga vet gruaja që e drejton këtë ministri, Rozeta Hajdari, por as MINT as Hajdari deri tash nuk kanë komentuar.

    Për çudi, edhe pse Insajderi posedon një kopje të vendimit për gjobitje të “Kosmonte Foods”, kjo kompani i ka kthyer një përgjigje gazetës që e mohon ekzistimin e dënimit.

    “Sa i përket pyetjes tjetër, jo nuk është e vërtetë”, i ka thënë Insajderi avokati i “Kosmonte Foods”.

    Saga e punëtores së “Kosmonte..” | ndërprerje e pushimit e transferim i jashtëligjshëm pas shtatzënisë

    A.F, kishte nisur që të punonte në “Kosmonte Foods” në dhjetorin e vitit 2017. Punoi në pozita të ndryshme brenda kompanisë, derisa në shkurt të vitit 2022 kishte shkuar në pushim të lindjes.

    Por, as aty del që kompania nuk e la rahat. Edhe këtë pushim ia kishin ndërprerë 12 para kohe, që Inspektorati i Punës e ka konstatuar si shkelje tjetër të Ligjit të Punës që ka bërë “Kosmonte Foods”.

    Për këto ditë madje nuk ishte paguar.

    Më vonë kjo punëtore i kishte njoftuar menaxherët e saj për shtatzëninë e saj të dytë, dhe ky ishte momenti ku Departamenti i Burimeve Njerëzore  vihet në lëvizje.

    Sipas vendimit për gjobë kundër “Kosmonte Foods”, fillimisht kësaj punëtore i kërkohet që të transferohet nga një pikë tjetër në një qytet ku kishte qenë që nga fillimi, që të vite në pikën në Fushë Kosovë, diçka që punëtorja nuk e kishte pranuar pasi që kishte një fëmijë më të vogël se një vit.

    Vendimi për transferim ishte bërë pa pëlqimin e saj, diçka që sipas Inspektoratit të Punës është shkelje tjetër, pos asaj që më herët i ishte ndërprerë pushimi para kohës.

    Punëtorja do të bënte fillimisht një ankesë brenda kompanisë, që iu refuzua si e pabazuar. Pas këtij rrëfimi, kompania do të merrte edhe vendimin e fundit: largimin nga puna të punëtores së kishte njoftuar se është shtatzënë.

    Krejt këto veprime të “Kosmonte Foods” janë konsideruar të jashtëligjshme nga ana e Inspektoratit të Punës, që edhe e ka bërë që të ia shqiptoi gjobën prej 1200 eurosh kësaj kompani, ekzistencën e së cilës për çudi e ka mohuar avokati i firmës.

    Historiku i tokës së shteti që Qeveria Kurti ia dha “Kosmonte Foods”

    Në janar të këtij viti MINT që drejtohet nga Rozeta Hajdari kishte njoftuar që vec është nënshkruar marrëveshja përmes së cilës do t’i jepen në shfrytëzim 25 hektarë kompanisë “Kosmonte Foods”.

    Dhënia në shfrytëzim e pronës do të vlejë për 99 vite në zonën kadastrale Harilaq, Komuna e Fushë Kosovës.

    Sipas MINT, nga ky projekt pritet të hapen 300 vende të reja pune. Vlera totale e projektit që do të realizohet është 11 milionë e 143 mijë e 917 euro.

    Përfaqësuesit e kësaj kompanie kryeministri Albin  Kurti i kishte pritur në Qeveri më 3 gusht të vitit të kaluar ku kishin diskutuar për investimet që planifikohen nga “Kosmonte Foodss” dhe “Perutina Ptuj Group” nga Sllovenia.

    Në vitin 2021, Qeveria Kurti kishte nxjerrë vendim për shpalljen e “Kosmonte Foodss” si investitor strategjik.

    “Për zhvillimin ekonomik të vendit dhe eliminimin e barrierave tregtare, shfuqizuam rregulloret dhe aktet e trashëguara nga ish-Jugosllavia, i dhamë subjektit “Kosmonte Foodss” shpk statusin e investitorit strategjik për projektin investiv në vlerë 11 milionë euro”, shkruante Kurti më 22 shtator 2021. Vendimi pastaj u votua edhe në Kuvendin e Kosovës, ku shumicën e ka partia Vetëvendosje.

    Por, dhënia e kësaj toke ka një histori të gjatë përplasjesh mes Qeverisë e opozitës.

    Siç kishte raportuar Insajderi në tetor 2021, Kryetari i Komisionin për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës, Ferat Shala, kishte akuzuar Qeverinë e Kosovës për shpalljen e kompanisë “Kosmonte Foodss” si investitor strategjik, duke thënë se kjo kompani e cila është financuese e Lëvizjes Vetëvendosje, ka uzurpuar pronën e Agjencisë së Pyjeve.

    Shala kishte thënë se lënda e kompanisë “Kosmonte Foodss SH.P.K”, për fitim të statusit si “Invesitor strategjik” ka vërejtje të shumta, siç tha ai njëra prej tyre është ajo për uzurpimin e pronës së Agjencisë së Pyjeve nga kompania në fjalë.

    Ai kishte ngritur pretendime se “Kosmonte Foodss” është financues i Vetëvendosjes, andaj Qeveria i kthente borxhin.

    “Nga tetë anëtarë të Grupit operacional, vetëm katër prej tyre e kanë nënshkruar lëndën në fjalë. Si mund ta procedojë qeveria një lëndë të tillë, që ka mangësi të shumta juridike? Investitori është në kontest gjyqësor. Kjo lëndë për mua më shumë është për prokurori. Kjo lëndë në fjalë duhet të kthehet në qeveri për kompletim, mos me vazhduar kështu. Kjo kompani është financues i VV-së”, pati deklaruar ai.

    Në publik, deri tash kompania e multimilionerit Lulzim Begaj, nuk e ka konfirmuar, por as nuk e ka mohuar financimin e Vetëvendosjes.

    Në mbrojtje të këtij vendimi edhe atëherë pati dalë Ministrja eTregtisë, Rozeta Hajdari, e cila tha se kompania nuk ka asnjë rast të hapur në Gjykatë dhe se kompania “mundet me qenë financues i Nismës”.

    “Pas një analize rishqyrtimi, do të implimentojë përpunimin e pemëve, në fund të vitit 2025 sipas planit pritet të jenë 38 mijë metra katrorë që investimet e tejkalojnë buxhetin prej 11 milionë euro. Pas verifikimit për 6 muaj, kompania nuk ka asnjë rast të hapur në Gjykatë. Pra, as me Agjencinë e Pyjeve. Por, nëse ju mendoni se ka shkelje ligjore edhe mund të mos vazhdojmë” , pati deklaruar ajo

    Edhe deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja, i pati dalë në mbrojtje kompanisë ” “Kosmonte Foodss” duke kërkuar që kjo kompani të mos quhet zaptuese.

    “Ju kisha lutur mos iu gjuani njerëzve në qafë, meqë ka edhe media këtu. Ju kisha lutur mos me quajtur këtë kompani zaptues”, pati thënë ai, duke shtuar se është projekt me rëndësi për rrethinën në atë pjesë.

    Pavarësisht kritikave të opozitës, Qeveria Kurti tashmë ka marrë vendim që toka prej 25 hektarësh të kaloi në menaxhim të “Kosmonte Foodss” për 99 vite, për një projekt që ata thonë se do të jetë 11 milionë.

    Në prill të vitit 2020, kryeministri Kurti, së bashku me ministren Rozeta Hajdari kishin vizituar ambientet e kompanisë “Kosmonte Foodss”, ku kishte pasur një takim me shefin e kësaj kompanie,  Lulzim Begaj.

    “Ballafaqimi me pandeminë, si për shumë mangësi të tjera, na ka bërë ta kuptojmë mungesën, nevojën dhe rëndësinë e prodhimit vendor. Prodhuesi vendor është shtyllë e rëndësishme ekonomike. Shteti krijohet me prodhime vendore. Si qeveri prioritet i yni është përkrahja për këto ndërmarrje” – ishte shprehur Kurti.

    E themeluar në vitin 2000, me pronar Lulzim Begaj, “Kosmonte Foodss” është kompani e specializuar për importim dhe distribuim të produkteve të freskëta. Kjo kompani tashmë eksporton në Shqipëri, Gjermani e deri në Dubai./ Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark