×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Kompania që dyshohet se financoi VV-në e që mori 25 hektarë nga Qeveria Kurti, akuzohet për abuzim me çmime

    Insajderi
    27 July 2022 - 20:02

    Kompania që dyshohet se financoi Lëvizjen Vetëvendosje që tash udhëheq me Qeverinë e Kosovës, dhe e cila përfitoi 25 hektarë tokë, tash po akuzohet për abuzim me çmime vendore. Akuzat i vijnë nga biznese vendore, të cilat thonë se kompania në fjalë vendosi çmime grabitqare ndaj tyre dhe qytetarëve.

    Kompania është deklaruar për shqetësimet e ngritura për shtrenjtimin artificial të çmimeve, duke i mohuar akuzat.

    Por, cila është e vërteta?

    Muajt e fundit, gjersa Kosova po përballet me krizë ekonomike, është shfaqur edhe çështja e çmimeve të fryra artificialisht. Për shkak të inflacionit, që arriti në 14,1% gjatë muajit qershor, qytetarët e bizneset kosovare janë ndeshur me çmime të rritura artificialisht, ose çmime “grabitqare”, të cilat vendosen nga korporatat e mëdha që importojnë nga vendet e huaja.

    Ngjashëm edhe gastronomia në Kosovë po i vuan çmimet abuzive të kompanive importuese.

    Në redaksinë e gazetës Nacionale, ka arritur një shqetësim nga disa biznese të gastronomisë, të cilat ankohen për çmime të fryra e grabitqare të një numri të produkteve, të shitura nga kompania “Kosmonte Foods”.

    Më saktësisht, restorantet janë ankuar për çmimin e dy produkteve të djathërave yndyrore, të cilat përdoren si lëndë e parë në kuzhinat e tyre.

    Sipas gastronomëve, djathërat e njohura si produkti “Edamer” dhe “Edam”, janë rritur në mënyrë drastike muajt e fundit me arsyetimin e rritjes së çmimit të blerjes nga jashtë.

    Për më tepër, origjina e këtyre djathërave është shteti i Holandës, vend ky që nuk është se humbi ekuilibrin ekonomik nga kriza e shkaktuar prej pushtimit rus të Ukrainës.

    Kompania importuese “Kosmonte Food”, është raportuar të jetë kompani mjaft e afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, që është në pushtet prej 23 marsit të vitit të kaluar.

    Në bazë të të dhënave të siguruara nga Nacionale, kjo kompani ka importuar 21,381 kilogramë djathëra të këtyre llojeve, të cilat i kanë kushtuar gjithsej 85.525 mijë euro.

    Kompania në fjalë ka blerë këto djathëra me një çmim mesatar 4 euro, derisa shitjen e këtij produkti e faturojnë 7,15 euro për lokalet e gastronomisë, sipas burimeve të Nacionales që i përkasin këtij sektori. Krejt kjo në emër të rritjeve të çmimit, të shkaktuar nga kriza.

    Në këtë formë, në emër të krizës ekonomike, një kompani që thuhet të jetë e lidhur me partinë politike në pushtet po realizon fitim grabitqar që arrin afërsisht 80% të çmimit të blerjes së këtyre dy produkteve.

    Nacionale ka kontaktuar kompaninë Kosmonte Foods, e të cilët e kanë mohuar se kanë mbajtur çmime të tilla për bizneset vendore.

    Gjithë ky fitim i lartë i kompanisë po rëndon barrën e lokaleve gastronomike, që po operojnë në rrethana të vështira krize.

    Rrjedhimisht, një gjendje të tillë në fund e vuajnë qytetarët e Kosovës, që paguajnë më shumë për shërbime të ofruara brenda lokaleve të gastronomisë.

    Udhëheqësi i OJQ-së “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, pohon për Nacionalen se kundrejt këtyre marzhave grabitqare të fitimit duhet të vihet në lëvizje shteti, duke dënuar atë.

    Çdo marzhë ose margjinë e fitimit, me shumicë ose me pakicë, e cila i tejkalon normat e caktuara afariste, ekonomike, financiare, fiskale, është spekulim. Kjo mundet me qenë edhe tentim i monopolizimit të tregut, kartelizimit të tregut, edhe inspeksionet dhe të gjithë mekanizimat duhet me vepru, nëse kemi shtet dhe nëse kemi qeveri”, deklaroi Kaçaniku për Nacionalen.

    Në vështrimin e Kaçanikut, kjo situatë grabitëse për biznese është lehtësisht e zgjidhshme – duhet të hapen dokumentet që Dogana e Kosovës i trajton si sekrete biznesore.

    Kjo faktohet shumë kollaj, duhet vetëm doganën me qitë para prokurorisë, me detyru me i tregu shënimet të cilat ajo i trajton si sekrete biznesore. Asnjë sekret nuk mundet me qenë biznesor, nëse e dëmton qytetarin konsumator. Dogana nuk guxon të fshehë asnjë informacion në emër të mbrojtjes së sekretit afarist, nëse ajo informatë e dëmton qytetarin konsumator, nëse e prish tregun, konkurueshmërinë, nëse është në konflikt me Agjensionin e Konkurencës, me ligjin e dampingut, etj.”, vazhdoi Kaçaniku fjalën e tij për Nacionale.

    Kosmonte Food dhe Vetëvendosje

    Historiku i lidhjeve të kësaj kompanie me Vetëvendosjen daton qyshkur kjo e fundit ishte në opozitë – madje raportohej se “Kosmonte Food” ishte përkrahëse financiare e fushatës zgjedhore të Vetëvendosjes.

    Aktiviteti ekonomik i kësaj kompanie, qartazi është i mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje. Në janar të këtij viti, Komisioni Ndërministror për investime strategjike rekomandoi dhënien e statusit të investitorit strategjik për kompaninë “Kosmonte Foods”.

    Këtë rekomandim të Komisionit Ndërministror, deputetët e kaluan duke votuar për një gjë të tillë.

    Në këtë votim, vihet re mbështetja që i ofruan rekomandimit të këtij komisioni deputetët e Vetëvendosjes. Nga 67 votat në favor të propozimit, shumica ishin vota të deputetëve nga radhët e Vetëvendosjes.

    Po ashtu, lidhjet e Vetëvendosjes me kompaninë “Kosmonte Food Sh.P.K” janë theksuar edhe nga partitë opozitare të cilat madje kishin vënë në pah edhe një proces gjyqësor tjetër, që implikon këtë kompani.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, në një mbledhje të Komisionit për Ekonomi të Kuvendit të Kosovës, pohoi se ekziston një kontest në mes “Kosmonte Food” dhe Agjencisë së Pyjeve, për një pronë të agjencisë.

    “Nga tetë anëtarë të Grupit operacional, vetëm katër prej tyre e kanë nënshkruar lëndën në fjalë. Si mund ta procesojë qeveria një lëndë të tillë, që ka mangësi të shumta juridike? Investitori është në kontest gjyqësor. Kjo lëndë për mua më shumë është për prokurori. Kjo lëndë në fjalë duhet të kthehet në qeveri për kompletim, mos me vazhdu kështu. Kjo kompani është financuese e VV-së”, kishte thënë Ferat Shala.

    Sipas fjalës së deputetit Shala, prona publike e Agjencisë së Pyejeve është uzurpuar nga kompania “Kosmonte Food”.

    Këtyre akuzave, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u është përgjigjur duke mos mohuar lidhjet me Vetëvendosjen.

    Kompania nuk ka asnjë rast të hapur në Gjykatë dhe mundet me qenë financuese e Nismës”, pati thënë Hajdari./Nacionale.com

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark