Insajderi
Hulumtime/Analiza

Investitorit strategjik të Qeverisë Kurti i dalin telashe serioze, peshku i rezulton me bakterin e rrezikshëm

Insajderi
04 May 2026 - 16:25
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Investitorit strategjik të Qeverisë Kurti i dalin telashe serioze, peshku i rezulton me bakterin e rrezikshëm
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Insajderi ka raportuar më parë se si në vitin 2023, ministrja Rozeta Hajdari i besoi multimilionerit Lulzim Begaj kontratën miliona eurosh pa garancion bankar, duke i mundësuar këtij të fundit që për 99 vite t’i marrë nën kontroll 25 hektarë tokë të shtetit. Por sot, investitorit strategjik të Qeverisë Kurti, multimilionerit Lulzim Begaj dhe kompanisë së tij “Kosmonte Foods”, po i dalin telashe serioze me shtetin për shkak të rrezikimit të shëndetit publik.

Gazeta Insajderi

Dokumentet zyrtare që ka siguruar Insajderi e të cilat Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë pranoi t’i dorëzonte vetëm pas intervenimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi shpërfaqin një situatë alarmante: pesë mostra të produkteve të peshkut të kësaj kompanie kanë rezultuar pozitive me bakterin e rrezikshëm Listeria monocytogenes.

Sipas këtyre raporteve laboratorike, të cilat AUV tentoi t’i mbante të fshehura nga janari i këtij viti kur Insajderi parashtroi kërkesën, rezulton se brenda një periudhe dymujore (shtator – nëntor 2025), Salmoni dhe Peshku i tymosur i “Kosmonte Foods” kanë dështuar vazhdimisht në testet e sigurisë ushqimore.

Sipas dokumentit të Laboratorit Ushqimor dhe Veterinar që posedon Insajderi, rezultatet e mostrave të testuara konfirmojnë një seri dështimesh të njëpasnjëshme në standardet e sigurisë: më 16 shtator 2025 peshku i tymosur rezultoi pozitiv, duke u pasuar nga dy mostra të salmonit të tymosur më 30 shtator dhe 1 tetor që po ashtu dolën pozitive.

Situata alarmante u rikonfirmua edhe në javët pasuese, ku analizat e datës 29 tetor dhe ato të 14 nëntorit 2025 rezultuan sërish pozitive me praninë e bakterit të rrezikshëm.

Lidhur me rezultatet e këtyre produkteve ushqimore, Insajderi ka kërkuar një koment edhe nga kompania “Kosmonte Foods”, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Edhe pse dokumentet zyrtare konfirmojnë praninë e bakterit të rrezikshëm në pesë mostra të ndryshme, as nga AUV-i dhe as nga “Kosmonte Foods” nuk kanë treguar nëse këto produkte janë asgjësuar apo janë tërhequr nga tregu.

Çka është bakteri listeria monocytogenes?

Listeria monocytogenes është një bakter i rrezikshëm që shkakton një infeksion serioz të quajtur listeriozë.

Ai konsiderohet si një nga patogjenët më shqetësues për sigurinë ushqimore, sepse ndryshe nga shumë baktere të tjera, ai ka aftësinë të rritet edhe në temperatura të ftohta (brenda frigoriferit).

/Insajderi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark