Aksioni i nisur sot në orët e hershme të mëngjesit në kufirin Kosovë-Shqipëri është duke vazhduar.
Kështu ka konfirmuar për Insajderi zëdhënësi i Inspektoratit Policor, Arbër Beka.
“Aksioni në pikat kufitare Qafë Morinë dhe Qafë Prushë është duke vazhduar, do t’ju njoftojmë për zhvillimet e më tejme”, ka thënë shkurt ai.
Theksojmë se Inspektorati Policor së bashku me Prokurorinë Speciale kanë realizuar një aksion të madh kundër krimit e korrupsionit në kufirin Kosovë-Shqipëri ku të arrestuar kanë mbetur rreth 50 zyrtarë policor, të njëjtit dyshohen për veprën penale ‘marrje ryshfeti’ dhe ‘keqpërdorim i autoritetit zyrtar’.
Ky operacion i IPK-së i koduar me emrin “Pika” është duke u përkrahur edhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës.
Inspektorati Policor i Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale janë duke vazhduar operacionin që kanë filluar sot në orët e hershme të mëngjesit në Gjakovë dhe Prizren.
Kjo është bërë e ditur nga komunikata e përbashkët e lëshuar për media nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës
Mësohet se operacionit të sotshëm i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë.