Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, i ka pritur në takimit organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në takim u diskutua Ligji për pagën minimale. Osmani tha se ky ligj ndodhet në Kuvend dhe sapo të vjen në Presidencë do të trajtohet nga ana e ekspertëve ligjorë.
Lidhur me këtë çështje në Info Magazine të Klan Kosovës ka folur ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, i cili tha se kryeministri e ka për detyrë që të bëjë nivelizimin e pagave për veteranët.
“Presidentja ka të drejtë ta kthej ligjin në rishqyrtim, do të thotë kërkesat e veteranëve janë legale. Nëse presidentja sheh të arsyeshme duhet të analizojë kërkesat e veteranëve dhe ta kthejë ligjin në rishqyrtim në Parlamentin e Kosovës”.
“Zyra Ligjore e Presidentes ka për detyrë që të arsyetojë kërkesat e veteranëve, duke konsideruar se ligji ka shkelur ndonjë të drejtë elementare të veteranëve në këtë radhë, nëse po mund të shkojë në rishqyrtim, nuk do të thotë se mund të fitohet ky rast”.
“Pasi partia që është në pushtet mund të votojë edhe në herën e dytë njëjtë, si në të parën. Sa kam hulumtuar kjo çështje nuk zgjidhet përmes Ligjit për Veteranët, nga neni 18 i këtij ligji. Ndryshimi i nenit të 18-të të këtij ligji nuk ka pasur arsyetim të fortë. Kryeministri e ka për detyrë që me një vendim të veçantë mund të bëjë nivelizimin e pagave minimale edhe për veteranët”, ka thënë Kryeziu.
Ndër tjera, ai ka theksuar se veteranët çdo herë kanë pasur të drejtë me kërkesat e tyre dhe se edhe tani kanë të drejtë.
Ndërkaq, kryetari i OVL UÇK-së Faton Klinaku, pas takimit me Osmanin tha se qeveria po krijon përçarje. “Godit UÇK-në dhe ndoshta përfito vota”, tha Klinaku para mediave pas takimit me presidenten. Derisa kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, tha se do të protestojnë për ta kundërshtuar këtë ligj.