Ish-komandanti i UÇK-së: Situata nuk mund të përshkallëzohet në veri derisa e kemi NATO-n - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Ish-komandanti i UÇK-së: Situata nuk mund të përshkallëzohet në veri derisa e kemi NATO-n

    Insajderi
    10 November 2022 - 20:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Situata e sigurisë në veri të vendit nuk mund të përshkallëzohet përderisa NATO-ja është në Kosovë”.

    Kështu ka thënë ish-komandanti i UÇK-së në Zonën Operative të Llapit, Latif Gashi.

    Gashi tha se çdo mosmarrëveshje duhet të zgjidhet vetëm me dialog.

    E pretendimet se atje mund të ketë përshkallëzim të situatës, sipas Gashit, janë propagandë.

    “Hiç nuk mundet me u përshkallëzuar, ato janë rrena, është propagandë populliste. Në një vend ku është NATO-ja nuk zgjidhen problemet me dhunë edhe nuk ka dhunë. Qoftë Serbia, qoftë Albin Kurti me zgjedh një problem në Kosovë me forcë duhet me mundur NATO-n njëherë. Në çdo vend ku është NATO-ja të gjitha problemet zgjidhën vetëm me dialog, për atë hyn NATO që me ruajt qetësinë, paqen dhe të gjitha problemet me i zgjidh me dialog, me bashkëbisedim, e jo me forcë”, tha ai për Front Online.

    Ai duke fajësuar qeverinë aktuale thotë se para targave, e rëndësishme është ruajtja e raporteve me aleatët ndërkombëtarë.

    “Qeveritë e kaluara kanë bërë gjithçka në ruajtjen e sovranitetit, integritetit të Kosovës, shuarjes së strukturave paralele, integrimit të gjithë komuniteteve duke përfshirë edhe serbët në institucione të Kosovës. Tani Qeveria aktuale nuk ka ditë çka me bë, i ka gjetë krejt të kryme, e tash hajde t’i heq disa targa të cilat në këto momente nuk kanë qenë të rëndësishme hiç, e ka humb bashkëpunimin me aleatë ndërkombëtarë”, u shpreh Gashi.

    Gashi thotë se nuk duhet ngutur, dhe se çdo vendim duhet të merret duke u koordinuar me aleatët.

    “Rruga e duhur është me i ruajt raportet me aleatët, megjithëse i kemi koordinuar edhe para lufte, edhe në luftë, edhe pas lufte. Çdo proces që është zhvilluar, qoftë liria, qoftë pavarësia, qoftë integrimi i Kosovës në strukturën ndërkombëtare, edhe njohjet, të gjitha punët janë bërë duke u koordinuar me aleatët. Jo në kundërshtim me ata, dhe jo duke u ngut por gjithherë duke i koordinuar punët hap pas hapi”, deklaroi Gashi për Front Online.

    Përveç dhjetë deputetëve serbë, dorëheqje nga pozita kanë dhënë edhe zyrtarët serbë në sistemin e drejtësisë, policisë dhe atë komunal në veri të Kosovës, si dhe ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, i cili po ashtu vjen nga komuniteti serb.

    Ata e kundërshtojnë planin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa RKS, apo Republika e Kosovës.

    Prej 1 nëntorit, Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj – në tri faza – për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

    Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrje 12-mujore të vendimit për targat.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark