×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Ish-ministri me shurdhues”- Haxhiu i reagon Tahirit për rastin Dehari, kërkon nga Prokuroria ta ftojë si dëshmitar

    Insajderi
    08 April 2024 - 15:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka reaguar ish-ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahirit, lidhur me deklaratat e tij për rastin e ish-aktivistit të VV’së, Astrit Deharit.

    Tahiri në një konferencë për media të dielën tha se kryeministri Albin Kurti dhe kryekuvendari Glauk Konjufca ishin në dijeni për zhdukjen e mostrave të Deharit që nga pranvera e 2022-ës, shkruan Gazeta Insajderi.

    Për këto deklarata ka reaguar ministrja Haxhiu, duke hedhur akuza në drejtim të Tahirit.

    “Ish ministri me shurdhues, Abelard Tahiri paska adresuar publikisht shpifje të cilat nuk janë për t’u injoruar, por të cilat kërkojnë reagimin e institucioneve përkatëse të drejtësisë. Si Ministre e Drejtësisë, kam për obligim të demantojë shpifjet e trilluara, ndërsa të njëjtit le t’i mbetet për tu sqaruar më tej në organet kompetente, me shpresën që pas këtyre deklaratave do të ftohet si dëshmitar”, ka thënë ajo.

    “Aludimi i tij në Konferencën e djeshme për media, se Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit kanë qenë në njohuri për zhdukjen e mostrave të rastit Dehari, që në pranverën e vitit 2022, zgjon dyshimet e bazuara se mbase z.Tahiri ka qenë i informuar që prej asaj kohe. Përse Abelardi e përmend pranverën e vitit 2022? Me çfarë saktësisht e ka ndërlidhur ai këtë? A ka qenë ai i informuar apo edhe i përfshirë në atë mision të zhdukjeve të mostrave?”, ka akuzuar tutje ajo Tahirin.

    “Paraardhësja e tij, ish ministrja Dhurata Hoxha përveç se nuk mori kurrfarë përgjegjësie për vrasjen në Burgun e Prizrenit, sipas dyshimeve e njëjta ka ndërhyrë edhe tek zyrtarët e SHKK dhe Inspektoratit”.

    Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, përmes një konference për media, u ka parashtruar disa pyetje publike kryeministrit Kurti, kryeparlamentarit Konjufca dhe ministres Haxhiu – në lidhje me zhdukjen dhe gjetjen e mostrave të aktivistit të ndjerë të VV’së, Astrit Deharit.

    Tahiri ka ftuar edhe Prokurorinë Speciale të ndërmarrë veprimet e menjëhershme për të vënë para përgjegjësisë secilin zyrtar shtetëror që ka gisht në zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit në kthimin e pjesshëm dhe përfundimtar të tyre. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark