Ish-ushtari i UÇK-së, britaniku Jon Harrison, është shprehur kundër ndërtimit të murit në afërsi të urës së Ibrit në Mitrovicë të veriut.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Harrison ka shkruar se muri do të jetë cak i raketave RPG dhe se është poshtërim për Kosovën.
“Më vjen mirë të shoh se serbët kanë ndërtuar një mur në Mitrovicë… do të jetë cak i RPG-ve. Seriozisht, ky mur është poshtërim dhe shpresoj se shërbimet e sigurisë së Kosovës do të analizojnë anën tjetër të murit. Nuk është shaka kjo punë”, ka shkruar Harrison.
Harrison ka thënë se muri është i jashtëligjshëm dhe se nëse autoritetet e veriut nuk e heqin, do të detyrohet të vijë e ta thyej me çekan.
“Ligji do të vendos se muri është ilegal dhe jam i sigurt se me forcë do të hiqet, nëse jo do të vijë vetë me një çekan”, ka shkruar në fund ish-ushtari i UÇK-së.
Në muajin shkurt të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka shfrytëzuar vizitën në Mbretërinë e Bashkuar, që t’i dorëzojë certifikatën e Veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jon Harrison, i cili ka qenë një nga luftëtarët e pakët nga Britania në luftën e fundit në Kosovë. /Insajderi.com