Ish zyrtarët e Drejtorisë së Kadastrit në Komunën e Prishtinës, Shiqeri Spahiu dhe Ramush Thaçi, u deklaruan se nuk ndihen fajtor për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, për të cilën akuzohen nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.
Në shqyrtimin fillestar të mbajtur të mërkurën, Visar Vehapi, avokat mbrojtës i të akuzuarit, Ramush Thaçi, deklaroj se për mbrojtjen, dispozitivi i aktakuzës është komplet i paqartë. Vehapi, kërkoi nga prokurori i rastit, Feti Tunuzliu, që të sqaroi dispozitivin e aktakuzës.
Mirëpo një gjë e tillë nuk u lejua nga ana e kryetarit të trupit gjykues, Shashivar Hoti, me arsyetimin se e njëjta mund të bëhet në shqyrtimin e dytë.
Seanca e radhës u caktua të mbahet më 6 qershor 2017, në ora 9:00.
Sipas aktakuzës së prokurorisë, gjatë viteve 2008 – 2010, drejtori i Drejtorisë për Kadastër dhe Gjeodezi, Shiqeri Spahiu, dhe shefi i Sektorit për Kadastër në Komunën e Prishtinës, Ramush Thaçi, kishin ndërruar titullarët e pronave në aparatin kadastral, duke iu referuar dokumenteve të rrejshme.
Në bazë të një aktgjykimi nr. 395/96, të 21 shkurtit 1997, të akuzuarit Spahiu dhe Thaçi, parcelën e cila gjendej në Uglar të Prishtinës, me sipërfaqe prej 10.120.53 hektar, me numër kadastral 1536/1 e kishin bartur nga tani e dëmtuara KBI “Kosova Export – NSH Bujqësia” në Fushë Kosovë, tek Marko Mitroviq.
Pasi që Mitroviq kishte figuruar si pronar i këtyre parcelave, të akuzuarit Spahiu dhe Thaçi, kishin lidhur kontrata të shitblerjes në mes të Mitroviqit dhe personave tjerë, si blerës të parcelave. Me këtë rast, sipas prokurorisë, të akuzuarit kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare./BetimipërDrejtësi