Ish-zyrtarja i jep tenderin e Ministrisë se Shëndetësisë kompanisë “Al Trade” - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Ish-zyrtarja i jep tenderin e Ministrisë se Shëndetësisë kompanisë “Al Trade”

    Insajderi
    23 December 2016 - 14:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, e ka vendosur në komision vlerësues ish-zyrtaren e kompanisë “Al Trade”, në një tender milionësh ku fituese në mënyrë të dyshimtë u shpallë pikërisht kjo kompani.

    Bëhet fjalë për Donjeta Berisha-Reçica, e cila sipas dokumenteve që ka siguruar Gazeta Fjala, është njëra prej katër anëtarëve që ka vendosur në tenderin për “Ndërtimin e spitalit në Ferizaj”, shkruan Gazeta Fjala.

    Fituese u shpallë kompania “Al Trade”, ndonëse në garë ishin disa kompani që ofruan çmim më të lirë.

    Ndërkohë, Gazeta Fjala mëson se Berisha-Reçica vite më parë në “Al Trade” kishte ushtruar detyrën e zyrtares në administratë dhe ngritë dyshimet për konflikt interesi në këtë proces.

    Në dokumentacionet që ka siguruar gazeta, Reçica prezantohet si anëtare e komisionit vlerësues, me përgatitjen profesionale “inxhiniere e diplomuar”.

    Nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë sqaruar se a kanë qenë në dijeni se në komision vlerësues kanë vendosur personin që kishte lidhje të afërta me kompaninë fituese.

    “Tenderi është vlerësuar nga një komision mjaft profesional (në përbërje prej 4 inxhinierësh dhe një doktor) dhe vendimi i dhëne konsiderojmë se është i drejtë dhe ne përputhje me Ligjin e Prokurimit”, thuhet në përgjigjet e Departamentit për media në Ministrinë e Shëndetësisë.

    Por, kjo nuk ishte shkelja e vetme rreth këtij tenderi. Pas ankesave të tri kompanive tjera në garë, ky tender ka përfunduar në OSHP për shqyrtim. Al Trade u zgjodhë si më e mira në mesin e 7 kompanive tjera në garë ndonëse ofronin çmim më të lirë.

    Pronari i Al Trade: Donjeta ka punuar te ne, por s’kemi më kontakte

    Pronari i “Al Trade”, Bajram Gashani, ka thënë për Gazetën Fjala se Berisha-Reçica në “Al Trade” ka punuar para 5 vitesh.

    Ai ka mohuar që ish-punëtorja e tij të këtë pasur çfarëdo ndikimi në marrjen e këtij tenderi.

    Këto gjëra sipas tij i përcakton ligji dhe jo lidhjet personale.

    “Donjeta ka punu në Al Trade shumë kohë më parë. Nodshta para 4 ose 5 vitesh dhe nuk ka kurrfarë lidhje këtu”, ka thënë Gashani.

    Gashani thotë se nuk ka kontakte me personin në fjalë që nga koha e shkëputjes se bashkëpunimit.

    “Ndoshta ndonjë punëtor në kompani mund të ketë ende kontakte, por kanë kaluar disa vite dhe nuk kam pasur çfarëdo kontakti. Eshtë normale që njerëzit punojnë diku dhe pastaj lëvizin në vende tjera. Nuk shoh asgjë të keqe këtu”, ka thënë Gashani.

    Ndërkaq, Donjeta Berisha-Reçica nuk  i është përgjigjur Gazetës Fjala në kërkesën për të sqaruar lidhjet e saja me kompaninë të cilën dyshohet të ketë konflikt interesi.

    Tenderi përfundon në OSHP me dyshimet për shkelje

    Ndërkohë, tenderi gati 10 milionësh për “Ndërtimin e spitalit në Ferizaj”, në të cilin ishte e përfshirë Berisha Reçica, tashme ka përfunduar për trajtim në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik, nën dyshimet për shkelje.

    Gazeta Fjala e ka siguruar edhe renditjen e kompanive ofertuese për këtë tender, ku “Al Trade” renditet e 8-ta, për nga çmimi, që është edhe kriteri kryesor për përzgjedhjen e fituesit të tenderit.

    Në  Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik tashme ankesat i kanë dorëzuar tri kompani që po ashtu ishin në garë.

    “Tenderi për ndërtimin e Spitalit ne Ferizaj është ne fazën e ankesave në OSHP, pasi janë bërë tri ankesa nga operatorët ekonomik dhe pritet shqyrtimi dhe vendimi nga OSHP”, kanë thënë nga Divizioni i Komunikimit më Publikun në MSH.

    Në përgjigjen e tyre thuhet se kriter i dhënies së kontratës ka qenë “Oferta e përgjegjshme me çmimin me te lire” , andaj në bazë të këtij kriteri oferta e përzgjedhur si fituese është me e lira nga ofertat e përgjegjshme.

    Kjo është arsyeja sipas tyre se pse u përzgjedhë “Al Trade” si më e mira, edhe pse kishte 7 kompani tjera në garë me çmim më të lirë.

    “Ofertat më të lira, se sa operatori fitues, nuk i kanë plotësuar të gjitha kriteret që janë kërkuar në Njoftimin për kontratë dhe në Dosje të tenderit, andaj janë trajtuar si të papërgjegjshme. Parallogaria e dhënë nga projektuesi i këtij projekti ka qenë 11,981,921.31 euro dhe në bazë të kësaj parallogarie është tenderuar ky projekt. Oferta e përzgjedhur si fituese është me vlerë 9,468,000.94 euro që krahasuar me vlerën e parallogaritur është mjaftë e ulët”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e dhënë Gazetës Fjala.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark