Hamide Magashi, viktima e aktit makabër që tronditi mbarë vendin ishte nën mbrojtjen e Policisë së Kosovës. Konkretisht, nën mbrojtjen e Stacionit Policor në Lipjan. Komandanti i kësaj pike, Naser Sinani, nuk ka dashur të komentoj rastin e vrasjes së gruas shtatzënë nga ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili.
“Jam jashtë, thirrne zyrën për media” tha shkurt ai dhe e mbylli telefonin duke mos dhënë përgjegjësi për vrasjen e gruas dhe fëmijës më barkun e saj.
E ndjera, Hamide Magashi ka pasur urdhër-mbrojtje për gjashtë muaj nga Gjykata Themelore e Ferizajt. Mbrojtja e gruas së ndjerë ka qenë kompetencë e Policisë së Lipjanit.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar komandantin e Stacionit Policor në Lipjan, Naser Sinanin po ai e ka mbyllur telefonin duke thënë se gjendet jashtë.
“Për çdo informatë I drejtoheni zyrës për media se jam jashtë”, tha Sinani shkurt duke e mbyllur telefonatën.
Sipas Prokurorisë së Ferizajt kompetent për zbatimin e urdhrit është Policia e Kosovës.
“Ky urdhër i është dorëzuar Qendrës për Punë Sociale në Lipjan dhe Policisë së Kosovës – Stacionit Policor në Lipjan dhe në bazë të këtij vendimi, kompetent për zbatimin e urdhrit mbrojtës ka qenë Policia e Kosovës”, thuhet në një njoftim të prokurorisë.
Çfarë thotë Gjykata e Ferizajt
Nga ana tjetër, gjykatësi që kishte dënuar vetëm me 300 euro gjobë Sokol Halilin edhe pse kishte edhe dy raste tjera në gjykatë, thotë se nuk ka qenë në dijeni.
Gjykatësi në Gjykatën Themelore të Ferizajt, Sahit Krasniqi i kishte shqiptuar dënim prej 300 euro gjobë për armëmbajtje pa leje, Sokol Halilit, të dyshuarit për vrasjen e shtatzënës mbrëmë në QKUK, shkruan Gazeta Insajderi.
“Dënim me gjobë, pasi që është mbajtës i familjes dhe ka gjendje të rëndë ekonomike”, kjo është njëra ndër arsyetimit në aktgjykimin ndaj Sokol Halilit kur u dënua vetëm me gjobë për armë ani pse gjatë kësaj periudhe Gjykata ishte në dijeni se ndaj tij është ngritur edhe një aktakuzë për kanosje e ka urdhër që të mos i afrohet ish-gruas.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar gjyqtarin e procedurës, Sahit Krasniqi i cili ka sqaruar se pse e ka dënuar vetëm me gjobë prej 300 euro.
Sipas tij, ligji në fuqi përcakton dënimin me këtë shumë pasi që arma nuk ka qenë e vërtetë por me gaz.
“Ajo ka qenë armë më gaz, nuk ka qenë armë e vërtetë. Pa fishek pa predha.” Dispozita e akuzës ka qenë për armëmbajtje pa leje. Ai armën nuk e ka përdorur, atij iu ka gjetë arma”, tha ai.
I pyetur se a ka qenë në dijeni për veprat e të dyshuarit në të kaluarën, Krasniqi thotë se nuk e ka ditur për rastet e tjera dhe sipas tij në Departamentin e Krimeve të Rënda në Ferizaj nuk ka pasur rast tjetër.
“Nuk kam qenë në dijeni për rastet e tjera. Në departament të Krimeve të Rënda nuk ka pasur rast tjetër në emër të tij. Unë i marr parasysh të gjitha. Nuk ka ndodhur ndonjëherë të më anulohet ndonjë aktgjykim sepse I analizoj shumë gjërat”, deklaroi ai për Insajderin.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Sahit Krasniqi, arma i ishte konfiskuar në mënyrë të përhershme.
“Konform nenit 366, par .3 të KPRK-së, një pistoletë me gaz DUAL, me numër serik EJ1…. me kalibër 9mm, prodhim i Turqisë si dhe një karikator, janë konfiskuar në mënyrë të përhershme”, thuhet në aktgjykim.
Lexo edhe: